Paris, më 22 maj 2026
FIZIKA NAIVE
Poezia Udhëkryqi nga Kujtim Shala
Proçesi i përkthimit – shënime pune për atlienë e përkthimit
Përkthimi i titullit Udhëkryqi si shkas për analizën e poezisë
Fjala frënge ekuivalente: le Carrefour, egziston dhe tregon sikurse fjala shqipe: udhëkryq vendin ku takohen disa rrugë dhe ku duhet të bësh një zgjedhje se nga duhet të shkosh. Le Carrefour duket, pra, përkthimi më i menjëhershëm. Është i saktë, i kuptueshëm dhe është zgjedhja e autorit. Këtu puna e përkthyesit duket se është kryer, mirpo çka kur ky i fundit dëshëron të jetë i përkryer? Ai e studjon titullin i mbështetur në dimensionin që i transmeton poezia. Për mendimin tim, titulli aktual ndoshta është tepër neutral. Ai evokon hezitimin, apo sensibilizon në mes rrjeshtave mbi vendimin e sistemit të anashkalojë krimin duke e klasifikuar autorin si të çmendur, por nuk e bën të ndjehet sa duhet drama e veçantë e poemës së Kujtim Shalës e cila shkon përtej kësaj, dhe evokon femicid-in, në kuptimin fizik dhe mataphorik të fjalës ( me fytjen e imazhit të ëndrrës), komplezancën e sistemit juridik, për të lehtësuar aktet e dhunës ndaj grave, kur kemi të bëjmë me personalitete publike, kryesisht burra, pra shumë më tej se vetëm hezitimi i fundit mbi drejtimin që do ti jepet aktit të filozofit të moshuar (pra gjithmonë një figure publike). Problemi i titullit është, pra, ky: si të ruhet ideja e pragut, e kalimit, e përmbysjes, duke bërë njëkohësisht të dukshme atë që fjala udhëkryq (carrefour) rrezikon ta lërë në hije? Sepse poema nuk flet vetëm për një krim (që ngjan si dy pika uji me atë të filozofit të famshëm marksist francez Althauser, që vret gruan e tij, e pastaj i shmanget gjyqit të zakonshëm, pasi e diagnostikojnë si të çmendur dhe e mbyllin në një spital psikiatrik në vend që të gjykohej si vrasës), por shkon më tej duke trajtuar edhe një dimension tjetër, atë që shoqëria shpesh e ka bërë të padukshëm: ndrydhjen e gruas: vrasjen e ëndrrës, para se të vrasë trupin fizik. Ajo flet për një akt të pakthyeshëm: një grua fle, ende ëndërron, dhe vrasja vjen për ta ndërprerë këtë ëndërr. Përkthimi i titullit mund ( jo i detyrueshëm) ta zhvendosë qendrën e rëndesës së poezisë. Nuk bëhet më fjalë vetëm për të emërtuar një vend simbolik, si metforë e vështirësisë për ta dënuar apo shëruar autorin e krimit, por për të fshikulluar, për të lënë të ndihet drama e një krimi që shoqëria, filozofia dhe institucionet mund ta bëjnë të padukshëm.
Në një qasje të parë, titulli Le Carrefour kishte përparësinë e besnikërisë. Por ky titull, mendoj se përveç se neutral, siç e zhvilluam më lart, mbetet edhe tepër abstrakt. Ai nuk thotë asgjë për gruan e mbytur, asgjë për fenomenin, asgjë për heshtjen pas aktit të femicid-it, të përsëritur mijra herë dhe që së fundi tronditi Kosovën me vrasjen e Liridonës në sy të fëmijëve.
A mund të përshtatej titulli për të stigmatizuar drejypërdrejt këtë fenomen, duke u përqendruar tek Femicid-i ? Në këtë rast ai do të kishte një forcë të qartë, më të madhe. Dhe do të rivendoste në kontekst dhunën historike dhe morale të situatës: fshirjen e vrasjes së një gruaje pas prestigjit të një burri të mendimit. Por titulli i ri duhet të mbetet po i vagullt, nuk duhet të jetë tepër shpjegues dhe për këtë nuk duhet ta ketë fjalën femicide në përmbajtjen e tij. Sepse kështu ai do ta emëronte skandalin në vend që ta bënte të ndihej, apo të jehojë.
