Tiranë, 29 Gusht, 2026.
Seri e artikujve që përpiqen t’i japin një mbështetje ideore, sado pak teorike, protestës “Revolucioni i Flamingove”, Tirana, Albania.
Numri 1
“Deklarimi i fakteve, jo gjykim moral mbi ta, është vetë baza mbi të cilën qëndron një hapësirë publike e ndershme!” Hannah Arend
Pse transparenca ka rëndesi?
Revolucioni i Flamingove lindi si një shpërthim spontan energjie qytetare, i ushqyer nga zemërimi ndaj një sistemi që gjatë 35 vjetësh tranzicioni ka shkatërruar gradualisht arsimin, drejtësinë dhe ka dështuar të demokratizojë vendin e të ndërtojë shtetin. Sot, në ditën e 90-të, kjo protestë gjendet përpara një momenti vendimtar: a do të mbetet një energji e shpërndarë në dhjetëra grupe pa drejtim, apo do të kanalizohet e do të bëhet forca që përbashkon dhe përzgjedh njerzit që do të gjenin një rrugëdalje, që do të çonte në krijimin e kushteve për shpalljen e një qeverie teknike, që do të organizonte zgjedhjet e lira e të ndershme dhe do të qeveriste vendin deri në organizimin e këtyre zgjedhjeve demokratike.
Ky kalim, nga protesta e pastrukturuar në përzgjedhjen e njerëzve dhe krijimin e subjekteve politike me përfaqsues të pastër, nuk mund të bëhet mbi baza të paqarta. Ai kërkon transparencë. Dhe transparenca, në këtë moment, nuk është thjesht një parim i mirë për t’u përmendur në deklarata. Ajo është kushti themelor që vendos nëse lëvizja mbijeton apo shpërbëhet dhe vdes.
Tre muaj nga fillimi, dhe përtej energjisë pozitive të krijimit të një numri grupesh të reja, asgjë nuk eshtë kristalizuar realisht, deri tani. Një takim i një prej nismave, e quajtur “Kuvendi kombëtar i protestës” mbajtur tek 15 katshi më 18 korrik, kishte pjesmarrje nga të vjetër e të rinj, nuk arriti të zhvillohej në mënyrë demokratike, edhe pasi disa herë shpërthyen individë, presentë në sallë, që sulmua verbalisht organizatorët…deshmitare okulare e gjithshkaje që ndodhi aty ( e ftuar nga të njohur gjatë ditëve në protestë, kam protestuar gjithë ditët kur ndodhesha në Tiranë). Analiza e këtij organizimi nuk është objekt i këtij shkrimi, ndaj po nënvizoj se ky grupim nuk duket të jetë ndjekur nga shumë. Nga vjen ky hezitim, apo dyshim ? ai ka lindur nga frika se nuk është shumë e qartë se cilët janë ata që e drejtojnë. Njerzit e bejnë lehtë llogarinë: kush i pagoi fondet për sallën dhe logistikën, kush është pronari i 15 katshit dhe a ja kanë tërhequr veshin për këte ( këtu flas për njohësit e problemit shqiptar aktual, pasi nuk mund të bej akuza publike…) Thjesht njerzit informohen se “kë po ndjekim?”, “a fshihet pas këtij grupimi, diçka tjetër nga ajo që shfaqet në sipërfaqe. Nëse Revolucioni i Flamingove synon të evoluojë në një forcë që kërkon dhe realizon kushtet për një qeveri teknike, domethënë aspiron që të bëhet aktor politik, atëherë ai duhet t’i nënshtrohet vetë standardit që i kërkon çdo aktori politik që vepron në protestë: t’i thotë shoqërisë qartë kush është, nga vjen dhe çfarë përfaqson.
Sot në shesh protestojnë qytetarë të thjeshtë por edhe forca që i perkasin partive të vjetra e të reja, apo grupe të ndryshme interesi siç i quajnë disa. Termi:” grupe interesash” nënkupton jo vetëm partitë politike, por edhe shoqatat jo qeveritare, OJQ-të, të organizuara rreth kauzave të caktuara. Dhe kjo nuk është aspak diçka negative. Përkundrazi, këto grupe janë shpesh bërthama nga ku lind veprimi qytetar: ato organizojnë, mobilizojnë, artikulojnë kërkesa dhe krijojnë përfaqësi. Por nga eksperienca personale në protestë, ku shpesh isha vetëm, vërej se grupet operojnë veçmas, janë të ulurit para mikrofonit, grupi që ecën mes protestës me flamingo prej kartoni, rrethe që krijohen rreth makinave të televizionit dhe protagonistë të protestave në rrethe që mblidhen tek Bar West. Protestuesi i vetmuar, nuk di kujt i përkasin ata që flasin, qoftë nga protestuesit vendas dhe ata të diasporës. Si shpjegohet që disa emigrantë gjenden direkt tek mikrofoni, pa marrë pjesë fare në protestat e vendeve nga vijnë; pse disa të tjerë ndalohen brutalisht të flasin ? Protestuesi i vetmuar ka nevojë të identifikohet me dikë ( të ndjehet i ngjashëm me të, dhe të kuptojë se protestojnë për të njëjtën arsye) ai ka nevojë për prezantimin dhe transparencën e gjithkujt që flet, në të kundërtën desolidarizohet lehtë. Jo më kot parrulla më e bukur është: Ju Erdhi Fundi!
