Prishtina, 27 Janar 2016
Kur e lexojmë veprën tij letrare dhe politike, shohim se këto dy fusha, organikisht krijojnë një relacion autentik dhe si të tilla vihen në funksion të interesit të përgjithshëm, sepse Rugova i ideve politike, është Rugova i ideve letrare.
Ibrahim Rugova, në kohën kur u inkuadrua në jetën politike, ishte intelektual me zë dhe studiues i afirmuar i letërsisë.
Autori që në fillim shkroi poezi, shpejt iu përkushtua kritikës letrare, ku la gjurmë të pashlyeshme, ndërsa dy dekadat e fundit të jetës, gjendet në veprim politik, periudhë kjo kur udhëhoqi kauzën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë për popullin e tij të robëruar.
Rrugët e tij intelektuale e krijuese, u kryqëzuan me momentet politike të kohës, siç ishte rënia e ideologjisë komuniste në Europën Juglindore.
Ndërkohë që ideologji komuniste jepte shpirt, intelektuali i formuar në Paris, nxënës i Roland Barthes-it, për shkak të rrethanave shtrënguese – dhe jo ngaqë ushqente ndonjë afinitet për të, më 1989 gjendet në ballë të lëvizjes politike të kohës, të cilën do ta drejtojë deri në fund të jetës së tij, më 2006.
Në fakt, periudha para inkuadrimit të tij në politikë, karakterizohet me një veprimtari të rëndësishme letrare, veçanërisht në fushën e kritikës dhe studimeve letrare, ku ai shfaqi shenja të dallueshme të intelektualit të madh.
Rugova që në librin “Kah teoria” (1978) shkruante për transformimin e nevojave shpirtërore në shoqëri, mirëpo ato atëbotë synonte t’i ndihmonte dhe realizonte nëpërmjet rrugëve të letërsisë. Në Prishtinë, që atëbotë u bë qendër e kulturës dhe dijes, ai u bë prijetar i ideve letrare e kulturore bashkëkohore.
Ndërsa te libri tjetër me shumë ndikim, “Refuzimi estetik” (1987), veçanërisht tek eseu me të njëjtin titull, Rugova do ta shpalosë më qartësisht platformën kulturore dhe qëllimet e tij letrare, në funksion të transformimit të nevojave shpirtërore, të cilat dëshironte t’i sendërtonte nëpërmjet rrugëve të letërsisë. Sepse besonte te letërsia dhe fuqia e saj për të ndikuar dhe ndihmuar këto transformime.
Rugova qe i vetëdijshëm se përmes refuzimit estetik, letërsia ndikon në vetëdijen kulturor të kohës, e kjo në vetëdijen dhe aksionin politik, apo të pushtetit, prandaj misioni i tij qe një binom i pashkëputur: kulturë e politikë. Rugova ishte i bindur se sa herë që politika e refuzon letërsinë, ajo përmes refuzimit estetik dhe realizimit të qenësisë së vet, e refuzon politikën. Duke shtjelluar idetë e tij, ai shtoi: “pushteti më i mirë ka dalë ai pushtet që nuk e ka kufizuar apo që nuk i është mbivënë letërsisë.” Duke e zhvilluar tezën e tij për refuzimin estetik, Rugova iu rikthehet marrëdhënieve mes artit dhe politikës. Dy fushat, edhe pse në kundërshtie, janë pjesë e interesit të përgjithshëm, si res publica, mendon autori.
Ndërsa me monografinë “Vepra e Bogdanit” (1982) autori e shënjoi botërisht identitetin e tij kulturor e shpirtëror dhe lidhjen organike e të pashmangshme me traditën dhe civilizimin oskidental, ku aspironte ta rikthente popullin e tij pas shkëputjeve të gjata shekullore.
Studimi i tij për veprën e Bogdanit, patriarkun e letërsisë shqipe, është thesar për kulturën letrare shqiptare dhe një vepër e madhe që hapi shtigje për të njohur më mirë këtë autor, por edhe kontekstin kulturor të kohës. Me këtë vepër, Rugova ndikoi që ky korpus letrar- si tërësi- të lexohet dhe interpretohet si letërsi e mirëfilltë artistike dhe jo si korpus me vlerë gjuhësore, tendencë këto synonin ta reduktonte vlerën e kësaj trashëgimie vetëm në planin gjuhësor.
Në fakt, më vonë kur do të inkuadrohet në politikë, jeta e Bogdanit do të bëhet model dhe frymëzim për veprimtarinë e tij të mëvonshme politike.
