Vota e Gruas ne zonat rurale Mit apo Realitet?

Gjeografikisht, bashkia e Klosit, ndodhet në krahinën e Matit, dhe është një bashki me karakter rural, popullsia e fshatrave e tejkalon atë të qytetit. Sipas gjendjes civile janë regjistruar 20.821 banorë, ndër të cilët 15.417 ishin në moshë për të votuar. Fushata elektorale në Klos dhe nëpër fshatra, filloi me 22 prill dhe mbaroi zyrtarisht me 19 qershor 2015. Ajo zgjati 58 ditë, kundrejt 30 ditë që e parashikon Kodi Zgjedhor.

Aurenc Bebja

Paris, 27 Korrik 2015

Opinion i bazuar  ne zhvillimin e fushates zgjedhore dhe te zgjedhjeve lokale ne Bashkine e Klosit, Mat.

Edhe pse fizikisht ndodhesha në Francë, e pavarësisht faktit që shteti im më « injoron » duke mos më siguruar të drejtën e votës jashtë atdheut, e kam ndjekur me shumë interes këtë fushatë zgjedhore. Duke e krahasuar atë me fushatat zgjedhore në një demokraci të konsoliduar,  sikurse ajo  franceze,  desha të shënoj një numër mangësish apo shkeljesh :

–      mungesë e një programi qeverisës transparent nga forcat politike

–      pjesmarrja e adoleshentëve në mitingje

–      mosrespektimi i kohëzgjatjes legale

–      pjesmarrje e vogël deri në mungesë të plotë  e grave në mitingjet zgjedhore

Objekti i këtij shkrimi është pikërisht mungesa e gruas si forcë votuese.

Eshtë e trishtueshme dhe zhgënjyese që gruaja nuk po gjen akoma vend në shoqërinë tonë rurale, si rrjedhojë e diskriminit apo mos rrespektimit të barazisë gjinore e parashikuar me ligj.

Kjo mungesë e grave u vërejt pothuaj në të gjitha mitingjet e të dy forcave kryesore politike (e djathta dhe e majta), të cilat fotografuan vetë fushatën dhe publikuan fotografitë në rrjetet sociale. Nga ky realitet lindin një numër pyetjesh :

–  Pse u nënvleresua gruaja nga forcat politike, kur dihet që gjysma e votave u vjen po nga kjo gjini ?

–  Si mund të ketë kandidate gra (forca e majtë), kur gratë  nuk janë pjesmarrëse gjatë fushatës zgjedhore ?

–  A ishte kjo kandidate grua  vetëm nje fasadë për partinë socialiste ?

–  A votuan vërtet gratë qe mungonin në mitingje, apo u përfaqësuan ato nga burrat ?

–  A kontribuojnë ato në të ardhmen e zonës,  apo politika nuk është fushë për gra?PS -edi Rama

Të shumta janë pyetjet, dhe nuk është e lehtë tu jepet përgjigje, por për një gjë jam i sigurtë që gruaja klosiane, ashtu si edhe ajo shqiptare, në përgjithësi, nuk është aspak e paditur dhe besoj se e meriton të flitet më shumë për të, meriton më shumë respekt dhe mirnjohje. Duhet të kuptojmë, që një situatë e tillë, që eviton, izolon, poshtëron, e nënshtron gruan, është e papranueshme, dhe nuk duhet të ekzistojë në kohën që jetojmë, dhe kur aspirojmë të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian.

« Akses dhe kontroll i barabartë mbi burimet dhe përfitimet, pjesëmarrje e barabartë në vendim-marrjen politike dhe barazi me ligj për gratë dhe burrat »2

Në zonat rurale, si ajo e Klosit, gratë janë ende « skllave » të maskilizmit, të trashëguar nga një shoqëri patriarkale arkaike, në të cilën kanë ndikuar pushtuesi osman, totalitarizmi enverian, dhe  tranzicioni postkomunist nuk ka munduar ta ndryshojë këtë situatë.

« Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë »

Sipas të dhënave që vijnë nga praktika të vërejtura në këtë zonë klosiane, një pjesë e grave, detyrohen të votojnë, kandidatin e imponuar  nga burri, babai, vellai, xhaxhai, apo daja. Kjo lloj inlfuence apo presioni mbi gruan bie në kundërshti me pikën 4, të nenit 45, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku thuhet : « Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë »[3]. Pra, një situatë e tillë dëshmon, si ashtu edhe për kodin elektoral më sipër, se ligji nuk rrespektohet gjatë votimit në Shqipëri, dhe se gruaja rurale, edhe pse jo e burgosur fizikisht, ndodhet në një gjendje të « burgosur morale ». Ajo ka liri dhe të drejta të kufizuara të mendimit dhe të shprehjes së lirë.

Kjo gjendje në të cilën ndodhet sot gruaja rurale klosiane më bën të reflektoj mbi faktin se e drejta e votës së gruas eshte vendosur që në vitin 1937[5], madje edhe para asaj franceze (1944), vendit të demokracisë moderne dhe të drejtave të njeriut. Sot, në çfarë niveli ndodhet femra rurale shqiptare, klosiane në krahasim me atë rurale franceze ? Këto dhjetë vitet e fundit kam pasur mundësinë dhe eksperiencën të konstatoj nga afër rolin e femrës në shoqërinë franceze, dhe mund të them, që aktualisht, femra rurale klosiane nuk mund të krahasohet me atë franceze. Ka një distancë të madhe mes të dyjave për arsye ekonomike, politike, shoqërore dhe kulturore. Gruaja në Francë është shumë herë më e emancipuar, ka liri të plotë fjalës, të drejtës të votës, në përgjithësi është e pavarur nga burri, është e punësuar, dhe mbi të gjitha mbrohet nga ligjet e rëpublikës dhe organet e shtetit.

Ndërsa, femra rurale në Shqipëri, në Klos, për shkak të varfërisë dhe sidomos të mentalitetit patriarkal është e varur nga burri, e paragjykuar nga shoqëria, e harruar nga shteti (edhe pse ligjet ekzistojnë), por lind pyetja nëse këto ligje arrijnë të zbatohen dhe të rrespektohen deri në zonat rurale ?!

Puna që gruaja klosiane bën në bujqësi dhe blegtori nuk paguhet me rrogë, por paradoksalisht shteti nuk nguron ta shtojë atë në listën e të punësuarve, dhe në të njëjtën kohë harron ti sigurojë asaj sigurime shoqërore apo shëndetësore, apo ti japë ndihmë ekonomike sociale. Në teori dhe me ligje, femra klosiane ka të drejta të barabarta me burrin, por realisht të drejtat e saj nuk rrespektohen ose vetëm pjesërisht, gjë që e vumë re edhe me votën, e cila është pjesë e themelit të demokracisë.

13 qeshor_Takim me Lulzim Bashen ne KlosFemra shqiptare votoi më herët se ajo franceze (1937)[4], por gjithashtu edhe më herët se femrat e disa shteteve të tjera të zhvilluara,  si Belgjika (1948), Kanadaja (1960), apo Zvicra (1971), por fatkeqësisht arrijmë në konkluzionin , që kjo e drejtë vote për gratë shqiptare dhe sidomos rurale paska qenë thjeshtë një vitrinë e bukur, sa për sy e faqe, ashtu si edhe kandidatet gra që propozohen nga partitë politike shqiptare, ku mbrapa kësaj vitrine fshihet një realitet krejt tjetër, një realitet që nuk ka arritur të përparojë me kohën, si në shtetet e tjera perëndimore.

