Greta Garbo dhe e dashura e heshtur e Migjenit

Botohet për herë të parë !

“Vesh pa vesh, zdrale pothuej, po vec e bukur kam kene..e them per here te pare, mesues se ti me kupton..Ne ate kohe s’duhet me e dite se ishe e bukur se te hajshin dreqnit! Milloshin, pse me e mohue, e kam dashte me locke te zemres. E kam dashte! E pse me e mshef?”

 

Roland Gjoza
Kortezi Sali Shijaku
New York, USA, 2016

Ajo shkollë, në Pukë* kishte dy a tri shkallë ku ulesha nganjëherë, përgjithesisht në muzg, kur dilte hëna, apo kur binte borë dhe vetmia ndjehej më shumë. Atje brenda ishte dhe ajo kinse dhoma e përshtatur për poetin. Aty kishte një krevat, një pasqyrë, një raft të vogël, një tavolinë, një karrige, një dollap dhe aty në mure ishte Çarli Çaplini dhe Greta Garbo, në korniza të praruara, me gdhendje, po ishte dhe një gozhdë për peshqirin që ndërrohej shpesh. Te xhami i dritares fëshfërinte dhe kërciste ndonjë degë, qershia, që atij i jepte një ngushëllim të çuditshëm. Aty në atë dhomë mësova prej Davës, nxënëses sime, se gjyshja e saj shkonte dhe e pastronte atë dhomë, madje një hollësi qe më bëri fort përshtypje u ruajta gjatë në kujtesën time dhe nuk u shënua askund, si prej pengimit të një dhimbjeje.

“-Eshtë gjallë gjyshja? e pyeta një ditë. Po mësues, doni të flisni me të për dicka? Po i thashë, patjetër. Ishte një grua e vjetër mbështetur me një shkop, e përthyer pothuaj.

“Më tha drejtori i shkollës, Abdullahu që t’i pastroja dhomën se do të vinte mësuesi në pranverë. C’me pastrue, ajo ishte dritë si bora e parë. E kish pastrue vetë para se me shkue…

Ia kam perkedhele teshtat; nji kostum dopio petë për ceremoni, dy kravata të kuqe, dyzina me shami mendafshi që vijshin erë me të turbullue…një palë këpucë fringo të reja, veshë a jo dy tri herë, këpucë shollet, e c’me kujtue tjeter…pastër, pastër, si me hy në nji dhomë të porsa martuemish…Një ditë, u ula tek karrigja e papritur pashë veten në pasqyrë…ku ku, thashë e më erdhi me qeshë…ishte marrë me pa veten ashtu zhelamane…e vetmja që s’shkojsha me atë dhomë. Vesh pa vesh, zdrale pothuej, po veç e bukur kam kenë..e them për herë të parë, mesues se ti më kupton…Në atë kohe s’duhet me e ditë se ishe e bukur se të hajshin dreqnit! Milloshin, pse me e mohue, e kam dashtë me lockë të zemres. E kam dashtë! E pse me e mshef? E kuptova qe edhe ai m’simpatizote, ashtu kinse po më falenderonte…ani pse e dijsha se po turbullohej fort…Isha vetëm, kuptohet, kisha kureshtje me dijtë për intimitetin…teshat e mbrendshme ia pashë, mbathjet, dhe ato të palosuna, tutlue me parfum, nji çen s’i dallojshe, ishin përdorë a jo…M’lëndoi kjo, a ish femën a mashkull…se isha mesue me i gjetë teshat e burrit të shkoklueme, hidh e prit andej e këndej…I pashë letrat, i preka nji stilograf, me nji majë prej florini, kështu mu duk, dhe ajo letra që i preka që tjetërlloj, e i lexova diçka, nuk e harroj, shkruente: Abdullah, thuej zonjës të ma pastrojë mirë… Ishte për mue. Po unë dijsha me e lexue ndryshe; thuaj me mi prek… A ishte vërtet kjo? E marume kam qenë, e lanme krejt…uf!…tash po i them… e tu ia prekë teshat zëne se e preka atë…Pastaj shkrute; Do ta shpërblej.. Kjo m’vrau..s’kërkojsha pare prej tij, po veç një veshtrim e aq zemra jeme bahej zog. Tash e kisha qyqe…