Në Gjermaninë Lindore apo në Çeki, procesi i lustracionit shërbeu si mekanizëm institucional për të pastruar hapësirën publike, duke treguar qartë kush ishte pjesë e aparatit shtypës dhe kush jo. Shumë autorë kanë shkruar gjatë mbi këtë përvojë, mbi çka do të thotë të hapësh dosjen tënde dhe të lexosh “veten” siç e ka parë aparati i shtetit. Shqipëria nuk e kaloi kurrë seriozisht këtë proces. Kur shteti dështon ta bëjë këtë pastrim, barra bie mbi shoqërinë civile dhe në këtë rradhë në vetë lëvizjen e protestës. Nëse Revolucioni i Flamingove pretendon të bëhet zëri që kërkon një qeveri teknike, ai duhet vetë të tregojë çfarë do të thotë transparencë, llogaridhënie, duke filluar nga brenda. Kjo është e vlefshme edhe për çdo grup që arrin të strukturohet, dhe për mundësinë e bashkimit të grupeve të ndryshme.
Çdo aleancë e mëparshme mes pozitës, opozitës dhe partive të vogla ka prodhuar të njëjtat rezultate: kontroll klientelist, informalitet dhe dobësim institucionesh. Nëse lëvizja e sotme dëshiron të shmangë këtë fat, e të mos bëhet thjesht një palë e re në të njëjtin sistem, nuk mjafton të thotë “jemi apartiakë”, jemi të pastër, por këtë duhet ta provojë me fakte të verifikueshme: kush janë, nga vijnë, çfarë angazhimesh kanë pasur më parë, dhe pse janë larguar që aty. Nje Biografi e shkurtër dhe vetë-deklarimi me shkrim ( nën përgjegjësinë personale, e kthen besimin nga një akt moral, “Besa”, në një akt të kontrollueshëm nga çdokush. Václav Havel e ka quajtur këtë “jetesë me të vërtetën”, ideja se qytetari i lirë dallohet nga ai që hesht, pikërisht nëpërmjet gatishmërisë për ta thënë atë që di për veten, edhe kur kjo e shkuar mund të ketë ndonjë gjë që nuk e bën krenar. Atdheu vlen më shumë se të gjitha çka për të fshehur sejcili. Thirrja e Atdheut e purifikon të shkuarën përmes transparencës, dhe transparenca nuk ka nevojë për filozofi, por thjesht: kush je ? nga vjen? çfarë ke bërë ? nga distancohesh e ne çfarë beson ? Në një bio kjo do të paraqitej afërsisht:” shkollimi, funksioni, funksione të mëparshme dhe rrethanat e largimit.
Nëse lëvizja synon të ndërtojë një qeveri teknike, ajo do t’u kërkojë gjithë figurave teknike transparencë të plotë mbi të kaluarën e tyre. Por kjo kërkesë humbet çdo legjitimitet nëse vetë themeluesit e lëvizjes përjashtohen prej saj. Rreziku i konfliktit të interesit është më i lartë pikërisht tek liderët e nismës, sepse janë ata që kanë ndikimin më të madh për ta orientuar lëvizjen drejt aleancave të frytëshme apo famëkeqe për vendin, nga ato që e kanë çuar Shqipërinë në shkatërrim. Njerzit janë lodhur me kaq shumë mashtrime dhe gjëja më e vogël i zhgënjen, ndaj vlen të jemi shumë të sinqertë me ta.
Dhe e kaluara partiake nuk është fatalitet, nuk besoj se protesta kërkon përjashtim të kujtdo që ka pasur të kaluar partiake apo institucionale, ajo kërkon vetëm deklarimin e sejcilit, do të dijë kë po ndjek. Kjo e bën kërkesën të pamohueshme, sepse askush nuk po mohon të drejtën e askujt për të evoluar politikisht. Kërkohet vetëm që ky evolucion të mos ndodhë në heshtje, aq më pak kur lëvizja pretendon të flasë në emër të një kombi që e ka paguar shtrenjtë heshtjen e klasës së saj politike. Hannah Arendt e ka shpjeguar mirë dallimin mes të vërtetës faktike dhe manipulimit politik: deklarimi i fakteve, jo gjykim moral mbi ta, është vetë baza mbi të cilën qëndron një hapësirë publike e ndershme.
Dikush mund të thotë se standarde shumë të ngurta rrezikojnë të krijojnë efektin e gjuetisë së shtrigave, duke larguar njerëz me eksperiencë të vlefshme, ose se angazhime të vjetra rinie nuk kanë të njëjtën peshë morale sa bashkëpunimi me strukturat represive. E vërtetë, por pikërisht kjo mund të jetë arsyeja për deklarim të hollësishëm, jo për refuzim të deklarimit. Nuancat trajtohen me hollësi, jo me heshtje.
Nëse Revolucioni i Flamingove dëshiron të bëhet diçka më shumë se një valë e dytë energjie e shpenzuar pa rezultat, si ajo e 90 tës, ai duhet të vendosë transparencën jo si opsion, por si kusht themelor të egzistencës, si kusht paraprak për çdo hap tjetër, përfshirë atë drejt kërkesës për qeveri teknike.
Meqënëse përfundimisht ne qenkemi një popull me shumë dashuri për zogjtë, po e mbyll me një figure: transparenca nuk i ngjan dilemës nëse i ka Grizhla puplat e zeza apo të bardha. Ajo është thelbësore për çdo figurë publike, që respekton veten dhe ata që e ndjekin. Do të ishte gabim ta reduktonim në një element secondar, apo anësor.
#Transparenca #RevolucioniIFlamingove #DrejtësiTranzicionale #Llogaridhënie #QeveriTeknike #ShoqëriCivile #Lustracioni
Copyright klarabudapost.com