Atëherë kur kemi ndjenjën se kur votojmë, jetojmë në demokraci, ashtu siç foli gjatë për këtë temë kur ishte në Klos, edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha, por çfarë kuptimi ka kjo demokraci kur vota u imponohet femrave apo kur ato nuk ftohen të marrin pjesë në fushatë ?! Një gjë duhet kuptuar dhe pranuar, që femra nuk është objekt apo « pronë » e dikujt, ajo është  nënë, grua, motër apo shoqja juaj. Madje, një pjesë thonë : « – Kështu është tradita këtu apo kështu e dëshiron feja ! ». E them me plot besim, se as tradita dhe as feja nuk janë problem, se fe e tradita kanë pasur dhe kanë shtete të tjera si Franca, Anglia, Gjermania, Danimarka, Suedia apo SHBA, por fajtori kryesor që e ka penguar shoqërinë tonë të zhvillohet dhe të avancojë me kohën, është mentaliteti ynë arkaik prej burri dhe i atyre burrave, lidërve politikë,  që na drejtojnë, e bëjnë sikur jemi të emancipuar në sytë e botës, duke vendosur disa gra si kandidate për zgjedhjet lokale, të cilat jo vetëm që nuk përfaqësojnë aspak gratë, por janë madje thjeshtë shërbëtore, marioneta apo fasada të politikës maskiliniste shqiptare. Liderët politikë e kanë ende të vështirë ta ndajnë pushtetin me gratë, mbase nga frika se mos u bie burrërria, dhe i mbajnë qëllimisht të gjalla « souveniret » apo gjurmët sunduese të së kaluarës mbi gruan.

Gjithashtu edhe me fjalimin në Klos të kryeminsitrit shqiptar, Edi Rama, i cili njihet si një personalitet politik, që e ka mbështetur angazhimin e gruas në politikë si në shkallë vendore dhe në atë qëndrore, ishte paradoksale mbështetja e një kandidateje grua, ndërkohë që gruaja ishte pjesa e munguar e ketyre zgjedhjeve në Klos. Gruja në këtë miting ishte ne tribune, por  jo në miting.

Kryeministri e quajti Klosin komunitet qytetar, por shtrohet pyetja se çfarë është qytetaria, kur mitingu është i mbushur vetëm me burra dhe nxënës shkollash. A mos ka një mospërputhje mes realitetit të barazisë gjinore në zonat rurale dhe asaj që egziston në ligj dhe në fjalimet e fushatës?

Gjatë fjalimit të tij, kryeministri e trajtoi Klosin gjithashtu si një bashki në mes të Europës, dhe kritikoi sheshin qëndror, sepse nuk ishte i denjë për të pritur simpatizantët « socialistë » : quajti Klosin komunitet qytetar, por Bashkimi Europian nuk do na e hapë derën për sa kohë, që ne nuk do të kemi përparësi në barazinë gjinore, për sa kohë që nuk do të kemi një shoqëri të emancipuar.

Si përfundim, pjesmarrja e gruas në fushatën elektorale, në një zonë rurale si Bashkia e Klosit, ishte një mungesë e qartë, dhe jam i sigurtë që të njëjtin konfiguracion e gjeni edhe në bashki të tjera në Shqipëri, që kanë të njëjtin profil. Kjo fushatë dëshmoj edhe njëherë që jemi ende një shoqëri e brishtë, me mjaft probleme sociale, ku gruaja është nën varësinë e burrit, për shkak të mentalitetit tonë, por gjithashtu edhe të situatës politike dhe ekonomike të vendit. Gjithsesi, kam bindjen, se rruga e zhvillimit të zonës së Klosit, dhe Shqipërisë në përgjithësi, do varet nga emancipimi i shoqërisë tonë, apo mbi të gjitha nga vullneti i saj për tu emancipuar dhe për të pranuar gruan si një forcë të barabartë.

Si rrjedhojë, dëshiroj të mbyll temën me pyetjen se kush ka nevojë të emancipohet më pare në Shqipëri : gruaja apo burri ? Për të konkluduar që vetëm emancipimi i ndërsjelltë i gruas dhe i burrit do të çojë në emancipimin e shoqërise në zonat rurale shqiptare, duke e ndihmuar hap pas hapi vendosjen e demokracisë!

[1]Pika 1 e nenit 77 të Kodit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë : « Fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve ».

[2] Ministria e punëve dhe çështjeve sociale, Republika e Shqipërisë

[3] Pika 4, e nenit 45, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku thuhet : « Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë ».

[4] Flitet që gruaja shqiptare pati të drejtë vote që në 1920, sipas disa klasifikimeve botërore të drejtës së votës së grave në botë në faqen e Women’s Suffrage. Parlamenti  shqiptar citon se gratë votuan për herë të parë më 2 dhjetor 1945.

Aurenc Bebja  http://www.darsiani.com/themeluesi-fondateur-founder/

Versioni francez