Paris, 18 dhjetor, 2018
Dje ishte dje!
Sot është sot! Ditë tjetër.
Dje “të mbeturit”, lagur qull, prisnin të mardhur se ndoshta vallë çfarë do të ndodhte! Qendra… (Cila qendër? Kish vërtet një të tillë, mbimendje, që i mendonte të gjitha, parashikonte me urti, hap pas hapi, rrjetonte në internet dhe me shpirtrat e përtejmë, për zgjidhje të mençura?).
Do të duhej patjetër një si kjo?
Por dhe ky mendim, a thashethem i paprovuar, ish lëshuar nëpër rrugët e keyqytetit-shtet, në ndihmë të atyre të paemërve, tek sheshi, ta shkundte disi plogështinë e Frikës pllakosëse! Se kish dhe që mendonin ndryshe, a ish kjo pikërisht më e mira, që s’kish, se në fakt s’duhej asnjë. Deri kur ….
Kur, gazeta DRITARE, jep lajmin: “Gati shpallja e Partisë Studentore. “… pritet të mësohen se kush janë ideatorët dhe drejtuesit e kësaj partie. Me një manifesto domethënës që flet për lirinë e popullit:
“Liria është një e drejtë e panegociueshme, se as nuk mund të shitet as nuk mund të blihet nga asnjë person. Askush nuk mund të vendosë të shtypë një popull, nuk mund ta nënshtrojë atë, dhe askush nuk mund të vendosë individualisht për fatin e popullit.”
Përgjigja vonon e habitur, gojëhapur pa marrë frymë e mahnitur, me mendime pa fjalë dhe thirrma që nxitojnë të dalin me vërtik jashtë, si flluska cipëplasura:
Aha!
Kjo? Jooo! Po?
Eh! Mos!
Dhe shpresa merr zemër vetes t’i flasë: “Ndoshta dhe më mirë, një e re do shkundte Parlamentin, apo do bëhej si paraardhëset? Po dyshimi ideja e Sokratit, për sundimin e turmës së palëçitur, ngrinte kokën si t’ishte gisht. Ah! Mjaft, q’u bë e prekshme levizja, se pa asgjë. (A e pe peticionin, ç’dëngla! Ç’punë ka partia me lirinë? E kundërta, harruat?)
Kur Kancelarja Merkel foli për studentet, u duk se i njihte mirë dhe kish përvoje të mirfilltë, qysh nga koha e lëvizjeve të ngjashme në GDR,(këshilloi haptazi për këtë)
sa frymë i dha dhe një herë ç’po shuhej. Befas magjishëm legjetimitet ndërkombëtar:
“Prandaj studentë të dashur nga Shqipëria protestoni, mos u ndalni ju lutem….
Sot duhet ta kuptoni, se duhet të dilni në shesh. ….Bëjeni Shqipërinë, si Gjermania, e pastaj ju në punët tuaja, ne në tonat. ….
Unë sot, iu jap një këshillë, … Ne të BE i kemi thënë Ramës “Pa luftuar korrupsionin, pa dekriminalizuar politikën, pa pasur drejtësi, pra pa plotësuar kushtet, nuk ka anëtarësim në BE edhe ju bëni të njejtën gjë, pa plotësuar kërkesat mos shkoni në dialog. Qëndroni fort të bashkuar o të dashur studentë, se vetem ashtu do mund t’ia dilni mbanë. Do ia dilni, do na shpëtoni ne dhe veten!”**
Ndershëm! Qartë!
Pra s’ish një kopjim i rëndomtë nga Franca e Gavroshit! Kish arsye, të Mëdha!
Të drejtë për drejta!
Dhe megjithatë, në Arbëri, ku çështjet dhe politika zgjidhen me Kallashnikov, aka AK-47, ende kudo në shpirtra e plakur (matur?), mbizotëronte frika.
Hidra Frikë:
– Se nuk është as e organizuar dhe as e pjekur sa duhet, s’ka as udhëheqës (Por më mirë që ndodhi, mjaft priti! Më mirë që s’ka!). Peticioni i mangët a lëvizje për ndryshim, çfarë?
– Pasiguria e zgjedhjes, midis këtyre partive të çpikura, se mos ndoshta njëra është m’e mirë se e para. (A shkohet përpara me të njejtët njerëz dhe a mund të luftohet korrupsioni, me të korruptuar?)
– Kush dhe çfarë do të vijë pas kësaj apo këtyre? (Gjermania nuk u krye në një ditë, as Roma!) Ne s’jemi as njëra, as tjetra! Ne jemi ne! (Katovica?)
– Ndryshimi, sjell jo vetëm ndërprerje të procesit të zhvillimit, por, madje mund të jetë kthim mbrapa. (Shenja ka: si ringjallja e ëndrrave të vjetra; dalja në skenë e Unit të sëmurë madhështor, që çel aty këtu në biseda a intervista; arroganca dhe mbi të gjitha mungesa e vetëkritikës ndaj epokës së lavdishme, malli për kohën kur s’kish drogë, etj.)
