Mbretëresha Geraldinë, e lindur konteshë Apponyi, në vitin 1915 do të mbushte 100 vjet në 6 gusht të këtij viti në vazhdim.
Josephine Dodet i ka kushtuar asaj një biografi: Geraldinë, Mbretëresha e Shqiptarëve me një parathënie nga Eric Faye, shkrimtar francez, laureat i Cmimit të Madh të Akademisë Franceze dhe specialist i Kadarese.
Kjo biografi e botuar në frëngjisht nga botimet Criterion më 1997, botohet sërish nga Belfond me 2012 dhe tani me rastin e 100 vjetorit të lindjes, në gjuhën hungareze, nga botimet Europa. Vepra që del nga shtypi më 27 gusht do të prezantohet në Budapest, më 8 shtator 2015, në praninë e autores.
Të gjitha studimet janë unanimë, Geraldina, Mbretëresha efemere, ngjall admirim për stilin dhe kurajon e saj. Kur ajo erdhi në Shqipëri, në vitin 1937, Mbreti Zog kishte shpallur shtetin laik dhe kishte votuar tashmë reformën për emancipimit e gruas (duke proklamuar të drejtën e votës së grave dhe ndaluar, ndër të tjera, edhe përdorimin e ferexhesë[1]). Gjatë qendrimit të saj të shkurtër ajo u bë një model femëror dhe frymëzoi një stil të ri veshjeje dhe të modës së krehjes së flokëve në Shqipërinë e sapo dalë nga periudha mesjetare.
“[…] regjimi [totalitar] që fyente sovranin asnjëherë nuk ishte marrë me gruan e tij, duke mbetur i heshtur dhe duke abstenuar që të shpifë për atë që e thërrisnin “ trendafili i bardhë i Hungarisë ” e çrrënjosur shpejt nga toka e saj adoptive “, shkruan Eric Faye në parathënien e biografisë së saj.
Skender Zogu, inxhinier në profesion dhe nip i Mbretit Zog, i ka kushtuar gjithë jetën e tij familjes mbretërore. Ai nuk është i vetmi që të ketë admirim për Mbretëreshën Geraldinë: “Roli i mbretëreshës Geraldinë ishte i rëndësishëm dhe është ndjerë me të vërtetë në mërgim. Ajo ka ndihmuar përpjekjet diplomatike të mbretit dhe nëpërmjet kontakteve të saj, ka lehtësuar komunikimin me familjet mbretërore në fuqi ose në mërgim. Ajo u soll si një grua e vërtetë shqiptare, e përkushtuar kundrejt kombit shqiptar, burrin të saj dhe familjes së tij. Ajo ishte e devotshme dhe bujare, dhe takimet e saj me Nënë Terezën dhe Papën Gjon Pali XXIII plotësuan jetën e saj të krishterë. Ajo shprehu dëshirën për t’u kthyer në Shqipëri, që e quante vendin e saj dhe ku donte të përfundojë jetën e saj. Perëndia ia plotësoi këtë dëshirë dhe kthimi i saj në Atdhe preku zemrat e shqiptarëve. Kthimi i hirit të burrit të saj në vendin e tij do ti bashkonte ata përgjithmonë me Tokën e Shqiponjave. ”
Në romanin tim Kloroform (që i vendos ngjarjet në totalitarizmin shqiptar, Dudaj, 2010) grupi i të rinjve, në qendër të fiksionit, flet për fatin e familjes mbretërore të Shqipërisë, fotot e të cilës ishin zhdukur nga tekstet shkollore dhe dokumentat historike dhe ishin shkatërruar ose ishin izoluar në rezervat e bibliotekave; ja një ekstrakt i tij:
“- Jo, nuk më duket e udhës që t’i varim dhe filloi t’i zhvendoste [tablotë] duke lexuar etiketat e shkruara me kujdes nga i ati. Njëri prej ambalazheve të kartonit u hap dhe zbuloi një foto bardhë e zi, nga e cila vështronte Geraldina. Ishte portreti zyrtar i Mbretëreshës, i vitit 1938.
– Cila është kjo zonjë? – pyeti Alma.
– Gjyshja, gjyshja ime nga nëna, – tha Maksi pas njëfarë ngurrimi, për të shmangur ndonjë keqkuptim të panevojshëm. Pastaj i tërhoqi sa mundi dy skajet e kartonit, me qëllim që ta fshihte portretin. Atë mbrëmje, rrethi i mysafirëve ishte tepër i gjerë. Por Maksi nuk ia doli mbanë, sepse Alma u afrua, i hapi përsëri dy anët e kartonit dhe e këqyri një copë herë fotografinë e gruas me kurorë të artë.
– Nëna jote i ngjan, – tha ajo.
– Ashtu, vërtet? – ia bëri Maksi, për të cilin nuk qe e qartë se ç’donte të thoshte vajza, fytyra e së cilës iu duk e padeshifrueshme. Mos ndoshta iu duk vërtet ashtu? Mbretëresha ka qenë model i elegancës femërore, ajo frymëzonte stilin e krehjes dhe të veshjes. Flokët e saj, të prerë shkurt, u bënë në modë dhe fotografitë femërore të kohës ngjanin me njëra-tjetrën si dy pika uji. Jo, është e pamundur! Almës nuk mund t’i ketë shpëtuar pa vënë re kurora mbreterore me emblemën e Skënderbeut dhe bukuria e Géraldines që kishte ngelur ikonike!
Fotografitë e familjes mbretërore qenë fshirë nga librat e shkollës që prej tri dekadash, ndërsa dokumentet historike, nëse nuk qenë zhdukur, qenë mbyllur në fonde të rezervuara bibliotekash.”[2]
[1] Joséphine Dedet, Géraldine Reine Des Albanais, Criterion, Paris, 1997
[2] Klara Buda, Chloroforme – Roman, Botimet Dudaj, ISBN 978-99943-0-139-3