Takimi i parë me Dr. Rugovën dhe deklarata e Presidentit Chirac

Studimet Universitare në Francë, në shkollën e “non-violencës” s’ka dyshim që kanë vulën e tyre, jo vetëm në tolerancën dhe frymën jo konfliktuale, por edhe në obstinimin intelektual si pjesë e individualitetit të tij jashte normës si studjues e më pas si politikan. Por nëse ai i zhvilloi dhe i shprehu me forcë e vendosmëri këto veti pas studimeve në Francë, ishte origjina e tij që ia kishte dhënë atij mësim e madh…

KLARA BUDA

Paris, 5 gusht 2017. Nga arshivat audio.

Esprit”, është një revistë idesh filozofiko-politike themeluar në vitin 1932 dhe e angazhuar në problemet e kohës. Kjo revistë prestigjioze kishte pranuar në gjirin e saj Komitetin Kosova, që kishte objekt sensibilizimin e opinionit publik francez mbi Çështjen e Kosovës. Ky komitet mblidhej çdo javë në selinë e revistës, në rrugën Saint-Martin, në Paris.

Në ambientet e kësaj reviste e kam takuar për herë të parë Dr. Ibrahim Rugovën, intelektualin që nevoja për aksion politik në shërbim të popullit të tij e transformoi në politikan.

Po aty kam takuar për herë të parë edhe juristin Fehmi Agani, vekjen e të cilit do ta zbuloja në dépêche-t e AFP-së më 3:00 am do lajmëroja me lot në sy në RFI, më 31 mars 1999.

Në vitin 1993 do ta intervistoja për herë të parë Dr. Rugovën në studiot e Radio Francës Internationale, në Paris. Nga viti 1992, ai isht Presidenti i Republikës së Kosovës, në atë kohë, e vetëshpallur dhe e panjohur ndërkombëtarisht. Megjithëse jo politikisht korrekte, unë do ti drejtohesha publikisht Zoti President i Kosovës. Po atë vit do të lexoja në frëngjisht, në dorëshkrim, exstrakte nga dy eset e tij ” La Stratégie du sens”, (Strategjia e Kuptimit) dhe ” Le Refus esthétique” ( Refuzimi Estetik) përkthyer nga Christiane Montécot. Refuzimin Estetik do ta lexoja të plotë në shqip dhe do të më bëntë të vetdijshme për vlerën dhe largpamësinë e Rugovës si estet dhe filozof. Kjo ese, e shkruar në vitin 1987, në një kohë kur në Shqipëri refuzim estetik dhe, autoret e tij, poetët dënoheshin me vdekje, ishte prekursore dhe emancipuese, e i pararendte  liderit politik modern që do të bëhej Rugova.

Siluheta e tij e hollë, me shallin e mëndafshtë nyje mbi kravatë, shënjë e elegancës së viteve parisiane, nuk kalonte pa rënë në sy. Por ajo që më bëri përshtypje që prej përshëndetjes, kur e prita në hyrje të shtëpisë së radios, dhe gjatë gjithë bisedës që bëmë së bashku on dhe off mikro, ishte natyra e tij e qetë dhe e butë që emetonte ngrohtësi. Ai ishte një përzierje zjarri intelektual dhe stili jo të rastësishëm. Autori i eses aq të komentuar: Refuzimi Estetik, ishte pikërisht e kundërta e steriotipit të mashkullit ballkanik viril e muskuloz. Gjithshka që rezatohej nga figura e tij, dukej sikur qe krijuar si refuzim estetik i këtij steroitipi dominant. Kjo është arsyeja pse francezët do ta quanin “Le frêle colosse du Kosovo” (kolosi i brishtë i Kosovës).

