Andrra poetike e Martin Camaj-t

Studiuesi i Buzukut dhe librit të parë të shqipes së shkruar, gjatë gjithë jetës aktive intelektuale e krijuese, poezinë e pati pasion dhe e kultivoi me dashuri. Nëpërmjet artit poetik, shprehu ndjesitë e brendshme, ku spikaten lidhjet e shkëputura shpirtërore me vendlindjen.

Ndue Ukaj

Prishtinë 8 nentor, 2015. Camaj gjatë gjithë jetës qe një poet shtegtar, që kaloi nëpër qytete, në kërkim të mitit poetik apo qetësisë së humbun. Nëpër biblioteka e libra, qëmtoi nëpër misteret e artit, pa u shkëputur asnjëherë nga kujtimet e hershme djaloshare. Nga një  distancë e largët – fizike e shpirtërore, kujtimet i shkreptijnë si vezullima ndriçuese. Ia dëftojnë rrugën poetike, në kohën kur ai anderron, dhe kështu krijon kurorën e imagjinatës së dëlirë poetike, në të cilën spikatet humusi shqiptar me tiparet e dallueshme të ambientit shqiptar.

Koha dhe kujtesa, si komponente poetike, te poezia e tij shfaqen në trajta e variante të ndryshme. Të thadruara në zemrën e poetit që e humbi qetësinë kur e braktisi atdheun, ato shpalosen, ashtu siç i shpalosen kujtimet e kohës së largët: butësisht, prajshëm, me ndjenjën e frikës në mos po lihet gjë në harresë. Ai me ngulmë do me kujtue, dhe këtë e dëfton në përsiatjet që bën për poezinë, veçmas në dy tekstet:  “Jo gjithë jeta qenka burim poezie” dhe”Shënime të përgjithshme mbi ’Varg librash letrare”.

Botëkuptimet e Camajt për poezinë janë një vlerë shtesë e artit të tij, ku ai shpalos idetë për artin, me çka hapi horizonte për të kuptuar edhe universin e tij poetik. Në tekstin me titull “Jo gjithë jeta qenka burim poezie”, poeti shfaq mendime domethënëse e të pjekura për artin e fjalës dhe marrëdhëniet e poezisë së tij me temat që trajton e imazhet që evokon. Ky tekst, mund të vlerësohet çelës për ta kuptuar dhe interpretuar poezinë e tij, sidomos në rrafshin semantik dhe artistik. Camaj, në këtë tekst, i nënvizon shenjat sinjifikative që hapin shtigje për ta kuptuar poetikën dhe ideologemën kulturore e letrare.

Në tekstin në fjalë, Camaj dëfton çfarë raporte ka ai me poezinë, me shkrimin dhe temat që trajton, sikundër edhe me misteret e artit.  Duke e lexuar këtë tekst, ne shohim sesi Camaj e shkruan platformën e poezisë së tij:

“Ka rrethana në jetën e njeriut që ky don me i harrue. Posa qet krye një këso ngjarjesh në kujtesën e tij, ai e ndrydh, për shpirt, për shpirt kishte me nxjerrë me gjithë rranjë prej fundit të zemrës, por s’ban! Papritmas kujtime te pakanshme mbijnë dikund ku as ndërmend nuk të shkon, shpesh si shfaqje negative, për shembull në marrëdhanje me të tjerët. Nëse kjo vetje do me harrue diçka është krijues, këto ngjarje të pakandëshme i shfaqen pavetdishëm në krijime te tij në letërsi, për shembull, ose në pikturë apo në tingull. Ky lloj arti del tepër i kapërthyem, por nëse asht art del në trajtën e vet të harmonishëm. Me zbërthimin e këtyne krijimeve artistike merren gjurmuesit, kritikët e bile tash së fundit edhe psikologët e aty këtu ndonjë gjuhëtar.

Unë nuk i përkas kësaj rigate njerëzish, as si krijues, as si gjurmus. Poezia ime rrjedh nga ato rrethana jete që unë due t’i kujtoj! Që, për shembull një:

Kam lindë në një vis të egër “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit”, kaq i thyeshëm asht ky vend.”

Camaj, nëpërmjet këtij teksti, shënon dhe nënvizon toposin tematik të poezisë së tij, që është humusi i tij kulturor[1]. Po ashtu, ai e shpalos edhe aspektin ontologjik të poezisë së tij, që lidhet me kujtimet e tij. Ndërsa shenjë tipologjike të artit të tij e nënvizon harmoninë si koncept estetik.

Poezia e Camajt kalon nëpër filtra: është imazh, mendim dhe bëhet gjuhë e bukurshkrim. Gjuha si materie shfaqet si shenjë identiteti dhe kulturë artistike. E figura shënjohet si mendim dhe ide. Dhe nga rrebeshi i kujtimeve për kohën e largët, në vendin e largët, ai krijon një art të harmonishëm, kategori kjo estetike që simbolizon të bukurën e të përkryerën. Gjitha këto shtresa, ndërveprojnë mrekullueshëm përbrenda sistemit të tij poetik që është autentik, dhe ku, referencialiteti e subjektiviteti shkrihen për mrekulli.

 

(Shkëputur nga një ese më e gjatë per KlaraBudaPost)

Së shpejti pjesa e dytë e kesaj eseje

[1] Arshi Pipa