Parisi, 18 Gusht 2025
Djegia e Kishës së Shën Ilias në Lekël, në Luginën e Drin-os – Një Humbje e Madhe për Kujtesën Kolektive
Për gati dy shekuj, Kisha Ortodokse Shën Ilia në Tepelenë, e vendosur në Luginën e Drinos, qëndroi si një dëshmi e gjallë e historisë. E ndërtuar në ndërrimin e shekujve XVIII-XIX nga Thanas Vaja, ish-sekretar i Ali Pashë Tepelenës, kjo kishë i rezistoi forcave të natyrës, trazirave politike dhe zjarreve të shpeshta që përfshinë shpesh malet përreth. Heshtur, ajo përmbushi funksionin e rrallë që kanë monumentet e vërteta: të ruajnë kujtesën dhe t’ia transmetojnë brezave.
Bazuar në pamjet e publikuara nga News Albania, Kisha e Shën Ilias në Lekël duket se është përfshirë nga flakë që kanë shpërthyer nga brenda vetë ndërtesës. Nuk duken shenja zjarresh pyjore përreth, as burime të tjera të jashtme që mund të kishin shkaktuar djegien. Duke marrë parasysh moshën mbi 200-vjeçare të kishës, është thelbësore të hapet një hetim zyrtar për të përcaktuar nëse zjarri ka qenë aksidental apo i qëllimshëm.
Që kjo kishë sot është djegur, jo si pasojë e një fatkeqësie natyrore, por për shkak të neglizhencës dhe indiferencës institucionale, është një plagë që shkon përtej mureve të saj prej guri. Kjo përfaqëson një këputje të lidhjes me të shkuarën, një humbje që prek jo vetëm komunitetin ortodoks të Tepelenës, por kujtesën kulturore të mbarë Shqipërisë.
Flakët që e përpinë atë nuk u ndezën nga pyjet e thata, por nga harresa, shpërfillja dhe papërgjegjshmëria. Ajo që nuk arritën ta shkatërrojnë koha, lufta apo ideologjitë, është zhdukur tani nga një dorë, nën vëzhgimin e një shteti që ose nuk ditka, ose nuk dëshiron të mbrojë atë që ka shpallur vetë “monument kulture. A duhet tëshohim këtu një agjendë?
Kisha e Shën Ilias nuk ishte thjesht një vend lutjeje—ajo ishte një arkiv në gur, një dëshmitare e një epoke dhe një qytetërimi që solli në jetë figura historike si Ali Pashë Tepelena. Me zhdukjen e saj, nuk kemi humbur vetëm një monument kulture, por edhe një pjesë të vetes.
Prandaj kjo humbje dhemb më shumë se çdo zjarr pylli, edhe pse ato janë humbje të dhimbëshme.
Ekspozitë në Paris
Në shtator 2025, Collège des Bernardins në Paris do të organizojë një ekspozitë nga fotografi Wandrille Potez, me dymbëdhjetë pamje të Luginës së Drinos në jug të Shqipërisë, aty ku dikur qëndronte Kisha Ortodokse e Shën Ilias. Kjo luginë përbën një zonë trashëgimie me rëndësi të madhe, e njohur për dendësinë e jashtëzakonshme të manastireve ortodokse.
Këto vepra—dëshmitare materiale të traditës bizantine dhe ruajtëse të kujtesës historike të pakicës së krishterë ortodokse lokale formojnë një kompleks trashëgimor të jashtëzakonshëm. Fakti që ato janë të panjohura jashtë kontekstit rajonal thekson urgjencën për njohje ndërkombëtare dhe politika serioze ruajtjeje.
Të Djegura “Dy Herë”: Heshtja që Vret
Në përpjekje për të ndërgjegjësuar mbi nevojën urgjente për mbrojtjen e kishave të Luginës së Drin-it, Instituti Francez i Studimeve Shqiptare në Paris propozoi një projekt libri të dedikuar këtij trashëgimie, me në qendër vendet e shenjta si Kisha Ortodokse e Shën Ilias në Lekël. Projekti iu paraqit Ambasadës Franceze dhe iu përcoll nga kjo e fundit në Ministrisë së Kulturës, por asnjë përgjigje nuk erdhi kurrë.
Kjo heshtje nuk është e re. Ajo pasqyron mungesën e mbështetjes për shpërndarjen e Voyage entre Illyrie et Albanie, Via Egnatia, një botim privat mbi trashëgiminë e krishterë të Shqipërisë që gjithashtu nuk gjeti përkrahje institucionale.
Historia përsëritet—vetëm fytyrat ndërrohen. A duhet tëshohim këtu një agjendë?

Kisha në Vau i Dejës u hodh në erë me dinamite, më 30 maj 1969.
Në vitin 1967, kisha në Vau i Dejës, ku Marin Barleti shkruan se u kurorëzua Skënderbeu, u hodh në erë me dinamit me urdhër të Mehmet Shehut. Ajo kishë e shekullit XIII sot është e përmbytur dhe e harruar, altari i saj ndodhet nën ujërat e Drinit. Edhe ajo u shkatërrua, me qellim, por sot është lënë në harresë. Me qëllim?
Shtrohet puetja: a është kjo kishë e djegur, pjesë e disa agjendave?
Sepse është e qartë që kërkohet shumë më pak përpjekje për të mbrojtur një kishë 200-vjeçare në Lekël, sesa për të ngritur nga e para një “shtet bektashian” në zemër të Tiranës.
Çfarë të ardhmeje zgjedh një qeveri për vendin e vet, kur harron, apo më keq refuzon të mbrojë, të shkuarën e vet të shenjtë?
P.-s.: Sot, kishat nuk hidhen më në erë nga komunistët—por ato djegen gjithsesi: në heshtje, në neglizhencë, në mungesë. Dhe rezultati është i njëjtë.
A duhet tëshohim këtu një agjendë? Vazhdon…
![]() Djegja e kishës Shën Ilia, Lekël, gusht 2025 |
![]() Hedhja në herë e kishës së Vaut të Dejës, 1967 |
Ky artikull mund të ribotohet me leje nga klarabudapost se bashku me vegjën e tij dhe me citim e gazetës klarabudapost.