Alma Fishta, një Antigonë shqiptare përballë fatalitetit të funeralit kreon…»

“Shënoj dimensionin supra-historik e supra-gjeografik dhe karakterin specifik e human të këtij libri : larg një sentimentalizmi apo një moralizimi demode, tema e mëmësisë zgjerohet dhe zhvillohet si adhurim i kultit të jetës, në ekzaltimin e transmetimit të saj, dhe të të gjitha formave të fertilitetit (péguyfions ! péguyfions !), pasi nuk është rastësi që, në kontrapunkt të folklorit vulgar (dhe nacionalist), të orkestruar nga pushteti diktatorial, romancierja na flet për këtë formë tjetër të riprodhimit që është mbarsja artistike, dhe paralelisht, të shkëmbimit të vërtete të artit, të ushqimit të vërtetë që përftohet prej tij. Gjendemi këtu në një pikë ku fjala njerëzim nuk dallohet më nga ajo  humanizëm.” AZ

 

Alexandre Zotos

Romani Kloroform i Klara Budës

E përktheva këtë libër, dhe kjo për mua është tanimë një arritje : nuk pretendoj që tu jap në dorë « çelësat » për të hyrë në të, por vetëm t’ju përcjell emocionet si lexuesi i parë i tij.

Ishte një angazhim i vështirë por ekzaltues të kërkoje, apo të kapje, në « rrjetën » e frëngjishtes, një virtyt të dyfishtë : ironitë përvëluese   dhe analizën e hollë psikologjike.  Të pasqyroje shpirtin e autorit, ashtu siç transmetohet tek personazhet dhe nga ato tek ne, vënien në skenë të ndjenjave apo situatave, e të gjitha këto nën shenjën e ekonomisë së tekstit, të kthjelltësisë, aluzionit, elipsit dhe të ambivalencës, gjë që i mundëson lexuesit të ketë imagjinatë, dhe përbën, në të njëjtën kohë, të gjithë nervin e frazës.

Tani ju gjejeni vetë se kush, Roman Polanskit apo  Brian de Palma do të përshtaste më mirë në ekran historinë që na tregohet këtu. Pasi burleskja e realitet-fiksionit bëhet përmes ekstravangacës herë herë edhe halluçinacion apo  ankth marramendës.

Historia na rikthen në Shqipërinë staliniste. Por ju siguroj, që në fillim, se ky roman nuk është një roman më shumë në listën e gjatë të librave shqiptarë mbi jetën e burgjeve. Në të kundërt ai përshkruan përditshmërinë e shurdhët, mbytëse e memece apo alienimin e çnatyrimin e jetës në burgun e gjerë në qiell të hapur, që rrethon burgjet dhe kampet e vërtetë. Sigurisht, monstruozitete  fshihen pas tyre, por mbi to diktatura di të hedhë vellon e ti mbulojë. Në këtë vend e kohë edhe më të informuarit e më të qartët nuk mund të shprehen vetëm se fshehurazi e tek të besuarit e tyre. Kështu shikojmë të degëzohet e të zhvillohet përgjatë librit, në mes të temave të tjera, edhe tema e fshehtësisë, apo e të fshehurës.

Faktikisht, me përjashtim të disa « spastrimeve » që preknin figurat e larta politike dhe alarmonin pak a shumë mediat e huaja, diktatura arrinte të harrohej  ose të bëhej e padukëshme për opinionin publik ndërkombërtar. Madje në thelb, diktatura (regjimi) arrinte të  fshihte prej shumicës së njerëzve dëmin që ajo u shkaktonte atyre, dhe libri tregon mjaft për faktin se vetëdija, apo ndërgjësimi për këtë nuk ishte i vetvetishëm. Në qoftë se Qaniu, mjeku i dështuar, i shndërruar në roje të morgut, duket si projeksioni, apo trupëzimi i vërtetë apo figurshëm, i një shteti kriminal, i makinës së tij vdekjeprurëse, ai është njëkohësisht edhe vetë viktimë e tij.

