“Kloroform”, një normë model e psikanalizës në proze

“Romani ka një strukturë moderne, me një formë narrative të veçantë, ku përdoret prosede-ja “rryma e vetëdijes” (stream of consciousness).  Përdorimi i kësaj forme narrative, në romanin “Kloroform” vjen si risi, pasi ajo përveç se për të shprehur monologun e brendshëm, përdoret edhe për të shprehur atë pjesë që i mungon dialogut mes personazheve e që ngelet në stadin e të menduarit, pasi autocensurohet.

Original language is Albanian

Fatmir Terziu

Libri “Kloroform” i autores Klara Buda është ndoshta romani i parë i kësaj autoreje me formim të gjerë intelektual dhe krijues, por dëshmon hapin e saktë dhe domethënës në fushën e prozës shqiptare. Romani paraqet një psikanalizë të fortë të një ndërthurjeje midis perceptimit dhe njohjes, midis hapësirës dhe kognicionit, duke krijuar kështu një vëmendje të ndjeshme ndaj tij. Kjo prozë zbulon dritëhijet e diktaturës komuniste, në një mënyrë krejt tjetër, në një rrugë të pashkelur më parë, dikton këto dritëhije që në mënyrë tinëzare ndëshkuan jetën e pafajshme femërore në emër të moralit komunist dhe rënduan mbi fatin e femrës. Ky roman nuk është një rrëfim i thjeshtë historik, as edhe një dëshmi jetike, por një metamorfozë e qetë psikologjike e jetës, më qartë, është një protestë shpirtërore që tejzgjatet në mënyrë filozofike mes tolerancës dhe faljes, virtytit dhe moralit, fatit dhe jetës. Është një prozë që udhëton vite pas për të ndërtuar fatin e privuar dhe të ndëshkuar të femrës në diktaturë, jo thjesht si një fabul, por si një dëshmi e padiskutueshme për kohërat. Romani është edhe një vështrim femëror mbi botën shqiptare, atëkohë maçiste, falë syve modernë por jo feministë. Këtu do të shkonte mrekullisht ajo që Oscar Wilde ka deklaruar te romani i tij “Admiruesi i Zonjës Windermere” (Lady Windermere\‘s Fan). Dhe pikërisht ai deklaron se “mjaft femra kanë të shkuarën e tyre, por unë jam i vendosur se ajo me këtë të shkuar na paraqet një duzinë mendimesh dhe se ato të gjitha janë të arsyeshme”. Kështu bën në fakt edhe Buda në romanin e saj të parë. Romani trajton një numër temash tabu: që nga dashuria e ndaluar, homoseksualizmi dhe morfinomanët që nuk ekzistonin në statistikat zyrtare, duke u përpjekur të hetojë deri në caqet ku kishte arritur diktatura, pa kursyer asgjë, madje as edhe intimitetin e njerëzve. Romani ka një strukturë moderne, me një formë narrative të veçantë, ku përdoret prosede-ja “rryma e vetëdijes” (stream of consciousness). “Romani ka një strukturë moderne, me një formë narrative të veçantë, ku përdoret prosede-ja “rryma e vetëdijes” (stream of consciousness).  Përdorimi i kësaj forme narrative, në romanin “Kloroform” vjen si risi, pasi ajo përveç se për të shprehur monologun e brendshëm, përdoret edhe për të shprehur atë pjesë që i mungon dialogut mes personazheve e që ngelet në stadin e të menduarit, pasi autocensurohet. Kjo pjese e pashprehur e dialogut, por që mendohet nga personazhet  jepet topografikisht në tekst me shkronja korsive… Duke udhëtuar me frymëdihatje të shtrënguar mes emocioneve që të përkthehen herë në lot e herë në inat njerëzor, mes faqeve të romanit natyrshëm e ndjen edhe distancën epike të rrëfimit. Buda e shoqëron këtë distancë me një kërshëri të bollshme njohurish që vijnë në formën jolineare të ndodhisë, për të ngushtuar ndjeshëm hapësirën dhe vitet që i përkasin më së shumti periudhës 1970. Këtu autorja shfaqet në funksion të dyfishtë. Ajo shfaqet e qetë në rolin e narratorit neutral dhe të papërzier, që tregon mjeshtërisht ngjarjet e romanit… Heroi kryesor i romanit, edhe pse një femër, të cilën e njohim nga kornizat e saj krijuese, jo vetëm nga ligjësitë letrare, ndryshon në thelb, jo vetëm sipas modulit të letërsisë, nga një hapësirë në një tjetër, por nga mesazhi, emocioni dhe vetë fabula që e rrethon dhe e shoqëron deri në fund. Teorikisht, Alma Fishta, është një lidhje e detajuar e pjesëve të veçanta të romanit, duke kryer edhe fuqizimin e motiveve dhe njësive të tjera të fabulës që ka prurë fuqimisht në mesin e letërsisë shqiptare një autore si Klara Buda, me formim perëndimor.

Gazeta Shqip, 11-14 – 2009