Në takimet e mëpasshme, vërejta se shallin e kishte të përhershëm dimër e verë, si për të garantuar atë ngrohtësinë që rezatonte prania e tij. Ishte kjo thjesht një zgjedhje estetike e paqëllimtë, apo një mjet kumunikimi, për tu distancuar përmes stilit të veshjes, nga modeli i politikanit dominant ballkanik, pra për të nënvizuar një ndryshim? Më pas duke ndjekur rrugëtimin e tij, mu krijua bindja se kjo ishte një shprehje e natyrës së liderit Kosovar dhe e qellimtë apo e rastësishme, ajo ndihmonte për të qartësuar diferencën e tij. Por një ditë ai do të deklaronte se do ta hiqte shallin kur të pamvarësohej Kosova. Nuk kishte më dyshim se ai shall elegant që metaforë e zgjedhës së Kosovës, që i rinte si një lak në fyt. Por fatkeqësisht ai do ta mbante shallin e tij deri në fund. Presidenti legjendar i Kosovës nuk do ta shihte Kosovën të pavarur, ajo do të ishte zyrtarisht e pavarur vetëm pas vdekjes së tij.

Nuk ka dyshim se teoria e tij e Rezistencës Paqsore, u përpunua mirë e më mirë edhe falë studimeve të tij të thelluara në filozofi dhe letërsi në Francë. Por ajo lindi falë trashëgimisë së Kosovës dhe u bë bekim për popullin e saj. Studimet Universitare në Francë, në shkollën e “non-violencës”, s’ka dyshim që kanë vulën e tyre, jo vetëm në tolerancën dhe frymën jo konfliktuale, por dhe në intelektualin e obstinuar si studjues e më pas si politikan. Por nëse ai i zhvilloi dhe i shprehu me forcë e vendosmëri të madhe këto veti pas studimeve në Francë, ishte origjina që ia kishte dhënë atij mësimin e madh. Rugova ishte djalë i vetëm, pasi babai i tij, sikurse më parë i gjyshi, do të vriteshin nga serbët. Në këto kushte Ibrahimi u rit nga gra të vuajtura që e edukuan me butësi, se nuk donin ta shihnin edhe atë të vdiste sikurse parardhësit e tij. Së bashku me këtë edhe mungesa e shëmbullit të imazhit mashkullor klasik, krijuan premisat e favorshme që të lindë individualiteti i babait të Rezistencës Paqsore. Ai ishtë rezultat i mënçurisë të farkëtuar në tre breza konfliktesh serbo-shqiptare. Kjo ishte “shkolla” e parë që i mësoi të hedhë poshtë dhunën. Ndaj mendoj se aty, në trojet e Rugovës lindi “Rezistenca Paqsore” që sigurisht, ku më mirë se në Ecole Pratique des Hautes Etudes në Paris, do të zhvillohej e do të merrte forcë. Ishte pikërisht ky formim që e bëri të qendronte konseguent dhe të kishte largpamësinë të këmbëngulte në rrugën paqsore edhe kur askush nuk besonte më në të.

Siç e përmenda më lart, më 1993 ai do të ishte i ftuar i RFI-së Paris. Së bashku me kolegun kosovar Arif Krasniqi do ta intervistonim atë live duke ju drejtuar me termin Zoti President.

Përdorimi i termit president në një radio publike franceze, për kreun e një republike të panjohur nga Franca ishte politikisht jo korrekt, pra një gabim profesional. Kolegët serbë nuk e lanë të kalojë këtë fakt. Ata kishin në dorë një gabim të redaksisë shqipe dhe e nënvizuan atë në të gjitha instancat. Personalisht jam shumë e kujdesshme në respektimin e etikës, por përpara legjitimitetit të zgjedhjes së Dr. Rugovës President, të mbështetur nga një referendum gjithëpopullor, ky ishte një “gabim” i pashmangshëm. Disa muaj më pas, kjo redaksi e parë e gjuhës shqipe në Paris do të mbyllej. Emisioni qe hapur me një fond të jashtëzakonshëm të parlamentit francez, votuar me propozimin e grupit të miqësisë Francë-Kosovë, që nuk u përsërit. E lajmërova live lajmin për mbylljen e programit; nuk i kisha llogaritur mirë forcat, zëri i dridhur, tradhtoi lotët që më kishin mbushur sytë.

