Numri 3 i serisë se artikujve që përpiqet ti japë një mbeshtetje idesh, për të mos thënë teorike protestes : “Revolucioni i Flamingove”.
Një platformë politike mund të ndryshojë përbërjen, të zgjerohet dhe të shndërrohet në një hapësirë kolektive, pa u çliruar domosdoshmërisht nga emri i figurës që e themeloi ose e mishëroi fillimisht. Midis realitetit të ri dhe përfytyrimit të trashëguar krijohet kështu një hendek: nisma u përket tashmë shumë vetave, ndërsa kujtesa publike vazhdon t’ia atribuojë një individi të vetëm. Kjo mospërputhje nuk është thjesht çështje terminologjie; ajo prek mënyrën se si formohen, mbijetojnë dhe riprodhohen identitetet politike.
Walter Benjamin e mendon mbijetesën si një jetë që vijon përtej çastit të origjinës, jo si përsëritje të pandryshuar, por si vazhdimësi të transformuar. Në këtë kuptim, edhe një emërtim politik zotëron një Nachleben, një jetë të përtejme: ai mbetet aktiv edhe pasi rrethanat që e krijuan kanë ndryshuar. Emri nuk kufizohet më në përcaktimin e një personi; ai bëhet shenjë, kornizë interpretimi dhe mënyrë për të organizuar perceptimin publik.
Kjo mbijetesë i afrohet asaj që Derrida e mendon përmes figurës së fantazmës: diçka që nuk është më plotësisht e pranishme, por që nuk është as e zhdukur. Identiteti fillestar vazhdon ta përndjekë formën e re politike, duke e detyruar të lexohet nëpërmjet së kaluarës së saj. Edhe kur kandidati është tërhequr dhe platforma është bërë kolektive, “kandidati” mund të mbetet i pranishëm si fantazmë publike, sepse tërheqja faktike nuk sjell automatikisht tërheqjen simbolike.
Në mendimin e Avital Ronell-it, ajo që është transmetuar nuk mund të tërhiqet thjesht nga qarkullimi. Çdo shfaqje publike është një akt adresimi dhe çdo adresim lë gjurmë përtej synimit të atij që e prodhon. Mesazhi politik, pasi është lëshuar, nuk i përket më plotësisht dërguesit të tij: ai kalon në duart e publikut, të medias dhe të kundërshtarëve, të cilët e përsërisin dhe e riinterpretojnë. Identiteti bëhet kështu një jehonë që vazhdon të dëgjohet edhe pasi zëri fillestar ka ndryshuar drejtim.
Ricœur-i do ta lidhte këtë qëndrueshmëri me ndërthurjen midis kujtesës dhe identitetit narrativ. Publiku nuk regjistron vetëm fakte të shkëputura; ai ndërton rrëfime. Figura që është paraqitur e para si kandidat vendoset në qendër të një historie dhe çdo zhvillim i mëvonshëm kuptohet brenda saj. Ndërsa Butler-i lejon të shihet se identiteti publik mbahet gjallë përmes përsëritjes: mediat, komentuesit dhe vetë pjesëtarët e platformës mund ta riprodhojnë identifikimin e vjetër sa herë që e përdorin të njëjtin emërtim.
Për këtë arsye, ndryshimi real kërkon edhe një akt simbolik të dukshëm. Një imazh i ngulitur nuk fshihet nga një sqarim i brendshëm, por nga një gjest publik me forcë të mjaftueshme për të krijuar një kujtesë të re. Përndryshe, forma ndryshon, ndërsa zakoni i interpretimit mbetet. Mençuria popullore e shpreh brutalisht këtë dyshim ndaj shndërrimit: “Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron.” Sfida politike është pikërisht të dëshmojë se, kësaj here, nuk ka ndryshuar vetëm qimja. Dhe për këtë vlen vetëm kominikimi transparent!
*jeta e përtejme, ose mbijetesa…ose vijimësia
Nga Flamingot tek Laraskat : Pse transparenca ka rëndësi
Silenciatori institucional
Do të vazhdojmë me : Ja pse e kaluara nuk blihet dot! Se asgjë nuk ka më vlerë se integriteti!
©klarabudapost.com cc


Kameleon free of use