Këpucët Prada

(…) I kujtoj ato këpucë Prada, të pastruara, gati për të dalë, dhe buzëqesh, se vërtet, ajo ishte nëna ime Jeta ❤! / E vinin të pastronte plehun e kotecit, dhe ajo u shfaqej e mbathur në Prada,
Klara Buda

Paris, le 21 mars, 2025

Për nënën time, Jeta Gjogu Buda, e vetmja vajzë pas vëllezërve që nuk mbijetuan. Sipas një zakoni të vjetër shqiptar, asaj iu dha një emër jashtë traditës fetare të familjes, me shpresën se fëmija do të jetonte. Një emër i zgjedhur kundër fatit. Një lutje e fshehur brenda tij. Dhe ndoshta nuk mund të kishte pasur emër tjetër, sepse gjatë gjithë jetës së saj, ajo i ngjau emrit që mbante.

Një cikël poetik për jetën dhe nënën time Jeta Buda (Jeta ❤)

4.
Këpucët Prada
Kur hyra në korridorin e vjetër,
Muret ishin paksa të rrjepur,
të lodhur si kujtimet që përtypim në heshtje.
Por në një cep, përballë pasqyrës së plasaritur,
pushonin këpucët e saj – të reja fringo!
Një çudi.
Sikur t’i përkisnin ndonjë zonje Parisi,
E jo një gruaje që kishte jetuar thjesht,
në një regjim ku luksi ishte krim,
dhe ekstravaganca, që do t’ja ngjisnin në lëkurë,
Tradhti ndaj idealeve.
Por ajo nuk imitonte asgjë.
I vishte si të ishin sandale qelqi,
me një hijeshi që nuk pyeste për mendimin e askujt.
Dhe kur ecte, dukej sikur këpucët
kishin marrë nga fryma e saj.
Tirana nuk kishte ende shkollë baleti,
Po edhe në teknikum, ajo qe bërë balerinë.
Këmbët e saj, etalon,
të formuara për pozicionin e pestë,
të denja për pirueta dhe fjalë të pashprehura.
E detyruan, t’i harronte ëndrrat,
t’i lidhte fort,
Ulikse nën pushtetin e sirenave,
por asgjë s’mundi t’i fshijë nga shpirti, bukurinë, ritmin, artin,
Sikurse formën e këmbëve,
Dhe ndoshta…
Veç Repetto mund t’i mbathte këmbët e saj!
Qëndronin atje, në korridorin e rrjepur,
si një protestë e heshtur ndaj diktatit ku jetoi.
Si një buzëqeshje e vogël në fund të një jete të madhe.
Sa herë mendoj për të,
më vijnë në mendje ato këpucë të mrekullueshme,
të pastruara, gati për të dalë,
dhe buzëqesh,
se vërtet, ajo ishte nëna ime!
E vinin të pastronte plehun e kotecit,
dhe ajo u shfaqej e mbathur në këpucë qelqi,
Jeta, ishte e paparashikueshme si vetë jeta!
Gezuar Diten e Poezise!
Klara Buda, Paris, 21 mars 2025 – Dita Botërore e Poezisë
Versioni i dytë,
Paris, më 1 qershor, 2026
4.
Këpucët Repetto
Kur hyra në korridorin e vjetër,
Muret ishin paksa të rrjepur,
të lodhur si kujtimet që përtypim në heshtje.
Por në një cep, pasqyra e plasaritur,
më hodhi imazhin e këpucët e saj – të reja fringo!
Një çudi.
T’i përkisnin ndonjë zonje Parisiane,
E jo një gruaje që kishte jetuar thjesht,
në një regjim ku luksi ishte krim,
dhe ekstravaganca, që do t’ja ngjisnin në lëkurë,
Tradhti ndaj idealeve.
Por asaj nuk i luante qerpiku.
I vishte si të ishin sandale qelqi,
me një hijeshi që nuk pyeste mendimin e askujt.
Dhe kur ecte, këpucët
kishin marrë tashmë nga fryma e saj.
Tirana nuk kishte ende shkollë baleti,
Po edhe në teknikum, ajo qe bërë balerinë.
Këmbët e saj, etalon,
të formuara për pozicionin e pestë,
të denja për pirueta të pashprehura.
E detyruan, t’i harronte ëndrrat,
t’i lidhte fort,
Ulikse nën pushtetin e sirenave,
Ia morën qytetin.
Por jo hijeshinë e hapit.
Asgjë s’mundi t’i fshijë nga shpirti, bukurinë, ritmin,
Sikurse formën e këmbëve,
Dhe ndoshta…
Veç Repetto mund t’i mbathte këmbët e saj!
Qëndronin atje, në korridorin e rrjepur,
si një protestë e heshtur ndaj diktatit ku jetoi.
Si një buzëqeshje e vogël në fund të një jete të madhe.
Dhe këpucët mbeten aty,
si kujtesa e një mbremje ku nuk e lanë të shkojë
po që asnjë pushtet nuk arriti ta ndalë krejtësisht vallëzimin…
Sa herë mendoj për të,
më vijnë në mendje ato këpucë të mrekullueshme,
të pastruara, gati për të dalë,
dhe buzëqesh,
se vërtet, ajo ishte nëna ime!
E vinin të pastronte plehun e kotecit,
dhe ajo u shfaqej e mbathur në këpucë qelqi,
Ia morën, gjithë të tjerat.
Hijeshinë e hapit, jo.
copyright Klara Buda