Godo Nuk Vjen

Është furtunë, rruga nga Irlanda është e pakalueshme

Deti nuk kapërcehet me hapa t’vegjë netëve me shi

Kur vetmia t’ përpinë si toka e plasaritur nga tërmeti

Kur dhembja s’ka kohë as deshifrime shkencore.

 

Godo nuk vjen, është vonë…pritja e ka molepsur

Në gjumë të rehatshëm përkund ëndrrat e mia, ëndrrat tua.

Ai nuk vjen as nën Pemën e Jetës as në teatrin e çudirave

Bën gjumin e pritjes që s’e kupton koha jote… koha jonë.

 

Ti e pret si nusja dhëndrin në shtratin e braktisur,

E ëndërron krahëhapur tek të sjell thesin e mbështjell me ëndrra

Ku ti fut duart butësisht, si nëpër flokët e dashura… prehesh aty

Dhe lyp ëndrrën tënde që ngatërrohet nëpër gishtërinjtë e gjatë.

 

Papritur një pickim ta shtang turpin, dora fluturon nga thesi.

Ti fshinë ballin dhe kupton: Godo nuk erdh, as shikimi i tij enigmatik.

Prapëseprapë s’ bindesh se ëndrra jote u fut në thes.

U lidh nyje e përjetshme si ardhja e Godosë.

 

Si vetëtima kalon përtej lumit të fjalëve që ec furishëm

Si hapat e tu nëpër ëndrra plotë çudira drejtë rojeve të kohës

Që bëjnë zhurmën e jetës në ëndrrën e pritjes.

Dhe kultivon shpresën se Godo megjithatë do të vjen.

 

Jo, Godo nuk vjen…!

Ti qan, qan furishëm sa lotët t’çelin një përrua

Mes mollëzave tua dhe rrjedhës së tyre pa cak.

Ku tiktaket e zemrës ndjehen sikur hapat e t’ panjohurit

Në natën e zezë si futa kur troket hidhërimi

Në të cilën Godo do të merrte në thua dhe përplasej keq.

Nga libri Godo nuk vjen, 2010 ©