Diagnoza e “çmendurisë” demaskon një kategori që nuk i duron më faktet.

…kur “e vërteta faktike” tretet në opinion, bota e përbashkët çahet. Nuk debatojmë më për alternativa; vihet në dyshim vetë realiteti. Guximi për të përshkruar ç’është bëhet atëherë një “papërshtatshmëri” shoqërore, gati një ekscentricitet klinik. Diagnoza e “çmendurisë” nuk thotë asgjë për dëshmitarin; ajo zbulon brishtësinë e një hapësire publike që nuk i duron më faktet.

 

Klara Buda
Shi

Paris, më 31 Août, 2025

“Nëse ish-kryeministri ju thotë se bie shi e kryeministri aktual, se nuk ka shi – po ndriçon dielli, detyra juaj nuk është t’i citoni të dy: është të hapni atë dreq dritare dhe të verifikoni se cila është e vërteta.”

Në një vend ku indoktrinimi nuk është zëvendësuar kurrë me një përballje reale me faktet, ku një “informim” i përkushtuar ndaj klientelave e jo ndaj publikut përmbys rendin e gjërave, ai që e emërton mjerimin — atë të Shqipërisë, të shqiptarit të thjeshtë, të migrantëve të çoroditur nga pseudo-elitat patronazhistë — shpallet i paarsyeshëm. Hannah Arendt e ka treguar: kur “e vërteta faktike” tretet në opinion, bota e përbashkët çahet. Nuk debatojmë më për alternativa; vihet në dyshim vetë realiteti. Guximi për të përshkruar ç’është bëhet atëherë një “papërshtatshmëri” shoqërore, gati një ekscentricitet klinik. Diagnoza e “çmendurisë” nuk thotë asgjë për dëshmitarin; ajo zbulon brishtësinë e një hapësire publike që nuk i duron më faktet.

Shënim për redaksitë — « If someone tells you it’s raining and another tells you it’s dry, it’s not your job to quote them both. It’s your job to look out the fucking window and find out which is true.* » (« Nëse njëri ju thotë se bie shi e tjetri se është thatë, detyra juaj nuk është t’i citoni të dy: është të hapni atë dreq dritare dhe të verifikoni se cila është e vërteta. »)¹

Me Paul Ricœur-in mund të saktësojmë mekanikën: ideologjia nuk është vetëm velim, është edhe integrim. Por kur integrimi ngurtësohet në mohimin e realitetit, ideologjia resht së orientuari dhe nis të verbojë. Ajo imponon rrëfime-ekran që u konfiskojnë njerëzve aftësinë narrative: punëtori, i mërguari, i tërë fshati ekzistojnë vetëm përmes skemave gati-për-përdorim. Përballë kësaj, Ricœur propozon “dëshmimin”: të mbahet së bashku përshkrimi besnik dhe përgjegjësia për të thënë “ja çfarë po vërtetoj si të vërtetë”. Është një etikë e fjalës, e brishtë por këmbëngulëse, që i kthen secilit mundësinë të jetë autor i historisë së vet.

Të flasësh “për realitetet” pra nuk është një tekë; është një detyrë elementare politike: rivendosja e kritereve të përbashkëta të fakticitetit, rihapja e vendeve të kundërshtimit, kërkesa që mediat t’i shërbejnë të përbashkëtës dhe jo klientelave. Do të thuhet se kjo është marrëzi? Le të jetë. Por pikërisht kjo “marrëzi” — këmbëngulja për të dëshmuar faktet dhe për ta rirelidhur botën e përbashkët — i rikthen komunitetit frymëmarrjen. Mendimi im: të quash me maturi mjerimin dhe mekanizmat që e riprodhojnë atë nuk është radikalizëm; është higjiena minimale e një qyteti që ende dëshiron ta shohë veten në pasqyrë.

—–

*shqipërim 🙂 “Nëse ish-kryeministri ju thotë se bie shi e kryeministri aktual, se nuk ka shi – po ndriçon dielli, detyra juaj nuk është t’i citoni të dy: është të hapni atë dreq dritare dhe të verifikoni se cila është e vërteta.”

¹ — Shpesh i atribuohet profesorit të gazetarisë Jonathan Foster (Universiteti i Sheffield-it) dhe është përhapur gjerësisht në shtyp dhe në mësimdhënie. Por gjenealogjia më e hershme e njohur kthehet në vitet 1940, te gazetari teksan Hubert Mewhinney, i cili ironizonte tashmë “ekuilibrin e rremë”: reporteri i mirë shikon nga dritarja dhe thotë atë që sheh.

#gazetari #MEDIA #eVertetaEFaktit #HapDritaren #FaktetParaOpinioneve #KunderPropagandes #KunderEkuilibritTeRreme #EtikaEFjales #HapesiraPublike #Arendt #Ricoeur

@klarabudapost