Protestat studentore në Serbi dhe çfarë mund të mësojë Shqipëria

Que peut apprendre l’Albanie du mouvement étudiant serbe ? Une réflexion sur l’intégrité, la transparence et la représentation démocratique. Ajo që më duket e vlefshme në shembullin serb është pesha që i jepet dijes dhe besueshmërisë publike në përzgjedhjen e përfaqësuesve. Njerëzit me prestigj akademik mund të kenë më shumë mundësi t’u rezistojnë presioneve, por titulli nuk është garanci integriteti. Duhet edhe transparencë, pavarësi nga interesat partiake dhe gatishmëri për të dhënë llogari. Po kështu, mungesa e përvojës te studentët nuk duhet ngatërruar me mungesën e gjykimit apo të ndershmërisë.

Klara Buda
Activists from Serbia’s Student List have started cleaning nationalist and offensive graffiti from walls across the capital, Belgrade. They also reportedly removed anti-Albanian slurs from public spaces. Video, 28 octobre, Facebook Necat Çetin

Paris, më 1 Nentor, 2026

Seria në ndihmë ideore të protestës së flamingove dhe të studentëve shqiptarë.

Ky artikull nuk synon të jetë shterues, por të shtrojë disa pyetje mbi vlerën që mund të ketë përvoja serbe për protestën në Shqipëri. Çështja e Kosovës mbetet thelbësore për të vlerësuar qëndrimet demokratike të çdo force politike në Serbi. Megjithatë, këtu vëmendja përqendrohet te mënyra e organizimit dhe e përzgjedhjes së përfaqësuesve, pa e barazuar vlerësimin e kësaj përvoje me miratimin e qëndrimeve të pjesëmarrësve për Kosovën.

Lënia e Kosovës jashtë boshtit të mobilizimit mund të lexohet si një kompromis strategjik për të shmangur përçarjen dhe për ta mbajtur lëvizjen të përqendruar te kërkesat për llogaridhënie dhe përfaqësim demokratik. Ky është një interpretim, jo një qëllim që mund t’ua atribuojmë me siguri të gjithë pjesëmarrësve. Mbetet për t’u parë nëse ndryshimi politik do të sjellë edhe një gatishmëri për t’u përballur me pavarësinë e Kosovës. Kjo pikëpyetje kërkon shqyrtim më vete; ajo nuk e përjashton mundësinë për të mësuar nga metoda e tyre, as nuk na detyron të heshtim për kufijtë e saj politikë dhe etikë.

A duhet të na shërbejë si shembull procesi i organizuar në Serbi? Mendoj se po, nëse kuptojmë çfarë mund të mësojmë prej tij dhe çfarë nuk mund ta transferojmë mekanikisht në Shqipëri. Sistemi universitar nuk është i njëjtë. Por dallimi mes dy sistemeve duhet mbështetur në tregues konkretë: cilësinë e kërkimit, autonominë universitare dhe integritetin akademik.

Iniciativën për të demaskuar kalbjen e sistemit tonë universitar përmes plagjiaturave është interesante dhe duhet mbështetur. Sepse plagjiatura nuk është thjesht një shkelje universitare: ajo lejon që një meritë e vjedhur të shndërrohet në titull, autoritet dhe pushtet. Një shoqëri që e pranon këtë mashtrim dobëson vetë kriterin me të cilin dallon dijen nga fasada.

Problemi ynë nuk mbaron te plagjiatura; ai shtrihet te pranimi i mashtrimit në jetën publike. Gënjejmë, bëjmë sikur nuk dimë, mendojmë se po ia hedhim, ndërsa të tjerët heshtin që të mos prishin marrëdhëniet, mbyllin një sy dhe vazhdojnë, megjithëse shumëçka dihet. Kjo heshtje e ndërsjellë e bën mashtrimin të qëndrueshëm: secili ruan tjetrin dhe askush nuk përgjigjet. Në një mjedis të tillë, përzgjedhja e përfaqësuesve me integritet merr një rëndësi që shkon përtej emrave të veçantë: ajo mund të thyejë marrëveshjen e heshtur që e bën të pranueshëm mashtrimin. Por kjo kërkon transparencë në çdo hap të përzgjedhjes, në mënyrë që besueshmëria të mbështetet te puna dhe sjellja e dëshmuar, përmes kritereve publike e të njëjta për të gjithë.

Ajo që më duket e vlefshme në shembullin serb është pesha që i jepet dijes dhe besueshmërisë publike në përzgjedhjen e përfaqësuesve. Njerëzit me prestigj akademik mund të kenë më shumë mundësi t’u rezistojnë presioneve, por titulli nuk është garanci integriteti. Duhet edhe transparencë, pavarësi nga interesat partiake dhe gatishmëri për të dhënë llogari. Po kështu, mungesa e përvojës te studentët nuk duhet ngatërruar me mungesën e gjykimit apo të ndershmërisë.

Besoj se studentët janë në rrugë të mbarë. Por mbështetja për ta nuk na përjashton nga detyrimi për të shqyrtuar mënyrën si organizohen, si i zgjedhin përfaqësuesit dhe si mbrohen nga instrumentalizimi. Nuk do të thosha se një pjesë e madhe janë të korruptuar pa pasur prova; do të thosha se askush nuk është i paprekshëm nga një sistem që shpërblen bindjen dhe ndëshkon pavarësinë. Korrupsioni fillon edhe te gënjeshtra më e vogël, kur ajo pranohet si mënyrë normale për të përfituar. Prandaj ndryshimi duhet të duket që te rregullat që zbatojmë mes nesh. Dhe për këtë duhet kohë dhe mund!

Copyright klarabudapost.com CC

Ky origjinal është shqip

Versioni Anglisht