15 Tetor 2015
Në një Bashki, kanë afishuar fytyrat e njëqind të rinjve të shkëlqyer në mësime, pra me rezultate dhjeta.
Ka të rinj që më pyesin nëse është e drejtë kjo apo jo? Madje disa shkojnë edhe më tej duke e quajtur këtë metodë komuniste.
Unë nuk mendoj se është një metodë komuniste dhe as se është bërë me qëllim të keq – por, kjo pak rëndësi ka. Pas kësaj praktike fshihen mentalitete të gabuara, me të cilat janë edukuar disa dhe për pasojë kjo gjë u duket e natyrshme. Por këta, nuk e njohin as arsimin, as filozofinë e arsimit dhe as sociologjinë e arsimit.
Unë mendoj se afishimi i fytyrave të nxënësve me dhjeta jo vetëm nuk është i drejtë, por ai është naiv, i paditur, dhe madje qesharak.
Sikurse e ka shpjeguar dhe vërtetuar sociologu i njohur europian Burdieu në një traktat qindra faqesh, mësuesi i mirë dhe pastaj agjencitë e tjera duhet të mendohen mirë kur vendosin një notë të shkëlqyer, që në sistemin tonë është nota dhjetë.
Ata duhet të mendojnë : a ja vendosin dhjetën nxënësit, apo prindit?
Ka nxënësa me dhjeta që në fakt dallojnë prej të tjerëve jo për meritë të tyre, por se në krahasim me nxënësit mesatarë kanë :
- Kushte më të mira familjare për të mësuar, biblioteka, kompjutera, mësues privatë, kanë mundësi më të mira për të marrë informacion, përmes Internetit,apo ushqehen më mirë, të gjitha këto u japin superioritet ndaj të tjerëve, etj.
- Kanë prindër me formim intelektual më të lartë që reflektojnë dije në shtëpi, dhe i ndihmojnë fëmijët e tyre.
- Kanë influenca mbi shkollën për shkak të parave, gjendjes ekonomike, lidhjeve politike, dhe ndikojnë tërthorazi ose drejtpërdrejt mbi mësuesit.
Kjo kategori dhjetanjosësish duhet të jenë modestë dhe të kuptojnë se dhjetat e tyre nuk janë kryesisht vetëm merita e tyre, por i avantazheve që ata kanë në krahasim me të tjerët, pra i prindërve dhe e familjeve të tyre.
Në këtë rast mësuesi dhe punonjësi i Bashkisë nuk kuptojnë dhe nuk arrijnë të relativizojnë, se notën dhjetë nuk e ka marrë nxënësi që ata e quajnë të merituar, por familja, babi, mami, gjyshi.
Nuk përkrahin kështu meritokracinë, por përkrahin pasojat që sjellin pabarazitë e mëdha sociale dhe padrejtësitë shoqërore që bërtasin në cdo cep, dhe japin këtë konfiguracion notash në shkollë.
Për mua një nxënës që merr dhjetë duke qenë në kushte sociale, kulturore dhe ekonomike njësoj me të tjerët e meriton; atij i heq kapelen dhe i përulem deri në tokë. Por, një dhjetanjosi bufalaq, kokëtul, llasticë*, që nuk vlen për asgjë, por dhjeta i vjen se ja ka falur familja… unë i kthej kurrizin dhe as dorën nuk i jap derisa të kuptojë se ai duhet të eci me këmbët e veta dhe jo me paterica.
Pra një djalë ose vajzë që del me nota shtata ose teta, por jeton në kushte privimesh sociale, që nuk ka mbështetje, lufton me kushtet, dhe përparon megjithëse vjen në shkollë gjysëm i uritur, për mua është një milion herë më i dalluar sesa një dhjetanjos kokëtul që nuk ka asnjë meritë dhe aftësi më shumë se sa të tjerët, por dallon nga ta vetëm se vjen në shkollë me fuori strade, se ka shtadhjetë tableta, piano, e violinë në shtëpi, mësues privatë, dhe detyrat ja bëjnë të tjerët.
Në këtë rast unë kokëtulin dhjetanjos do ta kisha zbritur nga tabela e nderit të bashkisë dhe do të kisha hypur nxënësin që ndonëse me nota mesatare ja del të përballojë mungesat e familjes dhe madje ndofta vjen në shkollë i uritur.
Matës i meritës, në këto kushte, nuk është nota, aspak fare, por sesa arrin një nxënës me forcat e veta, brenda mundësive që ka, si rezultat sa më të lartë.
Ja pse mesatarja e shkollës për të vlerësuar nxënësit është një verë në ujë, është një padrejtësi sociale, është monumentalizimi i padrejtësive sociale që projektohen te shanset e pabarabarta për nxënësit dhe që reflektohet edhe në rezultatet e tyre.
Por, nuk ka faj bashkia. Ku merr vesh bashkia, ciladoqoftë ajo, nga sociologjia dhe filozofia e arsimit. Fajin e kanë institucionet e specializuara që nuk kuptojnë se cfarë po bëhet në arsim.
Ka në ndonjë bashki, nga ata që nuk kanë haberin nga arsimi dhe sa e prekin atë, si me magji, e shkatërrojnë, pasi nuk e njohin arsimin e lartë, jo më të njohin çerdhet e kopshtet, apo shkollat e mesme, që janë më të ndërlikuara. I njoh me emër dhe mbiemër se ngjiten pas karrierës si Maaaaa…stiç.
Prandaj mendoj se ajo tabelë nderi me fytyra nxënësish me dhjeta, duke u përulur, thash, për ata që kanë dhjeta me meritat e tyre, por që duhet punë për t’i dalluar nga kokëtulat dhe bythpambukët, është monumenti i padrejtësive sociale, i ngritur në simbol gjoja meritash personale të të rinjve që riprodhojnë pabarazinë e shanseve që mbretëron në shoqërinë tonë.
Ato janë prova dhe treguesit se si një shoqëri e keqe bën padrejtësira qysh në bankat e shkollës. Shtyp me këmbë dhe fyen fëmijët e shtresave më pak të ardhura, pa pushtet, ose shtresave të mesme, për të diferencuar padrejtësisht bullafiqët e pasur.
Kështu do të thoshte Burdieu po ta shihte këtë tabelë nderi, dhe do të ikte i trishtuar duke shëtur buzë Lanës, për fatin e rinisë shkollore.
*Kur them “kokëtulat dhjetanjosë” e kam fjalën vetëm për ata që e kërkojnë dhjetën te pamerituar me cdo çmim, e marrin padrejtësisht, dhe e besojnë edhe vetë se janë të shkëlqyer kurse në fakt përfitojnë pa të drejtë nga avantazhet që u krijohen për arsye që nuk kanë të bëjnë me meritat e tyre.