Prandaj duhet kërkuar një titull njëkohësisht poetik dhe konceptual, një titull që të bëjë të mendohet femicidi pa e përmendur. Vështirësia është thelbësore: ta emërtosh drejtpërdrejt femicidin eshtë jo vetëm shpjeguese, por do të thotë t’i japësh drejtësi viktimës së krimit, duke e emërtuar atë; dhe ta emërtosh atë që në titull do të thotë ta mbyllësh tashmë poemën, t’ia ngushtosh asaj jehonën. Të mos e emërtosh, nga ana tjetër, mund të bëhet e rrezikshme nëse konsiderohet se heshtja e titullit përsërit heshtjen shoqërore që tashmë e ka mohuar viktimën. Mendoj se duhet të gjendet një formë që sugjeron zhdukjen e frymës, të ëndrës, por pa e shndërruar krimin vetëm në metaforë të thjeshtë të opresionit të gruas, dhe pa e anashkaluar edhe asgjesimin fizik, dimensione këto që i ka të gjitha kjo poezi.
Kështu duke respektuar të gjitha këto dimensione që i ka kjo poezi, shfaqën disa mundësi për të gjetur një titull që do të përdorte metaforat e ndaljes së frymëmarrjes, të asfiksisë, të ndërprerjes së ëndrrës për të shprehur vrasjen totale të gruas: Ëndrra pa frymë, Të ëndërrosh pa frymë. Këta tituj kanë përparësinë se nuk e emërtojnë femicidin, por i bëjnë të ndihen fizikisht format e tij. Vdekja totale e gruas (metaforikisht dhe fizikisht) nuk thuhet; ajo merret me mend.
Formula Të vdesësh nga ëndrra m’u duk fillimisht joshëse, sidomos për analogji me shprehjen e famshme : Mourir de rire, (të vdesësh së qeshuri). Por ajo ngre një problem shkakësie. Në shprehjen të vdesësh së qeshuri, e qeshura bëhet shkaku i vdekjes, tek Mallarmé. Ndërsa në poemë, gruaja nuk vdes sepse ëndërron. Ëndrra nuk është fajtore. Përkundrazi, është ajo që e bën gruan të pambrojtur, ndaj atyre që nuk e pranojnë ëndrrën e saj. Ajo vdes ndërsa ëndërron, jo për shkak të ëndrrës. Prandaj Të vdesësh duke ëndërruar do të ishte më e saktë. Pjesorja tregon njëkohësinë: të vdesësh në çastin kur ëndrra vazhdon ende.
Megjithatë, Të vdesësh duke ëndërruar mbetet tepër rrëfimtare. Ajo e thotë tashmë vdekjen që në titull, duke ia hequr misterin poezisë. Ruan një bukuri të butë, pothuaj elegjiake, por nuk e bën të ndihet mjaftueshëm mbytjen. Të ëndërrosh pa frymë, përkundrazi, ka një fuqi më të errët. Folja “të ëndërrosh” e mban gruan në hapësirën e brishtë të gjumit; shprehja “pa frymë” fut asfiksinë, dhunën, ndalimin e jetës. Titulli nuk thotë: ajo ka vdekur. Ai thotë: ëndrës i është marrë ajri.
—
Ky kërkim titulli, lidhet thellësisht me reflektimin e Mallarmé-së mbi mimën, në tekstin kushtuar Pierrot Assassin de sa Femme të Paul Margueritte. Mallarmé sheh te mima një art të aluzionit: « Tel opère le Mime, dont le jeu se borne à une allusion perpétuelle sans briser la glace. » Mima nuk tregon drejtpërdrejt; ai sugjeron. Ajo krijon një hapësirë fiksioni ku akti nuk është as plotësisht i kryer, as thjesht i përfaqësuar. Ai ekziston në një ndërmjetësi: midis dëshirës dhe përmbushjes, midis kryerjes së krimit dhe kujtimit të tij, midis së ardhmes dhe së shkuarës, nën “një dukje të rreme të së tashmes”.
Pikërisht kjo e bën aq shqetësues afrimin me poemën e Kujtim Shalës. Te Pierrot Assassin de sa Femme, krimi bëhet gjest, heshtje, pantomimë. Vrasja kalon përmes një ekonomie gjurmësh. Mima duket sikur thotë, pa fjalë, se mund ta vrasësh gruan tënde me kusht që të mos lësh shenja të dukshme. Nuk ka rëndësi vetëm akti, por fshirja e tij. Skandali nuk qëndron vetëm te vrasja; ai qëndron te mënyra se si vrasja mund të bëhet estetikë, lojë, virtuozitet, heshtje.
