JO linçimit të autorëve – PO korrigjimit të librave

Kërkesa për të vënë para drejtësisë autorin Shkëlzen Gashi për gabime në një libër është “un proces d’intencion” (proçes i qëllimit), është kthim në censurën totalitare dhe në logjikën e frikës. Gabimet e librave nuk korrigjohen duke i kthyer ato në vepra penale, dhe me hetimin e autorëve nën pranga, por me botimin e librave të reja, më të saktë e më të plotë.

Klara Buda
Anna Di Lellio Shkëlzen Gashi & Christopher Hyland, formes adviser of President Bill Clinton. Klara Buda taking “The Picture of the Day”—a document not only of people, but of purpose.

Paris, më 5 prill, 2026

Si u njoha me librin Masakrat e Kosovës (1998–1999)

U ndodha në New York kur u promovua libri: “Masakrat në Kosovë 1998-1999”. Nuk e njihja Z. Shkëlzen Gashi, por më njoftoi për aktivitetin miku dhe kolegu im i mirë, gazetari Halil Mula. Ndryshova planin e një pasditeje të planifikuar më parë dhe shkova në këtë promovim. Prezantimi i librit Masakrat e Kosovës (1998–1999) u zhvillua në Universitetin St. John’s, kampusi i Queens-it, i organizuar me kujdes të veçantë nga Ambasadori i Kosovës, Prof. Dr. Blerim Reka. Ishte një aktivitet që mblodhi studiues, shqiptarë e amerikanë që e duan Kosovën, në respekt të kujtesës, të viktimave dhe të dëshmorëve të Kosovës.

Mendoj se puna e bërë për këtë libër nuk duhet as të fshihet, as të linçohet, e aq më pak të kriminalizohet. Përveç se në totalitarizmin shqiptar, kurrë më nuk kam jetuar në një sistem ku shkrimi të jetë një vepër penale. Kriminalizimi i shkrimit, pra i mendimit fillonte me trokitjen e hetuesve të Sigurimit në shtëpi dhe përfundonte shpesh në pushkatim: Vilson Blloshmi së bashku me poetin Genc Leka u pushkatuan më 17 korrik 1977.

“Masakrat në Kosovë 1998-1999” mund dhe duhet të përmirësohet që të ketë sa më pak gabime e pasaktësi, të rishkruhet deri në perfeksion duke u bazuar në intervista të të mbijetuarve dhe me mbështetje të specialistëve shqiptarë e tê huaj. T’u kërkohet falje publike dhe me shkrim gjithë atyre që me të drejtë janë indinjuar nga gabimet dhe të ecet përpara. Madje edhe ekspozita mund të korrigjohej, dhe të zëvendësoheshin pjesët me gabime me ato të korrigjuara dhe të lejohej kështu të vazhdonte të kryente misionin e saj të nderimit të kujtesës, me ato pjesë që ishin korrekte e të sakta. Mjafton të pyesim veten se kush përfiton nga mbyllja e këtij memoriali në qiell të hapur, për të kuptuar se përfituesit nuk janë as viktimat dhe as shqiptarët në përgjithësi.

“Një artikull i keq është më mirë se asnjë artikull”, thotë një shprehje franceze që i atribuhohet Bernard Kouchnerit, ish Administratorit francez të Kosovës që shqiptarët e njohin mirë.

Kërkesa për të vënë para drejtësisë një autor për gabime në një libër nuk është kritikë konstruktive, por “un proces d’intencion” (një proçes i qëllimit), është kthim në censurë dhe në logjikën e frikës. Librat nuk korrigjohen duke kriminalizuar gabimet, hetimin e autorëve nën pranga, por me botimin e librave të tjerë, më të saktë e më të plotë. Nëse sot ndëshkojmë penalisht gabimet e librave, nesër askush nuk do të guxojë më të shkruajë.

“Leximi është një dialog me të vdekurit”, shkruante Montaigne, dhe çdo libër, sado i papërsosur, është një hyrje në këtë dialog.

Dikur, kur përktheva Mitrush Kutelin në frëngjisht, në promovimin e librit në Paris një bashkëkombës dëgjova t’i thoshte të ndjerit profesor Pernaska, gjuhëtar dhe profesor i shqipes në INALCO, se Kuteli është i pa-përkthyeshëm. U afrova; profesor Pernaska iu përgjigjej: t’u trembej krimbave, bujku nuk hidhte kurrë farë në tokë. Përkthimi im ishte aprovuar nga École Pratique des Hautes Études de Paris, nga drejtori i tezës profesor Christian G., anëtar nderi i Akademisë së Republikës së Kosovës, dhe vetë profesor Pernaska, me atë përkthim dhe biografinë e Kutelit unë isha diplomuar në një nga universitetet më prestigjioze në Francë, por këtij bashkëkombësi i dukej një punë e pamundur.

