France, qershor 2015
Ideja për themelimin e këtij websiti më lindi në shkurt të vitit 2007. Isha vetëm 21 vjeç dhe webi ishte në kulmet e zhvillimit, por kur kërkoja diçka në « Google » në lidhje me vendlindjen time, nuk gjeja një faqe interneti që fliste për zonën tonë Darsin, Klosin, apo për Matin. Sikur nuk mjaftonte diktatura që na la të izoluar për plot 45 vjet, edhe pse unë atë nuk e kam përjetuar gjatë, duke e ditur që jam lindur në vitin 1986, por pata atë ndjenjën që edhe « demokracia » na kishte harruar…sikur nga ajo zonë që unë vij, dhe jam krenar për këtë, nuk ekzistonte apo nuk interesohej njeri.
Që nga ai moment, duke e nisur me këtë shprehje « Të ndërtojmë së bashku të ardhmen », qëllimi, dhe dëshira kryesore që ky websit mundohet t’i transmetojë publikut është promovimi – zbulimi, vënia në dritë dhe mediatizimi, i rrënjëve që unë dhe ju u përkasim, qoftë promovimi në shkallën lokale (Fshatin Dars dhe zonën e Klosit), në shkallën krahinore (Matin), apo në atë kombëtare (Kombin Shqipëtar).
Deri më sot, websiti ka pasur një audiencë pothuajse prej 20 000 personash dhe mbi 100 000 faqe të shikuara. Ky sukses nuk është meritë vetëm e imja. Dua të përmend, që gjatë rrugës, nga 2007 e deri më sot, kam pasur shumë bashkëpunëtorë, nga të cilët edhe disa figura të njohura shqipëtare, si për shembull Sami Milloshin, gazetarin dhe shkrimtarin e njohur matjan, Arif Matin (Aref Mathieu) – shkencëtarin dhe shkrimtarin me origjinë prej Mati si edhe Zonjën Klara Buda, ish shefe e shërbimit shqip të RFI-së. Të gjithë, me aq sa janë mundur, kanë kontribuar dhe kontribuojnë që faqja e « DARS (KLOS), MAT – ALBANIA » të jetë sa më cilësore. Kam sigurinë e plotë, pas disa shkëmbimesh me vizitorë të ndryshëm, se në këtë website gjithsecili e gjen veten, shqiptar apo i huaj qoftë ai/ajo, dhe më në fund, më besoni, tani ekzistojmë në « Google »…
« Me ju…dhe për ju ! »