Kënga e kohës që ec si re nordike​

Do të shkruaj poezi

Për ato që i shoh
Edhe për ato që s’i shoh
Për damkat e kohës
Dhe sytë e saj të errët
Për dashuritë e çmendura
Dhe ato të zakonshmet.
Ndue Ukaj
Penduli i Foucault-së Museu “Art et Metiers”, Paris

Do të shkruaj poezi edhe për ty
Për dashurinë tënde
Madje edhe për xhelozinë tënde
Edhe për ato që s’i njohe
Ditë e natë kur dhembjet e tua
Pëlcasin bashkë me qiellin.

Do të shkruaj poezi
Edhe për klithmat e mia
Asgjë s’e ndal rrugën e fjalëve
Në shtatin e vogël
E shtratin e vogël
Ku thith ëmbëlsitë e kohës.

Nëpër tehun e muzikës së saj
E çuditshme për veshin tënd, thua
Dëgjon të panjohurat e mbledhura
Si kala kujtimesh mes zanash
Që përbirohen në veshët e tu.

E mua më zgjojnë dilemat e puthjes me yje,
Ashtu si zgjohet lulja nga rrezet e diellit
Si zgjohen kujtimet në rrethin e fildishtë
Ku bluajnë minjtë grabitqarë
E gjuajnë tingullin tënd
Tingullin e këngës që thua është për ty
Për kohën që ec mbi ne si re nordike
Luhet keq me sytë e kohës
Me sytë e pafundësive
Ku thuren kunora për dëfrimin tënd
Për dështimin tënd.

*
Asgjë s’ ndodh…
Gota e rakisë pret shikimin tim
Dorën e lodhur që kërkon nëpër tymin e cigares
Shikimin që iku, shikimin që ra u plandos
Shkëlqimin që u plandos, shikimin që ra e iku
Si dora ime e lodhur në lakuriqësinë e natës
Që hungërinte me zhurmën e dhembjeve
Në trupin e etur…
Plot afsh
Dhe një minutë shpërthim.

Thur aureolën e fjalëve të nxehta
Që djegin duart e mia të lodhura
Dhe me hirin e prushit që turfullon nëpër hapësirë
Rrëshqas, rrëshqas e rrëshqas si nëpër akullnajat e antarktikut
Dhe i them vetes
Asgjë nuk ndodh.
Pi një gotë raki…si i dehur rropatem me veten
Madje çuditërisht marr në thua në cungjet e kohës
Ku idetë e mia përvishen të marrin jetë
Dhe iu them zogjve
Këngët tuaja s’po dëgjohen
Ka shumë zhurmë, zhurmë ka shumë
Ik nata, ik edhe shikimi yt
Edhe gota e rakisë nxehet në dorën time.
Nata s’e prish misterin e saj
As zogjtë nuk dëgjohen
Ka shumë zhurmë, zhurmë ka shumë
Më thua habitshëm
Dhe kam dorën tënde
Dhe kam krahët e mi
Që u plandosën
Nëpër cungjet e kohës
Dhe idetë që avullojnë
Teksa gota e rakisë
Pëlcet mes duarve të mia
Ku fluturon zemërimi
Për kohën e pështjelluar keq
Në natën kur zogjtë nuk këndojnë
Në natën kur zogjtë nuk dëgjohen
Në natën kur ka shumë zhurmë.

*
Na pështjellohen këmbët nëpër ura
Ngatërrohemi
Dhe harrojmë se ato bashkojnë
Brigjet e paprekshme
Lumenjtë e marrëzisë
Ashtu si dashuritë e dy skajeve gjeografike.
Nga libri, Arka e shpëtimit, 2012