2
The Hours – Eksplorimi i egzistencës së Grave dhe i dëshirave të tyre të burgosura
The Hours (2002) i bazuar në romanin fitues të Çmimit Pulitzer të Michael Cunningham, dhe me regji të Stephen Daldry është një film thellësisht reflektues që ndërthur historitë e tri grave në epoka të ndryshme, secila prej të cilave përballet me krizën e vet ekzistenciale. Në thelb, filmi shqyrton temat e shëndetit mendor, pritshmërisë shoqërore dhe, më e rëndësishmja, shtypjen dhe eksplorimin e seksualitetit të grave, në veçanti homoseksualitetin e tyre. Përmes rrëfimeve të ndërlidhura të Virginia Woolf, Laura Brown dhe Clarissa Vaughan, filmi trajton kompleksitetin e dëshirave të individit dhe pasojave e mohimit të tij.
I vendosur në tri periudha të ndryshme kohore, filmi ndjek jetët e tre grave që kanë një lidhje me romanin e Virginia Woolf, Mrs. Dalloway. Virginia Woolf (Nicole Kidman), e vendosur në Anglinë e viteve 1920 lufton me sëmundjen mendore, teksa ka filluar të shkruajë romanin, Mrs. Dalloway. Laura Brown (Julianne Moore), një shtëpiake e viteve 1950, ndikohet thellësisht nga romani Mrs. Dalloway i Woolf ndërsa përballet me jetën e saj të paplotësuar. Clarissa Vaughan (Meryl Streep), një reflektim modern i zonjës Dalloway të Woolf-it, është duke organizuar një festë për mikun dhe ish-të dashurin e saj, një poet të quajtur Richard, i cili është në prag të vdekjes nga SIDA.
Historia e Laura Brown është ndoshta më e dhimbshmja dhe më bindësja nga historitë e këtyre tri grave. Ajo është një shtëpiake në Amerikën e pas Luftës së Dytë Botërore, e paralizuar nga pritshmëritë shoqërore të amësisë dhe martesës. Pas pamjes së saj të qetë fshihet pesha e pa suportueshme e jetës së saj shtëpiake dhe ndjenjat dashurore për një grua tjetër. Puthja e saj me fqinjen Kitty, edhe pse e shkurtër, është shprehje e emocioneve të shtypura, dhe shpreh konfliktin e brendshëm të Laurës me dëshirat e saj.
Zbulimi në fund të filmit është tronditës : Laura Brown është në fakt nëna e Richardit, poetit për të cilin kujdeset Clarissa. Dhe braktisja e fëmijëve nuk ishte vetëm një refuzim i rolit të saj të nënës, por edhe një ikje nga një jetë që nuk përputhej me unin e saj të vërtetë. Pra përveç mospërputhjes me normat shtypëse të kohës, është gjithshtu edhe homoseksualiteti që e shtyn Laura Brown, të braktisë familjen e saj, një vendim që lë pasoja të pashlyeshme tek fëmijët e saj dhe e ndjek gjatë gjithë jetës. Kjo zgjedhje reflekton pasojat e presionit mbytës të konformitetit në Amerikën pas luftës së dytë botërore. Filmit zbulon koston tragjike të mohimit të identitetit të vërtetë të individit në një botë që ofron pak hapësirë për shprehjen e tij, dhe veçanërisht për gratë.
The Hours paraqet një portret të zymtë, por të ndjeshëm të grave, jetët e të cilave përballen nga kufizimet shoqërore dhe një seksualitet të prangosur. Filmi është një pasqyrë e fuqishme e rreziqeve të mohimit të natyrës së vërtetë të individit ( në këtë rast grua), dhe shpalos pamjen e pamëshirshme të luftërave të heshtura me të cilat përballen shumë gra në kërkim të autenticitetit.
Këtu mund të shinni The Hours online falas, në versionin original anglisht.