Ibrahim Rugova, formimin parësor e kishte kritik i letërsisë. Ai ishte njohës i shkëlqyer i dijeve bashkëkohëse dhe problemeve të mprehta që shtronin atëkohë dijet për artin dhe letërsinë.
Rugova ndërtues i Kosovës
Dijetari Ernest Koliqi, në tekstin “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë”, shkruante me një vendosmëri prej eruditi: “De Rada (1814-1903), Naim Frashri (1846-1900) dhe Gjergj Fishta (1871-1940) mund të konsiderohen me plot arsye ndërtuesit e Shqipërisë së sotme.”
Një autor që i mungon këtij triniteti, por që mund të quhet me të drejt ndërtues i Kosovës së sotme, është Ibrahim Rugova.
Koha, si gjykatësja ma e paanshme dhe ma drejtë, i jep të drejtë pohimit të Koliqit. Sepse kultura shqiptare, me tiparet shënjuese nacionale, më tepër se nga çdo kush, u mbrojt dhe u kultivua nga shkrimtarët. Ndaj, ka të drejtë dijetari i madh Eqrem Çabej, kur si tipar të letërsisë shqipe shënjon ngjyrën politike të shkrimtarisë. Më tutje Çabej shkruan: ”Poetit si një prisi shpirtëror i ka rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullit nacional, atij këtu i është duhur shpeshherë të ndërrojë pendën me pushk.”
Shkrimtarët shqiptarë, në gjitha periudhat e zhvillimit të letërsisë shqipe, qenë njëkohësisht krijues të kulturës kombëtare, por edhe hartues të platformave për çlirim, pavarësi dhe emancipim, vlerësojnë njohës të shumtë të letërsisë shqipe.
Atyre iu kërkua që shpeshherë të linin librin dhe të viheshin në aksion. Ibrahim Rugova, në vazhdën e një kulturë të trashëguar para tij, e bëri një gjë të tillë.
Aksiomë e politikës së tij qe intelektualizmi, mirëpo ai aktiv, jo i mbetur përbrenda kabineteve akademike. Në këtë mënyrë, me idetë e tij kulturore e politike, i dha një dimension intelektual e moral politikës. Përkitazi me këtë, ai pohoi shprehimisht: “E dini, intelektualët kanë vetëm dy rrugë, të mbetën te libri apo të rrëmbehen nga veprimi. Sepse unë jam nga ai lloj i intelektualëve që nuk pret të vijë diçka vetë.”
Kultura dhe shkrimi shqip, në kohën kur krijoi dhe veproi Rugova, bënte përçapjet kah idetë bashkëkohore, meqë deri atëherë ishte “në shërbim të idesë kombëtare.” Mu për këtë arsye, autori këtë mision- me veprime politike dhe intelektuale- dëshironte ta nguliste në vetëdijen dhe në identitetin e shqiptarëve. Duke e shndërruar në kulturë politike.
Përgjatë viteve të tij të angazhimit politik, ai vazhdonte t’i shprehte idetë e tij për interesin e përgjithshëm, duke i përzier ndjeshmëritë prej letrari e politikani, në funksion të mirës së përgjithshme.
Rugova mes letërsisë dhe politikës
Ibrahim Rugova, siç e përmendëm mësipërm, para se të ishte politikan, qe njeri i përkushtuar ndaj letërsisë e librit. I apasionuar veçmas ndaj traditës dhe vlerave letrare, ai lexonte dhe e vlerësonte leximin. Ai shkruante dhe e vlerësonte shkrimin. Ai përsiaste për tema e fenomene kulturore- letrare, dhe nëpërmjet tyre e jetësonte vizionin e tij prej intelektuali.
Për sa kohë qëndroi pranë librit, nëpërmjet tij nxiti idetë progresive, duke synuar kulturimin e gjithmbarshëm, ndërsa këtë mision, i shtytur nga rrethanat, e vazhdoi në politikë, me metoda tjera, por asnjëherë duke u shkëputur nga burimi: libri si dije dhe kulturë. Sepse ai besonte se: “karakteri apo natyra e letërsisë dihet që prej kohësh: ajo përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më burimore, autoktone në raport me botën dhe njeriun.” Ndaj, ishte e kuptueshme para kultit të fjalës, ai ishte shumë i kujdesshëm dhe tejet njerëzor.
Pa mëdyshje, intelektuali meditans, s’mund të rrinte pranë librit, kur e shihte si rrezikoj Kosova e tij në kohën kur një sistem i pështirë ideologjik jepte shpirt. Për këtë arsye, vihet në aksion. Ai, siç do të thoshte, në këso situatash intelektuali kishte dy zgjidhje: të rrinte pranë librit apo të dilte në aksion.
