Jusuf Vrioni (1916 – 2001) u lind në Korfuz, Greqi, më 16 Mars 1916. Vitet e tij të para i kaloi në Korfuz e më pas në Berat. Pas emërimit të babait të tij, Ilias Bej Vrioni, si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Paris, familja e tij u shpërngul në Paris më 1925. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor Jusuf Vrioni e kreu pranë Liceut Janson de Sailly, Paris dhe atë të lartë në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe më pas në Institut d’Études Politiques të Parisit.
Më 1939 rikthehet në Shqipëri por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e detyron të shpërngulet po atë vit në Romë për të vazhuar studimet e tij të mëtejshme. Rikthehet në Tiranë më 1943, datë kjo që shënon dhe përmbysjen e fatit të tij. Më 13 Shtator 1947 arrestohet nga regjimi diktatorial dhe akuzohet për spiunazh. Prej Shkurtit 1949 e deri më Prill 1950 torturohet barbarisht një njërën prej shtatëmbëdhjetë qelive famëkeqe të Koçi Xoxes. Në Korrik 1950 dënohet me pesëmbëdhjetë vite heqje lirie dhe punë të detyruar për agjitacion e propagandë. Lirohet në fund të vitit 1958 dhe internohet në Fier për një periudhë disamujore. Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit totalitar, emërohet në Tiranë si përkthyes.
Ndër përkthimet e tij të para letrare është romani Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur i Ismail Kadaresë, i cili do të botohen në Francë pa emër përkthyesi. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillojë të figurojë nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Pjesën më të madhe të kohës e shpenzonte duke përthyer dhe redaktuar tekstet e veprës së Enver Hoxhës, por Jusuf Vrioni përkthen paralelisht edhe Ismail Kadarenë. Falë elegacës së frengjishtes së tij, romanet e Ismail Kadaresë nisën të tërheqin vëmendje në publikun frankofonë. Rreth fundit të viteve ’80, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes edhe në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit.
Në vitet e para të Shqipërisë post- totalitare , Jusuf Vrioni, falë posturës së tij multidimensionale si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqerisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza famëkeqe e vitit 1997 do ta detyronte tashmë që të largohej sërish nga atdheu dhe të rikthehej në Parisin e tij të dashur. Më 1998 emërohet Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 Maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhërin Chevalier de la Légion d’Honneur, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhërin Grand Officier de la Légion d’Honneur nga Republika Franceze.
Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris në 25 Maj 2001 ndërsa shërbente si Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO.
Berati, vendlindja e Vrionasve, nëpërmjet bashkisë së qytetit do ta nderonte Jusuf Vrionin pas vdekjes së tij, më 18 Qershor 2001, me titullin Qytetar Nderi.
Për mirënjohjen dhe vlerësimin e përkthyesve me kontribut të çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë më 2006 krijoi çmimin Jusuf Vrioni.