Marie-Françoise Allain Portret Postume

Marie-Françoise Allain, e njohur si Soizik, u shua në moshën 80-vjeçare.
Gazetare, intelektuale e angazhuar, ajo bashkoi kthjelltësinë morale me kërkesën e lartë për stil.
Nga Graham Greene deri në Kosovë, zëri i saj ishte ai i një besnikërie pa bujë, i një pranie të rrallë. Veprimitaria e saj për të mbrojtur çështjen e Kosovës ishte thelbësor në Francë. Ajo ishte nënshkruesja e parë dhe bashkorganizatorja e peticionit të intelektualëve francezë kundër spastrimit etnik në Kosovë.

Klara Buda
Dr Rugova & Marie-Françoise Allain, kortezi @Adnan Merovci.
Paris, 14 dhjetor 2025

Marie-Françoise Allain (për miqtë, Shoizika) lindur më 1945 na la të shtunën, më 13 dhjetor, në moshën 80-vjeçare.

Krahas karrierës së saj si asistente në letërsinë amerikane në Universitetin Paris-8 të Saint-Denis, ajo kontribuonte si gazetare (veçanërisht në Le Monde diplomatique), dhe ishte e angazhuar në kauza demokratike si ajo e Irlandës, Haitit, dhe Çekosllovakisë, dhe mbi të gjitha në Kosovë.

Për ata që e kanë njohur, ajo ishte shumë më tepër se një intelektuale e angazhuar, ajo ishte një ndërgjegje në lëvizje, një prani e palëkundur atje ku kërkohej qëndresë.
Të shkruaje, për të, nuk ishte kurrë çështje stili, por një akt besnikërie, ndaj së vërtetës, drejtësisë dhe të tjerëve.

Bijë e një babai të vrarë në vitin 1963, në një mision në shërbim të Francës, ajo mësoi që herët se dhuna nuk është një çështje abstrakte: ajo shënon jetë, shënon trupin e njeriun të dashur dhe lë pas një dhimbje që te ndjek dhe të paralizon. Këtë trashëgimi të dhimbshme, ajo e shndërroi në një kërkesë të brendshme: një vëmendje pa kompromis ndaj padrejtësive të heshtura, të vërtetave të shtrembëruara dhe zërave të mbytur, duke e kthyer dhimbjen në forcë.

Doktore në Teori Letersie, ajo kishte zgjedhur Graham Greene si bashkudhëtar mendimi, jo thjesht një “temë” akademike, por një laborator moral, një shkollë kthjelltësie përballë zonave gri, besnikërive të dyshimta dhe kompromisesh të zakonshme, që mbushin jetën e njerezve të vegjël.
Kjo njohje e gjatë me veprën e tij e kishte formuar tek ajo një vigjilencë të rrallë: një dëgjim të ndërgjegjes dhe të ngritjeve të saj, e kishin mësuar të shihte atë “dritë të vogël” të brendshme që çdo regjim, luftë apo ideologji përpiqet ta shuajë përpara se të vendosë natën e vet.

Ishte gazetare në Le Monde diplomatique, kur e njoha në një konferencë në Bruksel. Klara Buda, shqiptare iu prezantova; Marie-François Allain, baske m’a ktheu ajo. Marie-François Allain zhvilloi një punë të duruar dhe të saktë, të përqendruar në Evropën Qendrore, me dhunën politike dhe kulturen si sizmograf.
Linja e saj nuk ishte ajo e editorialit të vendosur nga Gazeta, por e një rreptësie etike: saktësi, refuzim i thjeshtëzimeve, durim përballë fakteve. Mbi të gjitha, ajo kishte atë mënyrë unike për të lidhur ngjarjet me jetët, pa patetizëm, por edhe pa ftohtësi. Me gjasë, ishte pikërisht kjo aleancë, etika e formës dhe ndjesia e reales, që e bëri aq të pranishme gjatë luftës së Kosovës.
E angazhuar thellësisht në Comité Kosovo*, ajo u përpoq me gjithë forcën e saj, shpesh deri në rraskapitje, për ta bërë të dëgjohej në Francë zërin e rezistencës paqësore të Dr. Ibrahim Rugovës.

Nga ky angazhim lindi, në bashkëpunim me Xavier Galmiche, një libër thelbësor: La Question du Kosovo (Fayard, 1994).
Të dy ishin bashkautorë të barabartë në konceptimin dhe ndikimin e veprës: ajo, gazetare dhe intelektuale e angazhuar; ai, atëherë një studiues i ri, sapo i habilituar në Sorbonne, dhe sot Profesor në këtë universitet prestigjioz francez.

