Kostumi

– E kupton që nuk e kam përqendrimin shpirtëror të vesh kostum? Edhe po ta vesh, mendimet e thella do të m’i ngrenë flokët përpjetë dhe rrudhat e ballit nuk do të shtendosen. Fytyra ime do të jetë po aq e shqetësuar, dyshuese dhe e zemëruar, njëlloj sikur vesh rroba të zakonshme. Veç një herë e kam merituar kostumin në jetën time. Ah, më fal, harrova. Kostumi më ka hije dy herë në jetë…

Rezart Palluqi
Colette Sidonie-Gabrielle, Colette, 28 January 1873 – 3 August 1954

New York, 18 mars, 2016

Kam qenë, jam e do të jem përkrahës i idesë se bota e brendshme dhe e jashtme e njeriut duhet të jenë në harmoni, ndaj dhe nuk pranoj të vesh kostum. Mendja ime është si një arë gruri e shpartalluar nga harabelat. Truri i poetit dhe i artistit është mjeku i premtimeve apo i fjalëve të tradhtuara. Kështu që mendja ime  në këtë rast, kurrë ose rrallëherë mund të jetë aq e çliruar dhe e rrafshuar si stofi i bukur dhe i hekurosur i kostumit.

Merrem 24 orë në ditë me fjalët e tradhtuara, i mjekoj plagët, i ngushëlloj. Prandaj edhe refuzoj t’ia plotësoj dëshirën bashkëshortes sime, që më kërkon shpesh të ngjishem në kostum.

– E kupton që nuk e kam përqendrimin shpirtëror të vesh kostum? Edhe po ta vesh, mendimet e thella do të m’i ngrenë flokët përpjetë dhe rrudhat e ballit nuk do të shtendosen. Fytyra ime do të jetë po aq e shqetësuar, dyshuese dhe e zemëruar, njëlloj sikur vesh rroba të zakonshme. Veç një herë e kam merituar kostumin në jetën time, – i them i vendosur gruas.

– Mos më thuaj, se kjo ishte dita kur u martuam?-më pyet ajo.

– Pikërisht. Ditën e dasmës bota ime e brendshme u shkri në një me të jashtmen. Atë ditë poezinë e dhimbjen njerëzore arrita t’i përkund e t’i vë në gjumë dhe zemra e truri m’u bënë kapaku e tenxherja e njëri-tjetrit. Ah, më fal, harrova. Kostumi më ka hije dy herë në jetë…

Muza ime, fytyrëlëkurëregjur, me trup të lidhur si të një peshëngritësi, m’i nguli sytë e bukur ngjyrë vjeshte me kërshëri, por edhe  me drojë.

– Kostumi, ah, ai kostumi i zi më ka hije edhe kur të gremis sytë. E të them të drejtën, bota ime e brendshme, e vdekur, e nxirë nga tymi sterrë i botës, do të jetë po aq e zezë sa stofi i kostumit.Vetëm atëherë kostumi do më bëjë hije të rrallë, si brenda, si jashtë njëlloj, e kupton?!

– E di që po më tremb kohët e fundit? Ajo dreq letërsie… Kush e shpiku xhanëm! Është bërë burri si i lajthitur. Flet me veten! E sheh si të janë nxirë sytë? Ç’dreqin më ra në hise të martohem me një shkrimtar! – shfryn ime shoqe.

Shoh në sytë e muzës sime dy pika lot. Muza,  mendjekthjellëta ime ka pirë boll diell në arat e mbjella të fshatit ku lindi. Diellin ajo e ka vështruar pingul e jo tërthorazi, ndaj për të 2+2 bëjnë 4. Atë e drejton inteligjencia praktike në çdo hap.

– Mendo prag e përbrenda! Portofoli plot, zemra gjithashtu…- më qorton ajo rregullisht.

Në vend të përgjigjes këpus një gjethe tulipani të larë me vesë holandeze dhe i fshij lotin. Atë çast kalon përbri nesh një djalosh autik. Ai qesh pa pikë meraku, shtrembëron buzët pa arsye (jo si unë, që i përvesh buzët nga mendimet, të cilat kërkojnë rrugëdalje) dhe e tret vështrimin pa ndrojtje në sytë e mi. Shikimi i tij është po aq naiv e i sinqertë sa drita e diellit. Drita e tij nuk mendon gjatë, nëse depërton në shtëpinë e një krimineli apo artisti. Djali pasqyron fuqishëm dhe realisht në fytyrë botën e vet të brendshme. Buzëqeshja e tij e pastër, edhe pse vizatohet në atë fytyrë disi të deformuar, rrezaton  bukuri e çiltërsi. Ai u buzëqesh të gjithë njerëzve, pa u menduar nëse ata janë miqësorë apo armiqësorë me të.

– Kostumi përputhet bukur edhe në trupin e këtij djalit… – i them gruas.

– Këtij torollakut?!

– Thashë, këtij djalit.

– Zemër, po më shqetëson. Nuk je i lumtur me mua?- shton gjithë ankth ime shoqe.

Përpiqem t’i sqaroj muzës time, se mendimet tronditëse të këtij mëngjesi, siç i formulon ajo, nuk kanë të bëjnë me lumturinë, me sjelljen dhe me dashurinë e saj ndaj meje.

Këpus dy tulipanë dhe nxitoj t’i jap njërin adoleshentit autik, ndërsa tjetrin muzës sime.

– Do të përpiqem të të dhuroj vazhdimisht lule, por mos më kërko të vishem me kostum. Ma premton këtë!- këmbëngul unë.

Djali me kufizime mendore, i gëzuar dhe i emocionuar nga gjesti im romantik, m’u hodh në krahë. U ndjeva për pak sekonda po aq i lumtur sa ai. Ato pak çaste përfytyrova veten time të veshur me kostum…

 

 

Holandë, prill 2013

Botuar nga klarabudapost për herë të dytë, botimi i parë Poeteka