Abdulla Tafa, një lartësi e përulur në “Perandorinë e Letrave Shqipe”

 

Poesia e [Abdulla Tafës] lexuesit i vjen si një atraksion i realizuar çuditërisht bukur, si një eksperimentim shumë interesant artistik. Poezia e këtij autori e ka dëbuar angazhimin në aktin letrar […] Në vend të këtij “mishi të egër” të artit, duke u liruar nga qëllimshmëria, duke u përcaktuar për një leksik elegant poetik […] në mënyrën e shkëlqyer të L. Poradeci, ai, megjithatë, mesazhin poetik e ndërton duke e lënë kohën dhe hapësirën të duken vetvetiu, në “zymtësinë“ e vet me tërë argumentet e veta të domosdoshme.” Nehas Sopaj

“[ …] Tafa vendin me të lartë e arriti si poet. Me librin Place de la Concorde, një nga librat më të rëndësishëm në këto 25 vite të pluralizmit, Tafa e vuri veten në vlerat më të mira që ka arritur lirika shqipe.” Sadik Bejko

KLARA BUDA
ABDULLA TAFA ESSEYS

New York, 1 Korrik, 2015

U nda papritur nga jeta, pas një semundje të rëndë, poeti, esteti dhe studjuesi Abdulla Tafa. Si poet, ai do të kujtohet për disa botime me poezi, ku do të veçonim Place de la Concorde. Si estet ai do të vlerësohet për monografine  Kodra – Një Universdedikuar vepres së piktorit kubist Ibrahim Kodra, Ave Musicus, dedikuar dirigjentit Mustafa Krantja, por edhe për një numër esesh të botuara në punime kolektive, kryesisht mbi artin pamor, muzikën dhe  etnografinë.

Place de la Concorde, vëllim me poezi dhe ese, 2002, është një përmbledhje përfaqësuese e shpirtit të tij poetik, e artistit modern e post modern. Kjo frymë ishte e pranishme gjatë bisedave me të dhe paraqitjes së artistëve të tjerë, gjithmonë me bujari e pozitivitet, duke hedhur bazat e një estetike ndryshe, të distancuar nga kritika e politizuar e praktikuar shpesh, ende sot, në ”perandorinë” e letrave shqipe.

Në periudhën postkomuniste ku kanë vërshuar poetët e anatemuar, të cilët sikur duan t’ia shndërrojnë fizionominë e “ngrysur” artit letrar shqiptar të periu-dhës totalitare, poeti dhe kritiku Nehas Sopaj e quan si një zbulim sensacional poezinë post-hermetike të Abdulla Tafës e që ka një leksik elegant poetik, në mënyrën e shkëlqyer të L. Poradecit: ” që lexuesit i vjen si një atraksion i realizuar çuditërisht bukur, si një eksperimentim shumë interesant artistik. Poezia e këtij autori e ka dëbuar angazhimin në aktin letrar e sidomos artin me tezë. Në vend të këtij mishi të egër të artit, duke u liruar nga qëllimshmëria, duke u përcaktuar për një leksik elegant poetik (siç dihet, këtë në mënyrë të shkëlqyer e bënte L. Poradeci), ai, megjithatë, mesazhin poetik e ndërton duke e lënë kohën dhe hapësirën të duken vetvetiu, në zymtësinë e vet me tërë argumentet e veta të domosdoshme.” Ky lektor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin Saints Cyril dhe Methodius në Shkup e quan zbulimin e Abdulla Tafës aq sensasional sa është njohja e poezisë hermetike të Zef Zorbës pas vdekjes, apo zbulimi i poetit të mrekullueshëm Pano Taçit.

Poeti Sadik Bejko shprehet se: “Flasin për të si eseist, si studiues, kritik arti, nuk i perjashtoj, ai ka qënë një njohës i estetikes së modernizmit. Ai besonte në parimet e një arti puro, jashtë estetikës sociologjike dhe të politizuar. Por [Tafa] vendin më të lartë e arriti si poet. Me librin Place de la Concorde, një nga librat më të rëndësishem në këto 25 vite të pluralizmit, Tafa e vuri veten në vlerat më të mira që ka arritur lirika shqipe.”

Abdulla Tafa, ishte një poet dhe një njohës i rrallë i letërsise botërore dhe estetikës moderne, por edhe një humanist i bindur, ai lë pas një vepër të rëndësishme por të papërfunduar. Largimi i tij i parakohshëm do ti rëndojë letrave shqipe.

Por jeta letrare e Tiranes, e ndarë në klane të vogla, nuk bëri një vlerësim të merituar dhe në kohë për artin e Abdulla Tafës. Po bëhen evidente edhe mëkate të tjera të këtij universi letrar, të përçarë nga politika e ditës, i cili në mënyrën më të pabesueshme dhe në ndryshim nga të gjitha vendet e Europës së Lindjes ka berë qe shembja e totalitarizmit në sistem të mos e lekunde “Principatën” e Letrave Shqipe, ku janë në fuqi të njëjtët princër, janë ende në fuqi të njejtët estetë, apo mos ndoshta edhe e njëjta kritikë ish – zyrtarë, apo “zyrtarë”? … Edhe këtu si në çdo sferë tjetër “duhet” të pozicionohesh në një klan, apo në një tjetër, kjo e shpjegon ndoshta heshtjen ndaj individualiteteve krijuese si Abdulla Tafa.

LA PLACE DE LA CONCORDE [1]

dhe jo vetëm në Paris

Në sheshin e bukur të mirëkuptimit

Dihat dikush pa sytë

Në gropat e syve. 

Amen!

Përse u dashka të shohin sytë

Si ia luajnë lojën lojës

Në Place de la concorde!

Kur të vini, eh, kur të vini

Duhet të hiqni veshët nga vendi i veshëve

Oshëtinë, ulërinë ëmbëlsisht, mjaltësisht

Zërat e ëmbël të sirenave,

Në Place de la concorde.

Në sheshin e bukur të mirëkuptimit

Sidomos gjuhë nuk duhet pasur 

Amen!

Gjuhë do të thotë labirint

Si ta zëmë labirinthi i Kretës

Si ta zëmë labirinthi i pallatit Luksor

Ose labirinti labirintik i Dublinit

Ku Leopold Blumi nuk e gjen dot

Fillin shpëtimtar të Arianës

Në fundin e fundit të labirinthit

Pret e uritur uria

E gojës së hapur të Minotaurit

Amen!

Meqenëse sytë, veshët dhe gjuha

Siç dihet, janë pjesë e kokës

Më mirë mos e merrni kokën

Në sheshin e prerjes së kokave

Me emrin e bukur

PLACE DE LA CONCORDE

[1] Tafa, A. La place de la Concorde, Ombra GVG, Tiranë, 2002, faqe 106

Per me shume mbi kete vellim poetik dhe poesine e Abdulla Tefes, ju rekomandoj  Poeti dhe Poezia, Place de la Concorde, Nehas Sopaj, 2010