Dorheqja

KBP
Froni që ofrojnë Patronazhistet & Flamingo Revolution Imazh satirik IA

Dorëheqja

Do të thotë
ta kthesh mandatin,
pa pritur të të shqyejnë derën.

Ta vësh firmën
aty ku dje jepje urdhra.
Pastaj të ngrihesh.

Karrigia mbetet.
Ti merr me vete emrin.

Edhe kur beson ende
se rruga jote është më e drejta,
mos rri me zor.
Besimi yt dhe i atyre që ke rreth vetes
nuk ta bën pushtetin pronë.

Dëgjoji edhe ata
që nuk të duan më në krye.

Më 1969, de Gaulle-i
dëgjoi përgjigjen e francezëve
dhe u largua.
Ai që kishte këmbëngulur aq shumë,
dikur një ushtarak pak i njohur,
iku…

«Jo»-ja nuk ia fshiu historinë.

Mandela nuk kërkoi mandat të dytë.
Vendi që kishte ndihmuar të çlirohej
nuk ishte pronë e tij.

Ka një çast
kur fitorja matet
me atë që nuk pranon të bësh
për të qëndruar.

Lëre derën hapur.
Dil me hapin tënd!

Nuk të lënë të ikësh?
Të kërcënojnë me vdekje?

Kujto: vdekja është më e hidhur
pasi ke mbjellë vdekjen.

Çfarë bëre keq, çfarë bëre mirë,
do të harrohen,
por ata që e kanë vuajtur diktaturën,
nuk do ta falin rikthimin e saj.

Dorëheqja nuk është humbje
kur, për të ruajtur postin,
duhet të humbasësh veten.

©klarabudapost.com CC