La Question du Kosovo: Entretiens avec Marie-Françoise Allain et Xavier Galmiche

Ky libër mbetet një dokument i rëndësishëm, jo vetëm për të kuptuar një strategji politike jo të dhunshme përballë shtypjes dhe dhunës, por edhe për të parë se si një gjuhë e vogël mund të ngrihet nëpe’rmjet mendit filozofik, kundër fshirjes së saj. Ishte pas botimit të këtij libri që do të bëhej e mundur, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në ish Jugoslavie, hapja e Redaksisë shqipe të Radio France Internacionale, ku do të punoja gjatë luftës së Kosovës dhe do ta drejtoja deri në mbylljen e saj.

Gjatë shumë intervistave për Radio Francën kuptova se Kosova, për të, nuk qe kurrë “një dosje” mes të tjerash: ishte një vijë thyerjeje, një vend ku zbulohej aftësia e Evropës për të njohur, ose për të mos njohur, fillimin e çnjerëzimit.

Në vazhdën e këtij angazhimi, ajo bashkënënshkroi disa thirrje që denonconin “spastrimin etnik” në Kosovë, dhe ishte firmëtarja e parë dhe bashkorganizatore ( së bashku me mua, si firma e dytë) e peticionit të intelektualëve francezë kundër spastrimit etnik, më 23 qershor 1998.

Ata që e kanë lexuar, e kujtojnë frazën e saj: një frazë që qëndron, që shikon, që peshon. Një frazë që nuk mjaftohet me informimin, por që nuk bie kurrë në lirizëm të tepëruar.
Edhe kur shkruante për letërsinë, ajo kërkonte hijen ku vendoset morali. Edhe kur shkruante për luftën, ruante përmbajtjen e saj për dhimbjen e tjetrit. Ishte një përmbajtje që vinte nga njohja e faktit se të flasësh për tjetrin është gjithmonë një rrezik, dhe ajo e shndërronte këtë rrezik në disiplinë.

Mbetet një vepër, artikuj, libra, qëndrime dhe pozicionime, ku dëgjohet një besnikëri pa madhështi: besnikëri ndaj popujve të kërcënuar nga harresa (si atëhere kur mu paraqit si baske dhe jo franceze**), besnikëri ndaj nuancës, kur propaganda imponon slogane, dhe besnikëri ndaj idesë se letërsia dhe gazetaria, kur qëndrojnë në lartësinë e tyre, nuk janë stoli të demokracisë, por nervat e saj.

Ata që e kanë njohur nuk do ta harrojnë kurrë Shoizikën, qetësinë e saj të zjarrtë, dashamirësinë vëllazërore, dhe atë mënyrë të rrallë për ta bërë të vërtetën njëkohësisht të kërkuar dhe të afërt.

Më kujtohet një darkë në Paris me presidentin Ibrahim Rugova: ishim dy gratë e vetme në tryezë, dhe ai na dhuroi secilës nga një trëndafil. Ky gjest, i thjeshtë por simbolik, shprehte njohjen e pranisë sonë femërore në një univers politik të dominuar nga burrat.
Marie-Françoise e pranoi me atë gravitet të butë që e karakterizonte, ndërsa qeshte me veten.

Xavier Galmiche, mik i mendimit, e përshkruante si një grua “me jetë dhe shpirt romaneske e të ndërlikuar”. E ndjaj të njejtin mendim me të, jeta e saj ishte komplikuar edhe nga drama e humbjes së babait kur ishte vetëm 18 vjeç.
Një komplicitet i vërtetë ekzigjence universitare dhe besimi i lidhte së bashku. Ai i qëndroi besnik deri në fund.

Së bashku me Xavienë bëmë një udhëtimin për ta vizituar në gusht 2020, në shtëpinë e saj të pleqërisë në Treigny, në Yonne.
Ajo na priste në një shezlong.
Zëri ishte i dobët, por dëgjimi i saj, i paprekur.
Një çast ndriçimi i pezullt, hera e fundit.

Pusho në paqe, Shoizik. Do ta takosh sërish babanë tënd që e deshe aq shumë.

Ajo do të varroset në varrezat e Trégourez (Finistère).

*Komiteti “Kosova”, pranë revistës Esprit (kolektiv francez që mbështeste rezistencën paqësore të Dr. Ibrahim Rugovës)

**vendi Bask, është ndarë në dy pjesë mes Francës dhe Spanjës, gjuha baske flitet dhe mësohet vetëm lokalisht, si nê Francë ashtu edhe në Spanjë.

Ky portret mund te ri-botohet duke cituar ©klarabudapost.com. Fotoja mund te publikohet me lejen e Z. Adnan Merovci.

Version Française