Më kishin thanë se ishte shtrue në një sanatorium të Italisë se vuante prej mushknive…Si iu ka mush ajo qershia te dritarja, sa herë vinte pranvera me drandofille, se shpesh e shifsha atje tuj mendue, me ndoj lule në dorë…Erdhe? më thoshte buzagaz me ato mustaqe spice e me synin zjarr. Donte me u çue me më dhanë dorën e unë s’e lajshe. I qeshsha dhe unë me nji gaz qe atë e ka habitë. Ia hyjsha me themel asaj dhome, po ç’me i hy, ju thashë, zotni, aty sikur kishin kalue natën e parë dy të porsamartuem…Kur e gjejsha vetëm ne dhomë, me zgjaste dorën që e kishte perherë të nxehtë e më afrote me dashni, po jo me të keq, se kështu bante dhe me njerezi, po ma vone nuk e bante ma, qysh atehëre kur i lajsha kravatat dhe këmishat me njolla gjaku… vuente i shkreti…ishte sëmunde…Përherë më jepte ka i dicka, edhe pare më ka dhanë, për me ble dru e pishë për zjarrm…Unë i blejsha për nxanësit e për të e ai e dinte këtë, po s’bëzajtte…Ma vonë mora vesh se ai vdiq.

Një ditë Abdullahu më takoi e më dha paret. C’janë keto? I thashë. I ke për atë ditë qe i pastrove dhomën! Te ka shënue dhe ty në këtë listë që më erdhi me postë…S’ka lanë asnji borxh pa shly…merri, kush nuk ka nevojë për pare? E ç’i bana do të thush ti, mesues! I bleva qirinj e u luta për shpirtin e tij, për atë fatzi, që më la në shpirt nji kujtim shumë të bukur. Ishte për tu dashte! Ia kam rujtë atë dhomë për nji kohë, se Abdullanë e transferuen dhe drejtori i ri, ishte krejt ndryshe, nuk i hyjshin në sy hollesina të tilla, kisha frike se po vijshin dorë mbi rrobat e tij, i futa në nji arkë e i cova në shtëpinë teme e kur erdhën motrat, ua kam ngarkue deri te makina, veç Greta Garbon nuk ua dhashë, atëhere nuk e dijsha se ishte aktore, kasha xhelozi për të e nuk ua dhashë, po s’i bana gja, as e hupa, as e grisa, po e kam fshehë…E kishte nji të dashtun aq të bukur e aq…e shikojsha kaihere, e shikojsha e thojsha se shkojshin bashkë…e kur mora vesh se ajo ishte aktore dhe ai e pëlqente fort, mu këputen do tela këtu mbrenda…Ça gjana u kthyen prap e ca të tjera mbetën në shkollë, e dolën kur u hap muzeu, e unë jam paraqitë në komitet e kam thanë; mos caktoni pastrues në muze, e baj una pa pare… dhe e bajsha këtë punë për qejf, vetëm prej asaj dhome ku kam provue ndoca ndjesina të mshefta…Ai s’pati grue!

Po Greta Garbon nuk e dhashë…e kam respektue, ishte gruaja e tij e andrrave…!

*Puka, një qyet 840 metra mbi nivelin e detit, me një rrugë të vetme, që përshkohej për pesë minuta, me pesë kafene, tre restorante, një berberane, një kinema, një muze, ai i Migjenit, në ish shkollen ku kish dhënë mësim Migjeni.

Botohet për herë të parë ne Klarabudapost– autor Roland Gjoza

http://www.zhurnal.mk