Me librin dhe shkrimin si udhërrëfim, u bë politikani më i kulturuar i botës moderne shqiptare. Ndërsa, me tagrin e dijetarit të prier nga përgjegjësia dhe ndërgjegjja e lart, e injektoi politikën me etikë dhe kulturë. Me këtë vizion human e kulturor, ai shpërtheu në diplomacinë e jashtme, mu pse nuk ishte politikan i sterotipeve retorike primitive, çfarë kishte prodhuar Ballkani i tij nëpër vite. Me vizionin dhe qasjen e tij, e fitoi vëmendjen e botës së përparuar dhe u admirua dhe vlerësua kudo.
Karakteristikat dhe shenjat dalluese të veprimtarisë së tij të bujshme letrare, janë qartësia në ide dhe mendime, si dhe të shkruarit me objektivizëm të admirueshëm. Tekstet e tij letrare, shquhen për thellësinë e mendimit, ndërkaq analizat e tij i karakterizon një qasje e disiplinuar letrare dhe një frymë moderne e komunikimit me tekstin letrar; format ky i kritikut që sot i mungon letërsisë shqipe. Si kritik letrar, ai shkruante për dukuri letrare, duke qenë shpeshherë nismëtar. Në këtë kontest, duhet pohuar veçmas roli dhe kontributi i pazëvendësueshëm në studimin e letërsisë së vjetër shqipe në tërësi, si dhe veprës së Pjetër Bogdanit, në veçanti.
Rugova, me dijen e akumuluar në Parisin e kulturës, iu dha shtytje të njëmend zhvillimeve letrare shqiptare. Letërsinë e lexoi në tërësi dhe jo të fragmentuar. Ndërsa përmasën estetike të saj e kundronte brenda konceptit estetik të së bukurës që gjallon nëpërmjet gjuhës së kultivuar. Ajo refuzonte mundësinë që letërsia të interpretohet sipas parakoncepteve ideologjike përjashtuese. Në këtë mënyrë, i dha hov pozitiv zhvillimit të kulturës shqipe dhe sidomos studimeve letrare.
Rugova letërsinë e lexoi në thellësi dhe si dukuri estetike e semantike. Ai bëri përpjekje të dallueshme për të kategorizuar dhe për të ndërtuar një hierarki në letërsinë bashkëkohore shqipe. Në librin “Strategjie e kuptimit” (1980), me saktësi dhe pedanteri prej studiuesi, shkroi në përkim me mësimet se kritika është shenjë e mendjes së pjekur. Ai, kësisoj, mbetet nga të rrallët që pati guximin intelektual, t’ia thoshte njeriut të letërsisë dhe opinionit letrar, mendimin studioz për një libër apo për një autor. Rugova s’ishte nga ata kritikët dogmatik të letërsisë, të cilët, mbushin tekstet me epitete dhe vlerësime për miq. Ai e kundronte letërsinë si art të së bukurës dhe vetëm ashtu e interpretonte.
Rugova në fushën e letërsisë shquhet për prurjet të veçanta e origjinale. Tekstet e tij nuk janë dosido shkrime, por referenca domethënëse dhe cilësore që kanë ndihmuar dhe avancuar letërsinë shqipe.
Rugova misionar
Rugova në politikë hyri me detyrën e një misionari. Gjatë jetës së tij politike, ai pati dy misione: ta lironte popullin e tij nga kthetrat e Serbisë dhe ta rikthente në gjirin e familjes europiane, prej ku ishte shkëputur padrejtësisht. Në funksion të këtij misioni, ai krijoi marrëdhënie me aleatët e Gjergj Kastriotit- filozofi kjo të cilën ai e ndoqi në çdo hap të jetës së tij, ndërkohë që Nënë Tereza dhe Papa Gjon Pali i II-të do të zënë vend të përhershëm në zyrat e tij.
Intelektual me vetëdije të mbrehtë historike, njohës si rrallëkush i kulturës autentike shqiptare dhe asaj perëndimore, ai e riktheu Dardaninë Antike në epiqendër të diskursit të tij politik dhe të njëjtën e shndërroi në kauzë politike.
Politikën nuk e pati vokacion, por thirrje- mision në funksion të sendërtimit të Kosovës kulturore që me kohë u shndërrua në platformë politike. Ndaj, iu dashtë ta rindërtonte bashkimin shpirtëror të shqiptarëve të Kosovës, në hollinë e një kaosi ideologjik e identitar që po perëndonte. E filloi me refuzimin estetik ndaj të keqes dhe paralelisht u përpoq ta krijonte modelin autentik të Kosovës, me shenja e figura që buronin nga kultura kombëtare, të cilën e njihte mjaft mirë.
