Kloroform – Një libër që trondit
Shënime Lexuesi
1.
Sa e trishtë të shohësh ngjarjet që ndërthuren në të, por njëkohësisht sa i çmuar ky libër për ata që nuk i kanë jetuar vitet ” e vajzërisë sonë të vjedhur “. Kloroform-i yt është një rrëfim i fuqishëm.
Mes asfiksisë që përshkruan, pata edhe çaste ku buzëqesha nën zë – koncerti folklorik i barinjve më solli ndër mend vitet e konviktit, kur ne, nxënësit e shkollave të mesme në vitet ’80, na çonin të organizuar në opera dhe koncerte simfonike. Duartrokitjet niseshin që në akordimin e veglave muzikore :-). Një përvojë e detyruar, por për të cilën, deri diku, ndihem mirënjohëse, sepse na ngjalli dashurinë për muzikën klasike (ndoshta jo të gjithëve :-)).
Ka edhe faqe që mbushen me lot dhe zemërim. Si mund të mos mendoj për shoqen e klasës nga vendlindja, S.M., e cila humbi jetën në kasapanat ku i dërgonin vajzat “mëkatare”, si Alma?
Dhe sa revoltë ndjeva kur lexoja debatet mbi vendosjen e bokalit dhe uterus-it! Një temë sa e dhimbshme, aq edhe aktuale, që ende na ndjek, ku të drejtat e grave vazhdojnë të kërcënohen, ku ende u imponohet çfarë duhet të bëjnë me trupin, vaginën apo uterusin e tyre :-(.
Por në faqet e fundit, një zgjim plot shpresë – dalja nga “anestezia” që na kishte përgjumur për kaq gjatë. Një anestezi që na ka deformuar e përçudnuar optimizmin, pafajësinë, shpresat, dashurinë, ëndrrat.
2.
Nuk i kam përjetuar personalisht deri në tmerret më ekstreme – pjesërisht ngaqë isha e mbrojtur, por edhe jo pak për shkak të një indoktrinimi të verbër deri në një farë moshe. (Nuk kam asnjë kompleks në pranimin e të metave të mia – pa njohur veten në tërësinë e vlerave dhe antivlerave, nuk mund të ndryshojmë për mirë.) Por fakti që nuk e kemi përjetuar personalisht çdo dukuri apo ngjarje, nuk do të thotë se e shkuara nuk duhet parë, dëftuar apo shkruar – dhe kjo me gjithë vlerat e antivlerat e saj, realen dhe absurden, dramat nga më qesharaket tek më të dhimbshmet, momentet e gëzimit, shpresës, zhgënjimit, frikës, tmerrit, konfuzionit.
Çdokush është i lirë të zgjedhë qëndrimin ndaj të shkuarës – qoftë përbuzje, urrejtje, injorim apo adhurim. Nuk mund të ndryshojmë të gjithë njerëzit, por ajo që më trondit më shumë është indiferenca dhe heshtja, mungesa e kurajos për t’i bërë ballë të shkuarës në të gjithë përmasat e saj.
Si një shembull qesharak deri në dhimbje, po sjell rastin e tre shoqeve të mia, dy prej të cilave motra e mike përjetësisht. Prindërit e tyre u sollën urgjentisht nga Shkodra e Kuçova për t’i “gjykuar” për sjelljen e “pahijshme” të vajzave të tyre: largimin nga studimi në mensën me kapacitet 400 persona – ose ndoshta nga klasa, nuk më kujtohet mirë – për të shkuar në kinema!
Përjashtoheshe nga shkolla sepse dëgjoje Beatles apo Hit Parade; sepse shkoje pa leje në estradë; humbje vitin shkollor sepse nuk dilje mirë në qitje! Merrje vërejtje sepse shkoje në pastiçerinë e lagjes; të thërrisnin “kurvë” nga dritaret e konviktit sepse merreshe me sport!
Shpesh, këto histori, që në dukje duken banale e pa tronditjen që shkaktonin ngjarjet më dramatike, ishin ato që na bënë të tkurreshim e të mbylleshim në atë që ti e quan “kafazin e diktaturës”. Për disa, këto “banalitete” u shndërruan në dramë dhe terror. Për të tjerë, në një vetëgjumje dhe letargji për të mbijetuar.
Por jo për t’u harruar e mos kujtuar. Sepse, nëse ndodh kjo e fundit, rrezikojmë t’ua bëjmë peshqesh brezave të ardhshëm!
Faleminderit