Mallarmé shkruan se fantazma e bardhë e mimët është “si një faqe ende e pashkruar”. Kjo figurë është vendimtare. Faqja e bardhë mund të jetë hapësira e pastër e poezisë; por ajo mund të bëhet edhe hapësira e tmerrshme ku viktima zhduket. Heshtja, te Mallarmé, është “luks pas rimave”; por në poemën e Kujtim Shalës, heshtja bëhet edhe vendi ku nuk dëgjohet asgjë, ku krimi nuk lë pothuaj asnjë zhurmë, ku gruaja hiqet nga bota pa britmë. Midis heshtjes poetike dhe heshtjes gjyqësore shfaqet një vazhdimësi shqetësuese.
Prandaj titulli do të duhej të përkthejë më shumë se Udhëkryqin. Ai duhet ta interpretojë udhëkryqin. Udhëkryqi i vërtetë ndoshta nuk është një vend i jashtëm. Ai është pika ku kryqëzohen ëndrra e gruas, gjesti i burrit, heshtja e filozofit, toleranca shoqërore, spitali psikiatrik, mungesa e gjyqit. Është një udhëkryq midis trupit dhe konceptit, midis nënkresë dhe mendimit, midis vrasjes reale dhe fshirjes së saj simbolike.
Mendoj se në këtë këndvështrim, Le Carrefour bëhet i pamjaftueshëm. Ai emërton kryqëzimin, por jo atë që humbet aty. Të vdesësh duke ëndërruar është më pranë skenës: i jep gruas një prani të brishtë, të fjetur, ende brenda ëndrrës së saj. Por titulli Të ëndërrosh pa frymë shkon më larg. Ai nuk thotë vetëm se ajo vdes duke ëndërruar; ai shton një dimension më shumë, e shkruan në vetë titullin pamundësinë për të vazhduar jetën kur ëndëron. Ëndrra bëhet një dhomë e mbyllur. Krimi është aty, pa u emërtuar.
Por fuqia e poemës së Kujtim Shalës qëndron edhe në faktin se ajo nuk kufizohet në rrëfimin e një vrasjeje individuale. Ajo bën aluzion për një femicid më të gjerë, pothuaj simbolik: atë të gruas në jetë, në art dhe në politikë. Gruaja e vrarë nuk është vetëm një personazh i fjetur nën një nënkresë; ajo bëhet figura e të gjitha grave, vdekja, dhimbja ose fshirja e të cilave mbulohen nga një ligjërim më fisnik, më prestigjioz, më abstrakt. Në jetë, burri vret; në art, gjesti mund të estetizohet; në politikë, institucioni mund të mbrojë emrin e njeriut të madh në vend që t’i japë drejtësi trupit të gruas. Pikërisht kjo mbivendosje e bën poemën kaq të fuqishme: ajo duhet lexuar në të gjitha këto dimensione njëherësh. Ajo flet për një krim shtëpiak, por edhe për një krim kulturor. Ajo tregon se si gruaja mund të vdesë dy herë: së pari në trupin e saj, pastaj në rrëfimin që të tjerët bëjnë për vdekjen e saj.
Prandaj Udhëkryqi nuk shënjon më vetëm një vend hapësinor, por edhe moral. Ai bëhet pika ku kombinohen disa forma fshirjeje: fshirja e frymës, fshirja e provës, fshirja e gruas pas filozofit, fshirja e femicidit pas veprës filozofike, dhe pas diagnozës. Poema e detyron lexuesin të shohë atë që kultura shpesh parapëlqen ta shmangë për shkak të gjenialitetit të burrit, dhe gruan e bën të padukshme pikërisht nga kjo gjeni. Në këtë rast, nëse do të prapëlqejmë të fokusohemi tek ky dimension, që e ka zgjdhur autori, shprehës do të qe ndoshta edhe sinonimi i Udhëkryqi-t Kryqëzimi i cili ka brenda edhe sakrifikimin e gruas.
