Jozef Radi – dy pyetje për shumë përgjigje

“Unë mendoj se arti s’mundet me ba kompromise me të keqen, dhe mendoj se s’munden me shërbye si modele letrare as artistike trubadurët e partive, por ata që asnjiherë s’u pajtuen me të keqen, ata që u sakrifikuen kundra së keqes, ata që koha veç i madhështon edhe pse ata vendosën në altarin e artit jetën dhe veprën e tyne. Unë besoj se në poezinë time gjithë çka shpjegova në këta pak rreshta asht ma se e prekshme dhe ma se e ndjeshme.” JR

Jozef Radi “Poesie scelte” (Poezi të zgjedhura), Besa, 2017

New York, 15 maj, 2017

Botohet në italisht të vëllimi me poezi të zgjedhura i poetit Jozef Radi “Poesie scelte” (Poezi të zgjedhura), Besa, 2017

Poezia juaj shkruhet në gegnisht. Kjo thjesht pasi në këtë dialekt ju gjeni më shumë vetveten apo më shumë ndjeshmëri poetike?

Nëse do më duhej me u përgjigjë me nji frazë të vetme kisha me thanë se: gegnishtja asht krahu ma i fuqishëm i shqipes… Por me qenë pak ma i hapun, më duhet me shpjegue.

Libri Poetik “Fletorja e Vjeshtës” qe rezultat e nji reflektimi të gjatë pothuej dhjetëvjeçar, mbas botimit të librit “Kujtesa e Mjegullës”. Kohë e mjaftueshme me kuptue jo vetëm disa mekanizma gjuhësorë dhe poetikë… po edhe nji pune të thellë hulumtuese ndër lexime mbi vepra të Fishtës, Koliqit, Haxhiademit, Harapit, Camajt, Pashkut, Shllakut dhe plot tjerëve. Ishte si të thuesh nji pasunim i madh, çka solli për pasojë nji fazë edhe ma reflektuese, e cila m’shtyu me iu futë edhe do eksperimentimeve të kandshme si përmes shkrimit të poezive, si përmes përkthimeve të shumta në poezi kryesisht po edhe në prozë, apo eseve dhe tregimeve.

Edhe pse i ardhun prej prindësh gegë, fakti që krejt rinia jeme qe ndërthurë në hapsinën myzeqare, dëshmoi se ai nuk pat ushtrue aq trusni sa me u ndodhë në vështirsi t’mëdha me e kuptue, me e përdorë dhe me e përsosë nji gegnishte të lehtë, të ambël komunikuese. Fillimisht për vedi, e mandej me mjaft sukses edhe ndër lexues. Kështu ia nisa pak me droje e me kohë po e ndjeja si nji frymë të gjallë që u jepte ngarkesë emocionale vargjeve, frazave, poezive e përkthimeve të mia… Ditë mbas dite ky familjaritet m’u ba kaq i natyrshëm, sa në kumtet letrare që përcillja ndër lexues, s’kam hasë asnjiherë as ma të vetmin rast që ndokujt t’i jetë dukë e randë, e pakuptueshme apo bezdisëse kjo gegnishte e përdorun prej meje, përkundrazi!

Këtu vlen nënvizue edhe nji element tjetër tejet i randsishëm: Unë jam fort i apasionuem me laryshinë e dialekteve të shqipes, duke i konsiderue si idenditete të vogla të secilit prej nesh. Fjala vjen unë kam realizue me mjaft sukses edhe shkrime në dialektin e Tiranës. Kjo punë m’lejon me qenë i gjithnji e ma i vëmendshëm ndaj hollsive që përcjellin dialektet dhe me qenë haptas në mbrojtje të kësaj pasunie, pse vazhdoj me i konsiderue dialektet e shqipes si prroje të kristaltë që vazhdojnë me e mbajtë gjallë mrekullinë e gjuhës shqipe.

Gegnishtja për mue asht pasuni e pakufi, e sidomos në trajtimet poetike, çka m’ka entuziazmue, e m’ka shty shpesh drejt përkthimit. Gegnishtja mbetet nji pasuni gjuhsore e pamatë që zbulon njiherit në rrafshe të shumanshme jo veç forcën e poezisë por edhe ndjeshmëninë e thellë të saj, komunikimin e ngroftë me lexuesin, shpesh tuj e ftue at kandshëm në nji marrdhanie të shkrime me çdo varg të saj. Së shpejti do të paraqes rreth 20 poetë tejet të randësishëm të letërsisë botnore në nji antologji përkthimesh titullue “Antologjia e Dashnisë” nji libër që jam ma se i bindun në suksesin e tij, sepse nji pjesë e këtyne poezive të paraqituna në sitin radiandradi.com, kanë pasë nji sukses të pazakontë. Kam nji nxitje tejet të fortë që ky libër duhet me mbrritë sa ma parë ndër ata lexues që e duen poezinë, po edhe shqipen sa ma të bukur e sa ma të kumbueshme.

Si do ta përkufizonit sensibilitetin poetik të Jozef Radit?

 Sensibiliteti im poetik prek krejt botën ku vërtitet ekzistenca shqiptare. Verbi im poetik s’mundet me i anashkalue as kohnat e as problemet shoqnore, s’mundet me qenë as ilustrues dhe as euforik, s’mundet me e shmangë as trazimin shpirtnor as tjetërsimin e poetit për gjithçka të ndodhun me njeriun shqiptar.

Ndaj dhe poezitë e prezantueme në kët libër, plotësojnë në nji farë mnyre nji peizazh të rindërtuem si prej emocioneve që prekin e transmetojnë, edhe prej formave, strukturimit, harmonisë së vargjeve…

Poezia sa asht dhimbje aq asht edhe trazim i thellë! Nuk kam dishrue nji shpirt qaraman, përkundrazi edhe n’trishtimin ma të thellë kam gjetë fillin e shpresës dhe frymën e guximit… Unë besoj te Dashnia, unë besoj te e Mira dhe e Bukura. Këto janë kollonat ku rrin poezia jeme. Nuk asht shmangë drama e emigrimit, tashma e shndrrueme në nji gangrenë, po as dramat shoqnore të familjes, as mospajtimi me çka politika po i shkakton shpirtit të njeriut… e gjitha kjo në temën të lirisë, të besimit, të shpresës e guximit qytetar. Gjithçka e filtrueme përmes eksperiencës personale dhe nji shpirti të mprehun në vëzhgim të hollë të krejt shoqnisë shqiptare, e në veçanti të deformimeve të pësueme nën diktaturë.

Unë mendoj se arti s’mundet me ba kompromise me të keqen, dhe mendoj se s’munden me shërbye si modele letrare as artistike trubadurët e partive, por ata që asnjiherë s’u pajtuen me të keqen, ata që u sakrifikuen kundra së keqes, ata që koha veç i madhështon edhe pse ata vendosën në altarin e artit jetën dhe veprën e tyne. Unë besoj se në poezinë time gjithë çka shpjegova në këta pak rreshta asht ma se e prekshme dhe ma se e ndjeshme.

Asht nji kënaqësi e madhe që ma s’fundi erdh koha që edhe lexuesi i huej ta prekë e ta trajtojë kët frymë poezie të shkruejtun e të vuejtun prej meje!