Pavarësisht fatit të veçantë të Shqipërisë, libri na fton, në këtë mënyrë, të penetrojmë themelet e çdo regjimi disiplinor dhe shtypës, që hyn domosdoshmërisht në konflikt me jetën, me energjinë e pa shkatërueshme shpirtërore, që ajo përmban e që herët apo vonë, do të preket e do të pëlcasë. Paradoksi dhe paradigma, këtu, mbështeten në faktin se regjimi vetëshpallet  kampion  i jetës, i rinisë, i një të nesërme të gëzuar. Madje në këtë rast, ai është kategorikisht kundër abortit…dhe kjo mund të kontribuojë në më makabren dhe më të pamëshirshmen e maskaradave.

Unë nuk mund ta fsheh simpatinë e thellë që ndiej për Alma Fishtën, këtë Antigonë shqiptare, e cila përballë Kreonëve nuk mbron më të drejtën e të vdekurve për një varr e varrim dinjitoz, por atë të të gjallëve, për integritetin e tyre dhe të jetës së tyre. (Në të dy rastet, është e vërtetë që gjithçka fillon nga një kërkesë dashurie dhe respekti, nga një ndjenjë njerëzore).

Ndër të tjera ky roman, përmes heroinës së tij, të përcjell një homazh emocionues për gruan. I shkruar nga një grua, ai ka efektin e një raketë që çan qiellin e një Shqipërie të zymtë, ku ende dhe përtej lejueshmërisë postkomuniste : në parim, gruaja gjykohet në funksion të burrit ; ajo ishte dhe mbetet prehja apo hija e tij… më shumë burrneshë, që bëhet  zëvëndësuesja e tij, sesa grua me feminilitet, almus[1], më shumë se alma. Kjo do të thotë se emancipimi i vërtetë mbetet në rendin e ditës si edhe në shumë në vende të tjera përveç Shqipërisë, duke filluar nga ato , të cilatne i besojmë më të emancipuara. Romani duke kombinuar të drejtën  e jetës, bukuritë e mëmësisë, lirizmin e dëshirës,  lirinë e fjalës dhe të mendimit, gjithçka që është ushqyese për shpirtin, por jo vetëm (kujtoj këtu, aluzionin për Mendeshat e Dionysos-it), i mëshon idesë se gjithçka që të mëson, të ndërgjegjëson, të ndihmon në afirmimin e vetvetes kundrejt dhe kundër peshës dhe presionit të kolektivitetit.

Pasi, në qoftë se libri i Klara Budës pasuron pikturat ekzistuese të diktaturës shqiptare – që i shtohen atyre të poetit Fatos Arapi, mbi burimet dhe mjetet e rezistencës shpirtërore – është nëpërmjet pasqyrimit të një « skleroze sociale » që ai e sjell vërtet risi. Dhe pikërisht kemi të bëjmë me stigmatizimin e një kolektivizmi shumë shtresor : familjar, klanik, kooperativ, provincial, kombëtar për të mos thënë nacionalist, e që shfrytëzohet mirë nga rregjimi për kolektivizmin e detyruar dhe ku më në fund është patriotizmi i pastër që paguan faturën e konfuzionit të vlerave, të një perversioni të gjeneraizuar.

Le të rikthehemi, për të përfunduar, në dimensionin supra-historik e supra-gjeografik dhe të karakterit specifik e human të këtij libri : larg një sentimentalizmi apo një moralizimi demode, tema e mëmësisë në fund të fundit zgjerohet dhe zhvillohet si adhurim i kultit të jetës, në ekzaltimin e transmetimit të saj, dhe të të gjitha formave të fertilitetit (péguyfions ! péguyfions !), pasi nuk është rastësi që, në kontrapunkt të folklorit vulgar (dhe nacionalist), të orkestruar nga pushteti diktatorial, romancierja na flet për këtë formë tjetër të riprodhimit që është mbarsja artistike, dhe paralelisht, të shkëmbimit të vërtete të artit, të ushqimit të vërtetë që përftohet prej tij.

Gjendemi këtu në një pikë ku fjala njerëzim nuk dallohet më nga ajo  humanizëm.

Përktheu nga frëngjishtja Aurenc Bebja

[1] Du latin, almus, le masculin du alma- shpirteror, ushqyes