– M’e e fundit, padija zotëri, padija tremb! Vërteë s’dimë ç’të bëjmë, se jemi gënjyer e zhgënjyer sa s’ka.
Përgjigja, me arsye të qenësishme, ndaj kësaj frike, e cila kurrë s’mënoi të gërricë nëndërgjegjen, natën, del prej Hadit të pushtojë mendjet e lodhura, mundet të përmblidhet si:
E Drejta legjitime: Tek Lisistrata*, gratë s’u frymëzuan nga asnjë ligj tjetër veç atij të grupit të tyre, ndanë përvojën si gra. Se s’ka ligj ta ndalë, të drejtën për ta ndryshuar. Se mosbindja qytetare është patriotike, se e detyron shoqërinë të rishqyrtojë qëllimin e saj. (Kujt i shërben?) Së dyti, kjo mosbindje është e nevojshme, sepse nuk ka rrugë tjetër, për të mos u bërë bashkëfajtorë, me një qeverisje, q’ende e majisur vjell helm. (Ish-hetuesit famëkeqë dhe shumë nga ata që heshten, ende s’kanë vdekur. As kush qau me lot, kur vdiq!) Aq më tepër, kur kjo e drejtë, njihet dhe në arenën ndërkombëtare. E drejta themeltare për fjalën e lirë, për t’u mbrojtur kur të shkelin, të ndërtosh lumturinë tënde në vendin tënd.
Mënyra paqësore, e provuar tashmë për efikasitetin në zgjerimin e bazës mbështetëse, por mbi gjithçka mënjanimin e viktimave të pafajshme dhe shkatërimit shpirtëror dhe material. Marshimet paqësore për të drejtat civile, dihet ç’sollën më pas. Ulja (sit-in) në shesh a diku gjetiu, ndoshta i dhanë forcë Gandit, po aq sa disa beteja të përgjakura. Grevat, bojkotimi (shoqëror, ekonomik dhe politik) rri-larg (stay-away), si dhe lloje të tjera të mosbashkëpunimit të hapur apo të fshehur, janë mënyra për të mobilizuar aleanca, për t’ia rrëmbyer epërsinë kundërshtarit, dhe prerë burimet q’e mbajnë në këmbë. Dhe më tej, në epokën e rrjeteve elektronike, nuk ke pse të dalësh nga shtëpia, për të qenë pjesëtar i një lëvizjeje si kjo. Për çfarë rrezik bëhet fjalë? Atëherë për ç’frikë?
Qëllimi, jo tjetër veçse, përmirësimi në vazhdim i vetëqeverisjes nga nënshtetasit e ndërgjegjësuar, fushë pas fushe, sektor pas sektori, dhe pse jo, tarifë pas tarife, pa rreshtur. Si i tillë, nuk është plotësimi i një tetëshpeticioni, as krijimi I një partie të re, por m’e e rëndësishmja, vetë Levizja, kështu e patjetërsueshme!
Shpesh e kish peshuar si padashje, herë para kompjuterit, kur papritur, i fantaksej para syve: turma në bardhë e zi, si në një film të Spielberg-ut, apo kur afrohej ngadalë hapbutë tek dritarja e stërmadhe përballë portretit po aq i Il Qemalit, për t’i parë fytyrat imcake, si e tija dikur, qime padjersirë. Mundet t’i shfrytëzonte. Të merrte frenat në dorë, rrëmbente flamurin e zgjidhte me një të rënë të lapsit nyjen tetëherëshe gordiane. “Ç’nyje zeza”, mendoi, “shpellarët spurdhjakë, as një peticion për të qenë s’vënë dot përpara”! Me këtë rast s’do ish keq, të ndërronte ca biba, që edhe ai vetë s’e dinte pse i kish zgjedhur. E dinte, e dinte: pamja, estetika, por edhe besnikëria ndaj çështjes, zhdërvjellësia, po ashtu … Kamarja e Turpit ia mori mendjen. Dhe pas saj, fytyra e pudrosur e Robespierit, që kish filluar t’i shfaqej si fantazmë në ëndërr, si hënë, rrokullisej të perëndonte në kosh kokëprerë! Do Zoti jo!
Apo…. është me e lehtë të jesh Zot, vetë!
Ndoshta… por jo më e drejtë!
*Komedi e Aristofanit ku Lisitrata, (athinase) frymëzon gratë e Athinës që të rebelohen kundër pushtetit patriarkal. Për të ndaluar luftën, ato vendosin t’u refuzojnë seksin bashkëshortëve të tyre.
** transkripti i Angela Merkel është marrë nga filmimi i Isa Myzyraj-t
Klarabudapost respecte CC but only for this article all the rights and copyrights are protected!