Kështu, për ta përkthyer poetikisht titullin Udhëkryqi, mund të ruhej në nëntitull ideja e kryqëzimit, por si titull kryesor të zgjidhej:
Të ëndërrosh pa frymë opo Ëndrra e mbytur
Ky titull bën aluzion për mbytjen pa e përshkruar, për femicidin pa e emërtuar, për Mallarmé-në pa e imituar drejtpërdrejt atë. Ai ruan heshtjen e mimës, por refuzon që kjo heshtje ta fshijë krejtësisht gruan. Ai lë të kuptohet se viktima nuk ka vdekur “nga ëndrra”, por se i është marrë ajri në zemër të vetë ëndrrës. Titulli bëhet kështu një mënyrë për ta bërë të ndjeshme atë që filozofia, arti dhe shoqëria e kanë bërë tepër shpesh të padukshme. Dhe ndoshta pikërisht këtu ndodhet udhëkryqi i vërtetë i poemës: midis bukurisë së heshtjes dhe tmerrit të saj.
Kalimi nga Të ëndërrosh pa frymë te Ëndrra e mbytur shënon një zhvendosje të rëndësishme: nga përshkrimi i një gjendjeje fizike, që rrjedh direkt nga emërtimi prej autorit i ciklit : FIZIKA NAIVE drejt krijimit të një figure poetike.
Të ëndërrosh pa frymë është një formë e saktë dhe e fortë. Ajo e vendos theksin te përvoja: të jesh në ëndërr, por pa ajër; të vazhdosh të ëndërrosh në çastin kur të merret fryma. Titulli e afron lexuesin me trupin, me asfiksinë, me momentin konkret të mbytjes. Në këtë shprehje ka diçka të drejtpërdrejtë, pothuajse klinike, ajo tregon çfarë ndodh.
Por Ëndrra e mbytur shkon edhe më larg. Ky titull nuk përshkruan vetëm një grua që ëndërron pa frymë; ajo e shndërron edhe vetë ëndrrën në viktimë dhe shkak të aktit. Nuk mbytet vetëm trupi: mbytet ëndrra, mbytet mëngjesi, mbytet ajo pjesë e brishtë e jetës që ende nuk ishte zgjuar, por vetëm ëndërruar, mbytet trupi sepse gruaja guxon të ëndërrojë dhe në këtë të fundit, ëndrra ka kuptim të dyfishtë, pra edhe atë tê aspiratës për njê jetê tjetër. Titulli fiton kështu një forcë më të madhe simbolike. Ai nuk e thotë vrasjen drejtpërdrejt, por e bën të ndihet përmes figurës së ëndrrës së asfiksuar, të penguar, të vrarë.
Kjo është arsyeja pse titulli Ëndrra e mbytur është më simbolik, më poetik, më i thellë dhe për këtë të ngelet në mendje. Fjala ‘mbytur’ në shqip ka disa kuptime: mbytjen nga mungesa e ajrit, fundosjen në ujë, asfiksinë, heshtjen e detyruar. Ajo i përgjigjet skenës së nënkresë, por edhe fshirjes simbolike të gruas pas figurës së filozofit, pas artit, pas diagnozës, pas heshtjes shoqërore.
Në frëngjisht, përkthimi më i natyrshëm do të ishte: Le rêve étouffé ose në variantin më poetik: Le rêve asphyxié, e më konceptuale : Rêve étouffé apo Rêve asphyxié. Dhe ky i fundit është ndoshta më i saktë. Ai ruan figurën, dhunën dhe përmbajtjen, duke qëne njëkohësisht më i thjeshtë, më i rëndë dhe me më shumë horizont. Nuk e shpjegon krimin; e lë të ndihet. Ashtu si Ëndrra e mbytur, ai tregon se nuk është vetëm një jetë që ndërpritet, por edhe një ëndërr të cilës, i merret fryma.
Evolucioni i përkthimit të pozisë Udhëkryqi
V1
Ce matin sombre d’automne, la pluie tombait, froide,
sans pitié sur le toit de la maison au petit jardin.
Il ouvrit les yeux, la femme dormait à côté de lui,
prise au piège des rêves légers du matin.
Le vieux philosophe se leva et saisit de la main
le grand oreiller moelleux rempli de plumes.
Il le posa sur la tête de la femme,
mit ses deux mains sur l’oreiller.
On n’entendit rien.
Il téléphona, parla très peu.
Trois minutes plus tard, il se trouvait dans le petit jardin
de la maison, sous un ciel déchaîné (egërsuar= ensauvagé)
Il ne sentait pas l’humidité ; il n’avait pas froid.
L’ambulance arriva avec les policiers du quartier.
Ils le prirent par les bras pour l’emmener,
pour le faire monter dans l’ambulance
ou dans la voiture de police.


IA Oborr i një shtëpie pariziane nën shi.