Ne i besojme me shume miresise se te huajve se sa drejtesise se shtetit tone

“Ne i besojme me shume miresise se te huajve se sa drejtesise se shtetit tone”

Frida Bedaj

New York 2 Shtator 2015

Gazmend Kapllanin e njoh prej shumë vitesh. Ai ka qenë për ne gazetarët e rinj në Greqi një frymëzim, të paktën për opinionin tim. Nuk është e lehtë të arrish sukses në vende konservator si Greqia, sidomos për brezin e parë të emigrantëve. Kjo tregon edhe një herë se kur dikush dëshëron diçka e punon me këmbëngulje, e arrin qëllimin e tij. Gazmend Kapllani lindi në Lushnje më 1967 ku edhe mbaroi shkollën fillore dhe të mesme. U largua nga Shqipëria për në shtetin fqinjë, Greqi, në vitin 1991, ku ashtu si të gjithë emigrantët bëri punë të ndryshme për të mbijetuar dhe njëkohësisht studjoi. U diplomua për Filozofi në Universitetin e Athinës dhe që prej vitit 2007 eshte Doktor i Shkencave Politike dhe Historike të Universitetit Panteio në Athinë. Tema e doktoratures se tij ishte “Imazhi i Shqiptarëve në shtypin grek dhe i Grekëve në shtypin shqiptar (1991-2001)”.

Gazmend Kapllani ka botuar dy libra me poezi në shqip:“Në kërkim të tjetrit”, 1991 dhe “Kontrabandëmuze”, 1997. Ka botuar gjithashtu edhe librat: “Ditar i vogël kufijsh” (2006), “Më quajnë Europë” (2010) dhe “Faqja e Fundit”, i shkruar në greqisht. Libri i parë është përkthyer deri tani në anglisht, polonisht, danisht, frengjisht dhe italisht. Ditar i vogel kufijsh eshte adaptuar per skene nga Bornholm Teater ne Danimarke dhe nga Teatri Kombetar i Shurdheve ne Greqi dhe eshte shqafur ne Danimarke, Greqi, France dhe Bolivi. Librat “Me quajne Europe” dhe “Faqja e Fundit” jane perkthyer ne frengjisht. Librat e tij janë best seller. Ëshë nderuar me tituj nderi nga organizata greke dhe të huaja për aktivitetin e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut, të lirisë së fjalës, si edhe si shkrimtar që gersheton realitetin me imagjinatën ne nje menyre te veçante.

Temat e tij të preferuara jane Ballkani dhe historia e tij. Disa nga referatet e tij për këtë teme janë mbajtur në universitetet më prestigjoze amerikane, si Univeristeti i Michiganit, i Columbias në Nju Jork dhe ai i Harvardit në Boston.

Në librin e tij “Ditar i vogël kufijsh” ai përshkruan me një mjeshtëri të rrallë se si ishte të kapërceje kufijtë, temperamentin e tij, si dhe atë çka Shqiptarët gjetën në Greqi. Ai nuk ndalet vetëm tek ky libër, i cili si të thuash i hapi atij dritaren e të qenit një shkrimtar, i cili që në librat e parë të tij pati shumë sukses. Në librin e tij “Më quajnë Europë” ai përshkruan me shumë hollësi situatën e imigrantit. Në librin e tij ai do të theksojë se: “Ëndërroj një botë pa imigrantë, por kjo është e pamundur. Një botë pa imigrantë/emigrantë do të thotë një botë e lire nga varfëria dhe tirania. Një botë e lire nga dëshira e njeriut të permiresoje jetën e tij. Një botë pa imigrantë do të ishte e rëndomtë. Në të njëjtin moment e quaj veten time shumë me fat që isha imigrant. Emigrimi/imigrimi është një proces shumë i rrezikshëm dhe njëkohësisht  krijues. Duhet të kesh guxim në fund të fundit që të vendosesh të fillosh jetën nga zeroja, të mësosh gjithçka nga fillimi, gjuhën, emrat e rrugëve, emrat e njerëzve. Të bësh gjuhën e huaj, qytetin e huaj pjesën tënde, pjesë te gjeografise tende ekzistenciale. Në thelb ajo që çmend racistët është guximi i imigrantit të marrë jetën në duart e tij.Të jesh emigrant do të thotë të kuptosh fuqinë e deshirës dhe të mesohesh me lojrat ekstreme te fatit.” Me këto fjalë di të flasë Z. Kapllani me realitet duke u bazuar tek ndjenjat. Ai është jo vetëm një shkrimtar, tashmëi tre librave, por edhe një gazetar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Tashmë ndodhet në Amerikë ku erdhi si Fellow i Universtitetit te Harvardit dhe Universitetit Brown dhe është pedagog në dy kolegje prestigjoze te Bostonit, Emerson College dhe Wellesley College (kolegj i njohur edhe per faktin qe nga atje kane dale disa nga figurat e shquara te politikes Amerikane si Hilari Klinton dhe Madlen Ollbrajt. Ne kete moment Z. Kapllani eshte duke shkruajtur romanin e tij te katert.