MENDIME MBI FIKSIONIN GJEOPOLITIK: “Klara Buda parashikon marshimin e Sheshelit drejt Preshevës”
Nga Emil Asdurian
Nuk është hyrje, por bindje në atë që dhe kur diskutojmë për të njëjtin problem dhe kemi mendime të kundërta, kjo a) nuk do të thotë që s’kemi qëllime të njëjta t’i shërbejmë më mirë atdheut tonë, por edhe për çfarëdo çështje tjetër dhe b) jo çdo argument i dhënë ka vlerë absolute, pra midis të mirave ka dhe pjesë të këqija, ose që s’janë të pranueshme dhe anasjelltas.
Them e pasaktë për të shkretën gjeopolitikë të Ballkanit ku në qendër, po në mes të tij ndodhen Shqipëria dhe Kosova, pjesa e përbërëse e saj e ndarë më 1913, sepse nuk merren parasysh dhe shumë faktorë të tjerë që lidhen me gjeografinë ku hyn BE, ajo e cila në të vërtetë ish ideatorja e ndarjes, SHBA dhe ndoshta më pak nga këto Rusia dhe Turqia. Së dyti, faktori psikologjik që ka të bëjë me mendësinë, ndërgjegjen dhe kulturën kombëtare në regjion. Jam i sigurt që autorja do ta prekë këtë në të ardhmen, por këtu nuk do e lëmë pa e përmendur.
Në fillim, ashtu si dhe në mesin e artikullit, përsëritet fraza e mëposhtme, që lë të vetëkuptohet se duhet të jetë e rëndësishme:
“Në këtë moment preciz, trumpetimi i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën është një patericë e idesë së ndarjes së Kosovës dhe si rezultat është kundër interesit kombëtar shqiptar. Nëse marveshja e ndarjes së Kosovës (e kamufluar si korrigjim) do të firmosej, Kosova do të tkurej si lëkura e chagrin-it. Ajo do të humbte veriun, pasuritë vitale të saj dhe nuk do ta merrte kurrë Preshevën.” (KB)
“Në këtë moment preciz (?)”, çfarë ka ndryshe ky “moment” i sotëm me gjithë momentet e tjera të historisë sonë, para, në dhe pas ndarjes së trojeve tona. Madje më duket, sipas reagimeve të disa prej shteteve më të fuqishme, ky faktor, ndoshta më i rëndësishmi për herë të parë është në favorin tonë. BE dhe SHBA qysh me luftën e NATOs për Kosovën e kanë treguar me vepra se do të luftojnë për një Shqipëri të qëndrueshme Europiane, larg ndikimit dhe ndërhyrjes lindore ruse apo dhe turke, ku dihen qartë përpjekjet e të dy palëve. Kalifati e ka syrin të zgjerohet deri në Bosnje, si dikur dhe Perandoria e Stepave të risë ndikimin nëpërmjet Serbisë. Së dyti, ky moment preciz ka vazhduar të jetë i qenësishëm në mënyrë të pandërprerë qysh nga shpallja e pavarësisë për një njëjtësim, si kurrë ndonjëherë më parë, të ndërgjegjes kombëtare. Në gjuhë, letërsi, në muzikë dhe tek të gjitha të tjerat që e përbëjnë. Të gjithë janë të bindur se bashkimi jo vetëm është pranë, por eminent, pavarësisht nga gjendja e dy shteteve, por edhe nëpërmjet tyre.
“trumbetimi i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën është një patericë e idesë së ndarjes së Kosovës dhe si rezultat është kundër interesit kombëtar shqiptar.” (KB)
Trumbetimi i bashkimit nuk është patericë e ndarjes. Se trumbetimi i bashkimit nuk ka rreshtur kurrë që kur u nda Shqipëria, me luftëra dhe kryengritje, gjak dhe mund. Nuk është se mbiu tani në këtë çast, kumboi dhe kumbon deri sa të zgjidhet. Në fakt ndarja ose marrja e një krahine apo dhënia e një tjetre, s’është veç një patericë dëshpërimi për Serbinë, përpjekje të përfitojë nga çfarë humbi përgjithmonë pas luftës së vitit 1999.
Ky trumbetim si dhe pohimet e mësipërme mbështeten mbi disa dokumente themelore, kronologjikisht të renditura si më poshtë:
• Këshilli i Sigurisë shpalli Kosovën si krahinë e pavarur nga qershori 1999 deri në shkurt 2008, kur e vendosi nën qeverisjen dhe kontrollin e misionit të saj të posaçëm në Kosovë. Rezoluta 1244.
• Më 15 maj 2001, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë miratoi “Strukturën Kushtetuese për vetëqeverisjen e përkohshme”, e cila edhe pse nuk ishte kushtetutë e vërtetë, e përcaktonte Kosovën si “një entitet (të plotë, të pandarë) nën mbrojtjen dhe administrimin ndërkombëtar të përkohshëm”.
• Kushtetuta e vitit 2003 e shtetit të ri të sapokrijuar Serbi-Mal i Zi e njohu zyrtarisht këtë status si një krahinë e pavarur bashkë me Vojvodinën dhe Metohinë.
• Në kundërshtim me qëndrimin e Rusisë në Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca, përkrahnin mëvetësinë e Kosovës, e cila u shpall në fund të vitit 2007 dhe u njoh menjëherë nga 100 shtete.
• Në prill 2013, u arrit Marrëveshja e Brukselit, që edhe pse siguron interessat e pjesës serbe në Mitrovicë në fakt përforcon edhe një herë këtë kërkesë legjitime të kombit tonë.
Edhe pse procesi as nuk është përfunduar dhe as nuk është legalizuar, duket qartë që kthimi mbrapa do të jetë tepër i vështirë, në mos i pamundur. Gjithashtu, kjo ecuri e mbështetur nga Fuqitë e Mëdha në njëfarë mënyrë rrëzon dhe dy premisa të tjera të shkrimit si:
“Së pari, bashkimi Kosovë-Shqipëri… do të realizohej vetëm me një strategji afatgjatë dhe të menduar mirë dhe do të ishte i mundur të finalizohet vetëm kur të dy shtetet të jenë të fortë dhe funksionalë.” Qartësisht forcat madhore nuk pyetën për asnjërin prej shteteve tona të dobëta, si nuk pyetën as për të dytën, “Kosova është definuar si një shtet multietnik dhe jo shtet etnik shqiptar.” Gjeopolitika Perëndimore në regjion promovonsi mëvetësinë e Kosovës ashtu si dhe bashkimin e natyrshëm të saj me tokën amë.
Hyrja në NATO e bën të pamundur zbritjen e Sheshelit në Kosovë, ashtu siç e bën dhe ngritja dhe përforcimi i ushtrive shqipëtare. Neve na mbetet të bëjmë unifikimin e plotë njëherazi dhe gradualisht me këto lëvizje te miqtë dhe aleatët tanë. Se në të vërtetë asgjë kurrë nuk na ka ndarë. Dhe automatikisht çdo ndarrje territori për çfarëdo arsye është ligjërisht, gjeopolitikisht dhe politikisht e papranueshme jo vetëm për nga vlera aktuale ekonomike, por se është trualli ynë dhe sikur të jetë fare shkretëtirë. Është derdhur shumë gjak dhe ka shumë eshtra në të, sa s’mund të këmbehet me asgjë. Shesheli të ëndrrojë sa të dojë.