Shyhret Turkeshi (Çabej)

Kjo është kujtesa kolektive: ajo që nuk ka nevojë për shkrime gazetash, studio televizive, dhe për dekorata presidenciale. Është paradoksale dhe duhet t’i hapë sytë gjithë atyre që mbushin çdo ditë studiot televizive. Ajo që mbetet gjallë në kujtesën e njerëzve dhe që përcillet brezave nuk është fanfara në sheshin publik, por kujtimi i pa-interesuar e i pa-ndikuar, pa asnjë përpjekje nga vetë individi për t’u kujtuar. Shyhret Turkeshi është një nga ata xhevahirë që propaganda, dje dhe heshtja sot, i mban në hije, por që njerëzit qe i njojtën i ruajnë si thesare të shpirtit.

Klara Buda

Paris, më 27 août, 2025.

Në serinë: Njerëz dhe vende

“Kujtesa kulturore nuk është thjesht një arkiv i së shkuarës; ajo është gjithashtu një formë rezistence ndaj harrimit të imponuar dhe ndaj strukturave të pushtetit që kontrollojnë çfarë mbahet mend.”

Në fotografi, një vajzë e re, me flokë të lëmuar që bien mbi ballë si valë të zeza të përmbajtura. Shikon poshtë, me një qetësi të brendshme që ngjan më shumë me përqendrim sesa me drojë. Kostumin e marinarit e mbart si një emblemë fëmijërie të ndërprerë shumë shpejt. Drita që projektohet në fytyrën e saj na bën të mendojmë për një ikonë të viteve 40 të, si ato që i kemi parë në filmat Europianë, ( si një dëshmi e Shqipërisë, në atë kohë, po aq europiane sa vetë Europa). Në sytë gjysmë të ulur shfaqet një siguri e heshtur, sikur diçka tashmë ishte vendosur. Sikur ajo djalëza partizane ishte gdhendur tashmë në sytë e saj intrigues.

Kjo foto është stacioni i fundit i pafajësisë: pas saj do të vinin malet, thirrjet për liri, armët që duhej t’i mbanin duart ende të njoma. Do të vinte edhe zhgënjimi i madh, kur idealet e ndritura do të përplaseshin me burgun dhe dënimin. Portreti mban në heshtje gjithë atë kontrast: bardhësia e kostumit dhe hijet në fytyrë, rinia që shndërrohet në sakrificë, shpresa që përthithet nga padrejtësia. Nga burgu do ta nxirrte vetëm sëmundja e rëndë, që i bëri të përkulen edhe qeniet mizore që kishin marrë drejtimin e Shqipërisë pas luftës.

Vite më vonë, larg atyre maleve e burgjeve, dhe një jete të heshtur e me dramë, e njoha krejt papritur nga një rastësi. Ishte një ditë e ngarkuar pune në Paris. I telefonova mikes sime Brikena, të bijës së saj, që prej disa vitesh ishte zhvendosur në kryeqytetin francez. Rrëmbyer nga përditesia, vazhdova të flisja frëngjisht:

«Bonjour, pourrais-je parler à Brikena, s’il vous plaît ?» Në anën tjetër të telefonit, një zë i qetë, i butë, më u përgjigj :
«Elle est momentanément absente ; souhaitez-vous que je prenne un message pour elle ?»
Jo vetëm me aksent të përsosur, por me një finesë të formulimit që më impresionoi. Ishte Shyhret Turkeshi (Çabej), nëna e mikes sime. Nuk e kisha parë kurrë dhe nuk dija asgjë për të, që ndriçimi i burrit të saj gjuhëtar e kishte eklipsuar. Brikenën e njihja si vajzën e profesor Çabejt, ajo më fliste shpesh për babain. Vetvetiu kisha menduar se nëna e saj duhej të ishte një grua e thjeshtë, jo vetëm pa punime shkencore por edhe pa histori për të treguar. E njoha personalisht disa ditë më vonë në apartamentin parizian të së bijës. Fola gjatë me të…Që nga ai çast, doja të shkoja më shpesh tek mikja ime për te folur me Shyhretin, ruante diçka si jashtëkohe në zërin, dhe mënyrën si buzëqeshte. Sillte gjithmonë diçka të veçantë nga kultura e saj e rrallë. Kur, me pas, lexova Sonnetet e mrekullueshme që profesor Çabej i kishte kushtuar, nuk u surprizova.

