Francë, 1 Dhjetor 2015
Disa popuj ndodhen në konflikt. Disa sisteme janë çoroditur. Shumë të pafajshëm janë vrarë. Disa regjime diktatoriale janë rrëzuar duke krijuar anarki. Disa demokraci janë në luhatje. Urrejta është rritur dhe po zgjerohet nga dita në ditë. Nacionalizmi, radikalizmi dhe ekstremizmi po përhapen qoftë në Lindje po ashtu edhe në Perëndim, në Hemisferën veriore dhe atë jugore. Disa të etur për pushtet janë « infektuar » nga individualizmi, egoizmi apo egocentrizmi. Disa « qënie njerëzore », duke u vënë në rolin e hyjnive apo duke luftuar në emër të tyre, manipulojnë një numër besimtarësh.
Duket qartë se dy Luftërat Botërore, dhe luftërat e tjera të shumëllojshme nuk kanë shërbyer si mësim. Bota e shekullit XXI, e ushqyer nga urrejtja, dhuna dhe lufta, rrjedhimisht ndodhet e zhytur në trishtim dhe dhimbje. Elementët në vazhdim janë mjaft shqetësues dhe vënë në pikpyetje të ardhmen e Njerëzimit. Mos vallë shoqëritë botërore janë viktima të strategjive të tyre politike, ekonomike dhe ushtarake ? A janë këto shoqëri në gjendje ti bëjnë ballë luftës dhe terrorizmit ?
Gjatë këtyre pesë viteve të fundit, konfliktet brenda dhe midis vendeve janë shumëfishuar. Disa zona gjeografike janë më të prekura se të tjera, si për shembull në Europë (Ukraina), në Afrikë (Bregu i Fildishtë, Republika e Afrikës Qendrore, Libia, Mali, Nigeria, Republika Demokratike e Kongos, Sudani Jugor dhe Burundi), në Lindjen e Mesme (Jemeni, Iraku, Siria, Izraeli, Palestina), dhe në Azi (Kirgistani, Burma, Pakistani).
Të gjitha konfliktet e listuara më sipër kanë qenë dhe janë fatkeqësisht një treg fitimprurës për shitjen e armëve nga vende të cilat në rang botëror janë fuqi të mëdha ekonomike dhe ushtarake. Për shembull, në vitin 2014, pesë shtetet që kanë shitur më shumë armë në nivel botëror janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca. Gjatë një lapsi kohor mes 2010 dhe 2014, këta shtete mbeten pothuajse të njëjtat dhe janë të konsideruara ende si vendet që kryesojnë ne listen e shitjeve të armëve në planet. Klientët e tyre janë kryesisht vendet në konflikt. Në këtë rast kemi të bëjmë me një bisnes me dy tehe, sepse në të njëjtën kohë ndihmon për sigurinë e vendeve të kërcënuara nga lufta por edhe shkakton vrasje (kryengritje, lëvizje puçiste) në shtetet pa stabilitet politik dhe ekonomik.
Këto armë, të rëna në duart e personave që udhëhiqen nga besimet apo ideologjitë e tyre, kanë shkaktuar humbjen e mijërave jetëve. Duke filluar nga 2009, 13 mijë njerëz janë vrarë në Nigeri nga terroristët e grupit Boko Haram. Që nga 2011, konfliktet dhe lufta në Siri kanë shkaktuar 240 mijë viktima, ndër të cilat 71 mijë civilë. Që nga 2013, 50 mijë personna janë vrarë në Sudanin Jugor. Nga prilli i vitit 2014, 6 mijë persona janë vrarë në konfliktin ukrainas.
Në këto tragjedi të shumta, edhe fëmijët nuk janë kursyer. Në vitin 2014, sipas UNICEF-it, 15 milion fëmijë gjendeshin të përfshirë në konfliktet e ndryshme në Republikën e Afrikës Qendrore, në Irak, në Sudanin Jugor, në Siri, në Ukrainë dhe Palestinë. Nga viti 2011 deri në vitin 2013, 11 mijë fëmijë sirianë kanë vdekur, dhe më shumë se 7 mijë janë vrarë për shkak të bombardimeve ajrore, të shtënave të artilerisë, të atentateve me bombë apo të shpërthimëve të makinave. Sipas një raporti të ri të Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, në 2015 kjo shifër ka arritur në 11.964 fëmijë të vrarë.
Këto akte barbare, nën kostumin e zi të luftës dhe të terrorizmit janë shkaqet kryesore gjithashtu edhe të zhvendosjes me dhunë të qytetarëve, që i njohim ndryshe nën nofkën e refugjatëve, të cilët kërkojnë strehim në vendet e sigurta (paqësore). Për shembull, 11.7 milion refugjatë sirianë janë shpërndarë në vendet fqinje dhe në Europë. 2.25 milion refugjatë të Sudanit Jugor kanë braktisur po ashtu vendin e tyre. Në këto fatkeqësi lufte, terrori dhe migrimi, terrorizmi ka gjetur lumturinë e tij dhe tanimë ka filluar të eksportohet edhe në Perëndim, duke u infiltruar në turmën e refugjatëve të vërtetë.
Aktualisht, terrorizmi është bërë armiku publik numër një botë dhe ka përhapur panik edhe në vendet ku mbizotëron paqja. Për sa kohë që nuk ishte eksportuar në Europë, për shumë perëndimorë, ai ishte vetëm një kërcënim i largët ose televiziv. Por sulmet në Francë kundër redaksisë të Charlie Hebdo (Janar 2015) dhe ato të Parisit (Nëntor 2015) kanë tronditur “Kontinentin e vjetër”. Europa gjendet përballë një faze delikate, në dilemë sepse është e detyruar të marrë përsipër disa misione në të njëjtën kohë : pritjen e refugjatëve që ikin prej luftës dhe terrorit ; pranishmërinë e saj në frontin e luftës në këto vende; menaxhimin dhe mbrojtjen e qytetarëve të saj kundër kërcënimeve terroriste.
Sipas një raporti global kundër terrorizmit të përgatitur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, gjatë gjithë vitit 2014 ka pasur 13.463 attentate në 95 shtete ku kanë mbetur të vrarë 32.727 njerëz. Këto atentate (vrasje) janë arsyet më urgjente për të krijuar aleanca, në shkallë më të mëdha, përse jo botërore, për t’i bërë ballë luftës në përgjithësi, dhe sidomos terrorizmit në veçanti. Kjo gjë mund të arrihet përmes bashkimit dhe vizionit, duke mësuar po ashtu edhe nga gabimet e të kaluarës (si për shembull ndalimin e shitjeve të armëve…), dhe vetëm atëherë do të jetë e mundur përballja me këta barbarë ç’njerëzorë, të cilët dëshirojnë të zgjerojnë “këndin e lojës” së tyre.
Kohë të zymta po qarkullojnë në planetin tonë. Nelson Mandela ka thënë dikur : « Ne punojmë së bashku për të mbështetur guximin atje ku ka frikë, për të inkurajuar negociatat atje ku ka konflikt, dhe të japim shpresë atje ku dëshpërimi mbretëron ». Mbase duke u mbështetur në këtë reflektim, bota dhe liderët e saj do të përballonin më me kthjelltësi luftërat dhe terrorizmin.