Ai ka vetëm pyetje, përgjigjet i ka t’ndrydhura
Nëpër xhepat e ndotur me nostalgji t’ betonuar.
Ai ka vetëm kujtime që i sillen rreth qafës
Si guri i mullirit e tundin një hapa para e disa mbrapa.
Në ujëvarën e rrëmbyeshme e frushkullon kujtesa
Dhe ia rrëmben kohën – kohën që s’e sheh kurrë;
Kohën që vetëm e ëndërron netëve pa fund.
Ai s’është njëri nga ata nën qiellin plotë furtuna,
Ku ec, ha, bën dashuri e lutet.
Atdheu i shpendëve është qielli
I peshqve deti
I emigrantit është pikëllimi –
Që i shumëfishohet, si shumëfishohen retë kur tërbohet qielli.
N’rrugët e panjohura përkund nostalgjinë
Dhe kërkon njëshin në zerot e pafundme.
Testamenti i Odiseut i digjet n’dorë,
E gacat e kallin flakë si rreze tropikale.
Në Itakën e munguar hedh shikimin
Mbrëmje e mëngjes rropatet.
Shtegton rrugëve t’pikëllimit
Dhe mbulohet me jorganin e Tokës së Premtuar.
Çdo natë ëndërron t’ njëjtën ëndërr: Kthimin në njësh.
Teksa oaza e shkretëtirës ia thith dëshirat, kujtimet.
Emigrantit kjo dhembje e madhe.
Me thesin e pikëllimit bredhë rrugëve t’ shpresës
Pret vendime mu ba njësh n’ zerot e pafundme.
Çdo ditë e presin të panjohurat në pyllin e dëshirave,
Ku i prehet shikimi i butë dhe pritja e thellë.
Si zog i mërdhirë kërkon folenë e shpresës.
Dhe mbulohet me jorganin e Tokës së Premtuar.