Këtë vajzë të rritur në një familje të kulturuar, të ushqyer me vlera humaniste unë e takova në Paris rreth gjashtëdhjetë vjet më vonë nga koha kur është shkrepur kjo foto. Ajo sapo kishte ardhur në kryeqytetin francez dhe nuk kishte jetuar aty më parë, por fliste një frëngjishte elegante që të linte pa fjalë.

Shyhreti kishte një dritë që me vetëdije e mbante nën abazhur. Ndoshta ishte fshirë për të mos zbehur shkëlqimin e shkencëtarit Çabej, burrit të saj. Më pas mësova se megjithëse partizane ishte burgosur për probleme ideologjike pas luftës. Se kishte pasur drama të rënda në jetë. Një grua e iluminuar që siç tregon e bija: ” Babai i përsëriste shpesh, me një humor të hidhur: ‘Ah, moj Shyhrete, ti ngatërrove humanizmin me komunizmin…’”

Figura si kjo e Shyhretes, me vlera të padiskutueshme, qëndruan larg publikut – entuziazmi komunist ishte shumë vulgar për individë të tillë, që nuk kishin asgjë të përbashkët me gratë e fasadës që promovonte regjimi. Asnjë gazetë nuk kishte shkruar për Shyhreten, për të shkuarën, jetën dhe për kulturën e saj, me sa di. Por çuditërisht, dhe kjo më kujton edhe babain tim, këto figura të veçanta për nga kultura dhe humanizmi, për të cilat nuk është folur kurrë, në kohën e rregjimit, mbetën të paharruara në zemrat e atyre që patën fatin t’i takonin, t’i dëgjonin, t’i njihnin, apo të frymëzoheshin prej tyre. Kështu ndodhi edhe me nipin e saj, artistin vizual Kujtim Turkeshi, që u bë shkak për këtë kujtim, sepse këtë Zonjë, e mban gjallë në zemër si një influencë të pashlyeshme në jetën e tij.

Siç na kujton Aleida Assmann:
“Kujtesa kulturore nuk është thjesht një arkiv i së shkuarës; ajo është gjithashtu një formë rezistence ndaj harrimit të imponuar dhe ndaj strukturave të pushtetit që kontrollojnë çfarë mbahet mend.”*

Kjo është kujtesa kolektive: ajo që nuk ka nevojë për shkrime gazetash, studio televizive, dhe për dekorata presidenciale. Është paradoksale, por ata që mbeten gjallë në këtë kujtesë dhe që u përcillen brezave shpesh nuk janë individë të trumpetuar në sheshin publik, por njerëz, që lënë mbresa tek bashkëkohësit, gdhenden në mendjen e tyre e sillen në bisedë me admirim, pa asnjë përpjekje nga vetë ata për t’u kujtuar. Shyhret Turkeshi është një nga ata xhevahirë që propaganda, dje dhe heshtja sot i mban në hije, por që njerëzit i ruajnë si thesare të shpirtit. Është kjo kategori individësh që duhet të promovohet më në fund sot, për t’u bërë shembull për një brez të ri të tranzicionit, pa figura frymëzuese, e që shpesh endet pas parasë, dukjes dhe luksit, duke pranuar çdo kompromis.

Më kujtohet se bëra shumë orë rrugë për të marrë pjesë në varrimin e saj në Tiranë dhe figurën e saj, siluetën paksa të përkulur nga jeta e kam ende sot të gdhendur në kujtesën time: si një surprizë e bukur, e pashlyeshme, si gjithë ajo që ajo përfaqësonte.

©Klarabudapost, mund të ri-botohet vetëm duke cituar Klarabudapost

Mund të ndiqni shkrimin parardhës të serisë: njerëz dhe vende

Shih edhe serinë: Katalogu i Objekteve të Ndaluara gjatë Regjimit Komunist

*Aleida Assmann, Cultural Memory and Western Civilization: Functions, Media, Archives (Cambridge: Cambridge University Press, 2011), f. 38.

#ShyhretTurkeshi
#Çabej
#KujtesaKolektive
#HistoriShqiptare
#FiguraTëHarruara
#Diktatura
#LiriDheSakrifice
#GraShqiptare
#TrashëgimiaShqiptare
#Kujtime
#KujtesaHistorike
#NjerëzDheVende
#XhevahiriNjerëzve
#KulturaShqiptare

#Aleida Assmann

#serianjerëzdhevende