New York, 20 shkurt 2016
Tetëvjetori i Pavarësisë së Kosovës u festua si çdo vit me bujë në New York. Mark Gjonaj, asamblemani i New Yorkut dhe mbështetësi amerikan Eliot Engel ishin aty, mes shqiptarëve të pranishëm si atëhër kur Kosova ishte nën terrorin serb.
Po a nuk e dinin ata shqiptarë e amerikanë se parlamenti i Kosovës ishte bërë shesh proteste?
Diapora shqiptare e ndjek nga afër Kosovën sikurse ndjek Shqipërinë dhe Shqiptarët kudo ku janë në Maqedoni, Mal të Zi apo në Kosovën lindore: Preshevë e Bujanovç, por ata këndonin e kërcenin për të mos e prishur “dasmën”!
A nuk e ka zakon Shqiptari të mos e prishë dasmën!
I zoti i shtëpisë vendos ta nxjerrë nusen siç i ka hije nuses dhe pastaj ta varrosë gjëmën, sic i ka hije gjëmës! E ndaj ata festuan sikur asgjë të mos kishte ndodhur pa çka se shteti i Kosovës dhe demokracia e brishtë aty janë të kërcënuara nga politikanët e papërgjegjshëm që pretendojnë se e duan demokracinë por flirtojnë me monarkinë. “Fronin” që ua jep populli nuk e leshojnë më, duke e marrë peng demokracinë.
E kundërta ndodh në demokracitë perëndimore. Kur humbin besimin e popullit, edhe kur janë të sigurtë në vetvehte se nuk kanë asnjë mëkat, edhe në këtë rast, politikanët japin dorheqjen. Nëse nuk kanë bërë abuzime e drejta herët a vonë do të dalë dhe ata do ta ri-fitojnë besimin e humbur, por deri atëher nuk kanë rrugë tjetër vecse të tërhiqen. Ata nuk barakadohen për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, siç ndodh rëndom në trojet tona.
Pa dashur të bëj gjykatësin dhe aq më pak atë që i di të gjitha dhe për ta relativizuar situatën e për ti dhënë një zë të gjitha korrenteve edhe atyre që nuk kanë pozicion mbi këtë temë, po e mbyll me një poezi, shkruar në këtë okazion nga Ndue Ukaj, që e vlerësoj për trendin dhe finesën: “Sheshi është rrëfim i pakryer/Që atëherë kur turma shtroi lule/Për Krishtin që hyri triumfalisht n’ Jerusalem/Dhe e njëjta t’ nesërmen e kryqëzoi/Sheshi është rrëfim i pakryer…”
Zgjedhja e presidentit duhet të jetë nje akt gjithperfshirës, ndaj në demokracitë perëndimore shumica e thjeshtë nuk mjafton, në shumë prej vendeve europiane, zgjedhja e tij bëhet me votim të përgjithshëm.