Legale, por e paturpshme: rruga shqiptare drejt anti-shtetit

Nëse institucionet varen nga emri i individit që i drejton, kjo është prova më e qartë se ato nuk janë ndërtuar mbi themele të qëndrueshme. Përkundrazi, nëse një hetim penal ndaj një zyrtari të lartë përbën kërcënim për funksionin e institucionit, kjo dëshmon se ai institucion nuk ka as autonomi, as dinjitet, por është vetëm një zgjatim funksional i një klientelizmi të strukturuar.

Klara BUDA


Institucioni nuk është individi: Përtej formës së pushtetit dhe drejt moralit të tij

Opinion pas deklaratës e Kryeministrit shqiptar : tre konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PS pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres:

  1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
  2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
  3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.”

Opinion

Kur kryeministri shqiptar deklaron se “pezullimi i një zyrtari paralizon funksionin, pra institucionin që ajo/ai drejton,” jemi përballë një pretendimi që shfaqet si mbrojtje e rendit kushtetues, por që në thelb përbën një riformulim të rrezikshëm të nocionit të institucionit vetë. Në këtë mënyrë, shteti rrezikon të përkufizohet jo si bashkësi funksionesh dhe normash, por si zgjatim personal i pushtetit të radhës.

Në filozofinë politike, nga Hobbes-i e deri te Arendt, institucioni është më shumë se përfaqësuesi i tij momental. Legjitimiteti nuk buron nga individi që ushtron funksionin, por nga aftësia e sistemit për të mbrojtur integritetin edhe kur individi dështon. Pezullimi i përkohshëm i një zyrtari të hetuar nuk përbën paralizim institucional, por është, përkundrazi, shenjë funksionaliteti demokratik. Shteti që nuk reagon ndaj dyshimeve për abuzim pushteti nuk është shtet i fortë: është shtet i kapur.

Kryeministri shqiptar, në emër të mbrojtjes së “funksioneve të padelegueshme”, rrezikon të ngatërrojë misionin e pushtetit me personin që e mban. Kjo është një rrëshqitje konceptuale me pasoja të mëdha: shndërrimi i institucioneve në vitrina formale të një vullneti personal, që legjitimohet jo nga rezultati, por nga pozicioni. Në këtë mënyrë, përballemi me një mbivlerësim të aparencës institucionale dhe një nënvleftësim të substancës së saj morale.

Edhe më shqetësues është propozimi për ndryshime ligjore si zgjidhje për një situatë pezullimi të një zyrtari të lartë nën hetim. Kjo nuk është shenjë përparimi institucional. Është reaksion politik me qëllim mbrojtjeje. Dhe kur ligji përdoret si instrument për të mbrojtur individin që duhet të mbrojë ligjin, kemi hyrë në një spirale të rrezikshme të vetë legalizimit të abuzimit.

Ndërhyrjet në legjislacion, kur motivohen nga raste të veçanta dhe jo nga parime të përgjithshme, nuk përmirësojnë sistemin: ato e minojnë logjikën republikane të shtetit, e cila kërkon ndarje pushtetesh dhe barazi përpara ligjit. Këto ndërhyrje e bëjnë ligjin elastik në funksion të rastësisë politike, jo të nevojës publike.

Për më tepër, deklarata se “nuk ka urgjencë” për të trajtuar kërkesën e organit të akuzës, nën arsyetimin se funksioni institucional vazhdon, injoron një të vërtetë më të thellë: urgjenca nuk qëndron tek emri, por tek kriza morale e sistemit. Shqipëria nuk vuan nga mungesa e funksioneve, por nga boshllëku i integritetit brenda tyre. Dhe kjo është një urgjencë që asnjë shtyrje procedurale nuk e mbulon dot.

Filozofia politike bën dallim mes legalitetit formal dhe legjitimitetit moral. Një veprim mund të jetë i ligjshëm në formë, por i pajustifikueshëm në ndërgjegjen e një shoqërie që kërkon barazi dhe drejtësi. Nëse ligji bëhet strehë për të privilegjuarit dhe barrierë për të pambrojturit, atëherë nuk kemi më shtet të së drejtës, kemi një arkitekturë juridike të pabarazisë.

Nëse institucionet varen nga emri i individit që i drejton, kjo është prova më e qartë se ato nuk janë ndërtuar mbi themele të qëndrueshme. Përkundrazi, nëse një hetim penal ndaj një zyrtari të lartë përbën kërcënim për funksionin e institucionit, kjo dëshmon se ai institucion nuk ka as autonomi, as dinjitet, por është vetëm një zgjatim funksional i një klientelizmi të strukturuar.

Në fund, historia nuk i mat liderët me aftësinë për të menaxhuar krizën e ditës, por me trashëgiminë institucionale që lënë pas. Dhe trashëgimia matet me forcën e ligjit për të vepruar kundër të pushtetshmëve, jo për t’i mbrojtur ata.

Reforma për të shpëtuar një emër është manuali për të kuptuar kapjen e shtetit.

Titulli : Legal, por i paturpshëm: rruga shqiptare drejt anti-shtetit*

* Kemi kaluar nga shteti i së drejtës në një strukturë ku forma shtetërore shërben si fasadë e kapjes së shtetit.