“Kloroform” – një roman i shkruar pa tabu

Shkrimtarja Klara Buda, romanin e saj “Kloroform” e ka paraqitur dje edhe në Prishtinë. Në kafe-librarinë Dit’ e Nat’, ku ishte e pranishme edhe autorja, shkrimtarë nga Kosova, përfaqësues të medies e artdashës të tjerë, u përurua vepra, që siç u tha, thyen shumë tabu të botës shqiptare.

| 05-05-2010 11:11

Ragip Sylaj
Augustin Palokaj Klara Buda Beqe Cufaj ne librarine Dit’ e Nat’

Shkrimtarja Klara Buda, përveç përvojës tjetër shumë të pasur në karrierën e saj jetësore, që nga viti 2006 është shefe e shërbimit të gjuhës shqipe në “Radio France Internationale” RFI (Paris, Francë). Së këndejmi do nënkuptuar se Klara Buda jeton në Paris, por edhe në Tiranë e Prishtinë. Një referues tjetër për punën krijuese të saj, publicisti Augustin Palokaj jeton në Bruksel, por edhe në Zagreb e në Prishtinë. Jo rastësisht, Klara, autorja e romani, por edhe vetë Cufaj që jetojnë në këtë trekëndësh, deshën ta thyejnë monotoninë apo anën skematike të paraqitjes së librave të rinj.

Për kolegun e autores, shkrimtarin dhe publicistin Beqë Cufaj, edhe vetë emri i librarisë flet shumë për Prishtinën. Dit’ e Nat’, sipas tij do të nënkuptohej edhe si fakt se Prishtina nuk pushon asnjëherë: as ditë, as natë.

Publicistën, gazetaren, shkrimtaren, por edhe veprimtaren e çështjes shqiptare në Francë, Klara Buda, Augustin Palokaj e prezantoi nëpërmjet njohjeve së ndërsjella, që nga viti 1995, kur në Londër punonin për BBC. Ndonëse edhe më herët ishin njohur nëpërmjet kronikave e teksteve të shkruara, Palokaj tha se duke qenë edhe shkrimtarë Buda e Cufaj ruajnë në gazetari një stil të këndshëm. Idenë se Klara (që kishte studiuar veterinën) do të shkruante një libër, sipas Palokajt ishte mjaft befasuese dhe fillimisht kishte menduar se ajo ndoshta do të mund të shkruante një roman të tipit “Ferma e kafshëve” (Xhorxh Oruell). Më pas, ky referues foli edhe për relacionet Kosovë-Shqipëri. Të larguarit nga vendi, si edhe rasti i Klarës, zakonisht ruajnë një dozë më të madhe nacionaliteti. Në këtë kontekst ky referues foli edhe për relacionet e tij me Kosovën e me Shqipërinë dhe zhdukjen e paragjykimeve e të mosnjohjeve të tjera. Kjo, sipas Palokajt mund të bëhet edhe nëpërmjet shembujve të mirë, nëpërmjet respektimit të së drejtës për t’u shprehur. Kështu, andaj, do parë edhe integrimet evropiane.

“Në integrimet evropiane do të mund të futemi kur t’i heqim tabutë. Kjo ndodh edhe me romanin e Klarës”, theksoi Palokaj. Sipas tij, qytetarët e Europës popujt e Ballkanit nuk do të duhej t’i shikonin si të ndryshëm, ashtu sikurse qytetarët e Ballkanit nuk do të duhej t’i shikonin si të ndryshëm qytetarët e Europës. Por qytetarët e këtyre anëve të Europës, siç thuhet gjithnjë e më shpesh, do të duhej të bashkoheshin në dallime (diversitete).

Më pas referuesi Palokaj foli edhe për rolin e Klarës në sensibilizimin e opinionit francez për dhunën që ushtrohej në Kosovë, me qëllim që të ndryshohej qëndrimi ndaj Kosovës. Kjo sepse, ajo e ndjenë dhe e do Kosovën po aq sa Shqipërinë. Së këndejmi, sot Franca mund të thuhet se është vendi i tretë mik ndaj Kosovës.

Me këtë rast autorja falënderoi referuesit dhe të pranishmit e tjerë, ndërsa më pas u zhvillua edhe një bashkëbisedim.

Original language of this paper is Albanian