E njëjta gjë ndodhi kur, në rolin e botueses, përgatita për shtyp Voyage entre Illyrie et Albanie Via Egnatia, një turmë shqipfolësish me në krye Presidenten e Qendrës së Kosovës në Paris u hodhën në fushatë të tregojnë se libri nuk ishte botuar mirë, ndërkohë që Figaro Histoire i kushtoi një artikull elogjioz.

A ka gabime? Nuk besoj. Por një libër që mbulon një epokë mijëvjeçare, dhe megjithëse autorja është doktore shkencash dhe botuesja gjithashtu, gabimi është human, edhe mund të ketë. Kryesorja është se për herë të parë një libër trajton me kaq thellësi trashëgiminë dhe patrimoinen e shqiptarëve. E them këtë se fakti që Shkëlzeni nuk qenka ende doktor shkencash, nuk ka të bëjë me gabimet, nuk duhet domosdo doktoraturë për të shkruar punime serioze për kujtesën, më tepër do të ndihmonte puna në grup, sepse në botim duhen më shumë se një palë sy, duhet një ekip.

Kombet e mëdha nuk kanë arritur aty ku janë në një ditë, por me vite, me dhjetëra vite e shekuj dashurie për kombin, një dashuri më të madhe se sa dashuria për veten, duke tejkaluar egoizmin primitiv, sipas të cilit i pari vjen personi, i dyti familja, i treti klani e fshati, e kështu me radhë. I pari duhet të jetë kombi, sepse ai, si një çati e madhe, na mbron të gjithëve e na ndihmon të ecim përpara.

Mendoj, me modesti, se çdo fakt i përmendur në libër duhet të kontrollohet, të evidentohen të gjitha gabimet dhe të korrigjohen. Të shkatërrohet kjo kopje ose të pajiset me shënime “errata” dhe të tregohen faqet e gabimeve dhe pastaj të ribotohet libri. Por përderisa asgjë e tillë nuk është përfunduar, mos u bëni proces të qëllimit, dhe mos i linçoni autorët që punojnë për kujtesën, edhe pse libri mund të ketë gabime dhe harrime, sepse gabimi është human, dhe një individ i vetëm siç ishte rasti i Gashit nuk mund të mbulojë këtë punë kolosale të evidentimit të fakteve.

Le të marrim një shembull tjetër: Kam dëgjuar shpesh që flitet për 20 000 gra të përdhunuara në Kosovë. Mendoj se janë më shumë, por shifra të verifikuara nuk kam gjetur kurrë, sepse janë të rralla gratë që kanë dëshmuar. Ato zonja, si Sevdije Ahmeti, që punuan për identifikimin e tyre, u bënë “verem” nga shpifjet dhe presioni. Vasfie Krasniqi, heroina jonë, është e para që doli me fytyrë të zbuluar për të dëshmuar këtë krim sistematik lufte.

Pra nuk ka shifra të sakta për përdhunimet në Kosovë. A duhen futur në burg të gjithë ata që thanë se ka pasur 20 000? Ndërkohë që, me përafërsi dhe metoda shkencore, mund të arrihet në një shifër më të madhe? dhe këta e kanë zvogëluar? por më e madhe apo më e vogël, 20 000 mbetet një shifër e paverifikuar.

E them këtë për të kuptuar se gabimi do të ndreqet pas vite pune, anketash, studimesh e librash si ky i Gashit, që megjithë gabimet ka avantazhin të jetë i pari, gjithëpërfshirës.

Pra, le të mos linçojmë atë që punon, për gabimet, se gabimet janë humane, por le të punojmë të gjithë së bashku për të kujtuar masakrën e madhe që përbën ajo luftë kundër kombit tonë, sepse kështu do të bëjmë “le deuil” (zinë) për humbjet, do të trajtojmë traumat e shoqërisë sonë të prekur ende ndjeshëm nga to, dhe nga sindroma post-traumatike, pasi kështu do të shpëtojmë atë që serbët ende nuk e kanë shkatërruar: dashurinë për kombin dhe atdheun tonë në të dy anët e kufirit: Kosovë dhe Shqipëri.

Një shoqëri që burgos autorët për gabime, nuk mbron të vërtetën, ajo e varros atë. Burgosja e autorëve nga Solzhenicini tek Václav Havel, apo ekzekutimi i Vilson Blloshmit, për një poezi në Shqipërinë e vitit 1977 dëshmon transformimin e socilizmit në regjim diktatorial dhe jo fajësinë e autorëve.

Një shoqëri që burgos autorët për gabime, nuk mbron të vërtetën, ajo e varros atë.

Askush nuk do të mund të guxonte të merrte sërish penën.

Photo: Anna Di Lellio, Shkëlzen Gashi dhe Christopher Hyland, ish-këshilltar i Presidentit Bill Clinton. Klara Buda duke realizuar “Fotografinë e Ditës”: një dokumentim jo vetëm i njerëzve, por edhe i qëllimit.

© Klarabudapost CC