Misteri i suksesit të tij, ajo nyja nevralgjike që e bëri atë të fitoi epitet të admirueshme ane e kënd botës së përparuar, qëndron te fakti se ai qe politikan i atipik. Premisa mbi të cilën e formësoi politikën e tij qe pikërisht kultura, e cila u bë pikënisja prej ku filloi jetësimi i platformës së afirmuar: liri, demokraci e pavarësi.
Letrari meditans, me këtë vizion, krijoi terren të mjaftueshëm për të ushtruar ndikim e tij politik e kulturor në Kosovë dhe më gjerë.
Rugova si politikan ishte formuar nga idetë kulturore nga dhe jo duke ndjekur instruksionet e ndonjë ideologji të pastër politike, siç bëjnë zakonisht burrështetasit. Ndaj, ai besonte në unitetin kulturor, më shumë se në atë politik. Për këtë arsye, kërkoi me ngulm që të shpaloseshin rrënjët e identitetit të lashtë Dardan, ku kërkonte gurthemelin për të ndërtuar ngrehinën e tij politike e kulturore: Kosovën e pavarur, demokratike dhe të integruar në strukturat euro-atlantike.
Ai e nisi rrugëtimin politik, duke e sfiduar një regjim hegjemonist, me armët e vetme: kulturën dhe paqen.
Rugova në politikë hyri me besim të patundur te kultura, ndaj asaj i solli risi, të cilat mbeten trashëgimi e pasur për të ndërtuar Kosovën e stome dhe të nesërme. Politikës i solli botëkuptimin e munguar të kulturës. Me qasjen ndaj politikës, hapi horizonte të reja për Kosovën, çështjen e së cilës ngriti aty ku aspironte populli: në Europën oskidentale, sepse ai pohonte me vendosmëri se provenienca kulturës së Kosovës dhe e shqiptarëve ishte oksidentale.
Në domenin e politikës, Rugova vinte në skenë pa ndonjë trashëgimi politike të pasur, të cilën ia vlente ta ndiqte. Ai mori drejtimin e Kosovës, në kohën kur ajo përballej me politikën hegjemoniste serbe. Ai asnjëherë s’u përkul para “parimeve” të ulëta që ka përcaktuar politika shqiptare ndër vite. Si vizionar dhe projektues, ai shihte matanë perdeve të errëta politikës së ditës.
Dhjetë vjet pas vdekjes
Tanimë kur bëhen dhjetë vite nga ikja e tij në amshim, koha, si gjykatorja ma e mirë e historisë, po e vë atë në krye të Olimpit të politikës dhe kulturës shqiptare. Po e nxjerrë nga llogore ku tentuan ta fusin cenet dhe shpirtngushtësia njerëzore; ku tentuan ta fusin armiqtë politikë e smirëzinj, që s’mund të rriteshin nën hijen e tij. Sepse ai ishte i madh dhe iu bënte hije të tjerëve. Ai, punën prej politikani, e bëri me heshtje dhe me filozofi të epërme. Në këtë mënyrë, triumfoi mbi gjithë. I mposhti gjithë. Pa zhurmë. Pa pezëm, por me mençuri e moral të lart.
Dhjetë vite pas, koha po dëshmon se Rugova është tamam si vera: sa më shumë kalojnë vitet, aq ma i vlefshëm bëhet. Po e duan, admirojnë dhe imitojnë edhe armiqtë e tij të përbetuar politikë.
Rugova ishte patriot i kultivuar dhe patriotizmin e kishte virtyt dhe jo qëllim, siç ka ngjarë shpeshherë me politikanët në Ballkan.
Po, koha po e dëshmon se Ibrahim Rugova ishte politikan i ditur, tjetërfare nga ç’jemi mësuar t’i shohim këndej pari: të cektë e mendjeshkurtër. Ai ishte politikan dhe intelektual me sqimë krejt të veçantë dhe me një vizion të përhershëm e human politikën, sepse ai nuk ndiqte një kauzë personale.
Vepra e tij kulturore e politike, është pasuri për të gjithë ata që aspirojnë përparimin, dhe një udhërrëfyese sesi ecët dinjitetshëm krahpërkrah me popujt e qytetëruar.
Ibrahim Rugova, kolosi i Kosovës, siç shkroi At Zef Pllumi qe “nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit”, vendit të tij dhe kulturës shqipe i dha shumë në domenin e politikës dhe letërsisë, sipas parimit të njohur si Res Publica.
(Ky tekst është botuar te libri, Kujtesa e Rugovës, Fondacioni Ibrahim Rugova, 2016)