Hakmarrja e Flamingo-s

Kryeministër kuptoje momentin. Kur një pjesë gjithnjë e më e madhe e shoqërisë humbet besimin te institucionet, përgjegjësia e një udhëheqësi nuk është të shtrëngojë më fort pushtetin, por të dëgjojë. Shqipërisë, sot i duhet një rrugëdalje demokratike, institucione të besueshme dhe rikthimi i besimit publik. Historia do të të gjykojë jo vetëm sa gjatë qeverise por edhe nëse në momentin e duhur pate urtësinë të largohesh. Në bulevard manifeston me shumicë rinia shqiptare, e pamë në 1 qershor, simbolikisht, me fëmijët në karrocë. Kjo është pjesa më e bukur, më tolerante e kombit. Por është edhe një pjesë që rron në varfëri eksteme dhe ende nuk është ngjitur në kryeqytet…Nuk do të jetë kaq komode të përballesh me të, reflekto!

Klara Buda
Hakmarja e Flamingos

Paris më 4 qershor, 2026

Një reagim madhështor është shënuar në këto katër ditë proteste në sheshin Dëshmorët e Kombit në Tiranë. Shpesh pyesim : pse nuk reagojnë akoma më shumë njerëz ?

Përgjigjja nuk është gjithmonë frika, as indiferenca*.

Brezi që sot është 50–60 vjeç u formua në një sistem ku reagimi ndëshkohej. Për dekada me radhë, njerëzit mësuan të heshtnin, të mos binin në sy, të mos sfidonin autoritetin. Edhe kur diktatura ra, shumë prej këtyre mekanizmave mbetën të ngulitur në vetëdije.

Njeriu mund të dalë nga diktatura, por diktatura nuk del gjithmonë menjëherë nga njeriu.

Një pjesë tjetër është çliruar prej kësaj frike. Por ka humbur diçka tjetër: shpresën. Pas tridhjetë e gjashtë vitesh tranzicion, shumë qytetarë kanë krijuar bindjen se asgjë nuk ndryshon. Ata kanë parë korrupsion, pandëshkueshmëri, përqendrim pushteti dhe premtime të pambajtura.

Kujtesa kolektive mban ende plagë të hapura. 21 Janari mbetet për shumë shqiptarë simbol i momentit kur konflikti politik prodhoi viktima dhe kur besimi te shteti u trondit rëndë. Po kështu, shumë ish-aktivistë dhe pjesëmarrës në lëvizje qytetare apo ajo studentore me 2018, kanë shprehur bindjen se politika ka depërtuar thellë në hapësirat që duhej të mbeteshin të pavarura. Sot, mosbesimi është bërë aq i madh sa shumë qytetarë shohin ndikim partiak pothuajse kudo, madje patronazhistët janë edhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit.

Prandaj heshtja nuk duhet interpretuar gjithmonë si miratim. Shpesh ajo është rezultati i dy plagëve të ndryshme: frikës së trashëguar dhe shpresës së humbur.

Por historia tregon se asnjë shoqëri nuk ndryshon kur bindet se ndryshimi është i pamundur. Çdo pushtet, sado i fortë të duket, mbështetet mbi një bindje të vetme: se qytetarët do të vazhdojnë të besojnë se nuk kanë fuqi. Çauçesku dhe Helena e tij, kanë sy të çuditër dhe nuk kuptuan asgje deri ne ekzekutim. Luoisi i XVI, shkoi po aq i çuditur më 21 janar në Gijotinën e ngritur në sheshin e revolucionit në Paris, duke hapur një preçedent në historinë moderne, sipas tê cilit edhe monarku absolut mund të gjykohet nga Kombi.

Dhe pikërisht aty fillon ndryshimi.

Kryeministër shqiptar, kuptoje momentin. Kur një pjesë gjithnjë e më e madhe e shoqërisë humbet besimin te institucionet, përgjegjësia e një udhëheqësi nuk është të shtrëngojë më fort pushtetin, por të dëgjojë. Jep dorëheqjen. Rrallë përmbysje tê mëdha si ajo e totalitarizmit bëhet pa luftë, të besojmë e ky fat i ‘ra’ Shqipërisë. Asaj sot i duhet një rrugëdalje demokratike, institucione të besueshme dhe rikthimi i besimit publik. Historia do të të gjykojë jo vetëm sa gjatë qeverise një njeri, por edhe nëse në momentin e duhur, në ditën e duhur pate urtësinë të largohesh. Në bulevard manifeston me shumicë rinia e bukur shqiptare, e pamë në 1 qershor, simbolikisht, me fëmijët në karrocë. Kjo është pjesa më e bukur, më tolerante e kombit. Por është edhe një pjesë që rron në varfëri eksteme dhe ende nuk është ngjitur në kryeqytet…Nuk do të jetë kaq komode të përballesh me të, reflekto!

*përpos, një pjesë e madhe punojnë në administratë dhe kanë interesa klienteliste me pushtetin aktual.

©klarabudapost.com CC