Në përpjekjet e tij të paepura të lobimit për pavarësinë e Kosovës në periudhën 93-99, Dr. Rugova do të vinte shpesh në Paris, dhe kam pasur fatin ta shoh nga afër elegancën e sjelljes së tij. Në 13 dhjetor 1993, në kthim nga Washingtoni, Rugova do të ndalte në Paris. Do ti mbuloja për BBC-inë gjithë takimet e Presidentit për të kërkuar mbështjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe aktivitetin e dhënies së titullit Dr Honoris Causa nga Universiteti St. Denis, Paris VIII. Pas këtij nderimi, do ta intervistoja për BBC-inë. Ishte koha kur opoziat serbe ishte ngritur në protesta kundër regjimit të Milosheviçit. Pyetja ime insistuese, nëse mund të bashkohej protesta e Kosova me atë të opozitës serbe, për të rrëzuar Milosheviçin, dukej, se nuk i pëlqeu. Por si gjithmonë, reagoi butësisht. Butë por prerë: “Ju lutem, ajo është çështje e popullit serb, është mirë që Serbia të demokratizohet. Kjo do të jëtë një gjë e mirë edhe për rajonin, por Kosova ka organizimin e saj, që nuk ka të bëjë më Sërbinë!”

Gjatë vizitave dhe takimeve, ai ishte gjithmonë i rrethuar nga intelektualë, miq të tij që nga koha kur studionte pranë Roland Barthes, apo nga artistë kosovarë të mirintegruar, kitaristi Ehat Musa e Daut Berisha ishin më të afërtit në mes tyre. Berisha, ky piktor diskret, nuk dukej kurrë në asnjë aktivitet të komunitetit, por shfaqej dhe ishte i gjithëgjendshëm gjatë qëndrimit të Dr. Rugovës në Paris. Të gjithë këta artistë e intelektualë, mes tyre Presidenti i revistës Esprit e njëkohësisht drejtori i botimit të saj, Olivier Mongin apo juristi i mirënjohur Antoine Garapon e trajtonin me respekt të veçantë Dr Rugovën. Ata, përmes revistës “Esprit” dhe Komitetit Kosova ku militonin Marie Françoise Allain, Muhamedin Kullashi, Musa Jupolli, Xavier Galmiche apo Joël Hubrecht, ndër të tjerë, u bënë avokatë të rrugës së tij të Rezistencës Paqësore. Mendje hapur dhe modest Dr. Rugova e forcoi dhe përpunoi gjithnjë e më mirë teorinë e tij të Rezistencës Paqsore, vënia në praktikë e të cilës bëri aq shumë për njohjen e çështjes së Kosovës në botë!

Një darkë pas takimit në revistën “Esprit”, ku së bashku me gazetaren Marie Françoise Allain ishim femrat e vetme, Dr. Rugova mundësoi që të na sillnin lule. Ishte hera e parë që shihja një lider shqiptar, europian të mirëfilltë, e me bindje të thella për përkatësinë e tij europiane, që asgjë nuk e lëkundte. Shumica e burrave ballkanikë e humbin politesën ndaj femrave kur veshin petkat e liderit politik.

Presidenti Rugova dhe Presidenti Chirak, 13 dhjetor 1998 Palais de l’Elizée Paris

Pas shumë përpjekjesh, më 13 qershor 1998 Presidenti francez Jacques Chirac (Zhak Shirak) e priti Dr. Rugovën në Palais de l’Elysée. Ishte një ditë e shtunë, është një kujtim i paharruar. Atë kohë punoja si këshilltare në departamentin e medias në UNESCO dhe korrespondente prej Parisi për BBC-në Londër. Ndërsa prisnim për të regjistruar konferencën për shtyp që jepet në rastet e takimeve të dy Presidentëve në funksion, këshilltari i shtypit të Elizesë na komunikoi se do të kishte vetëm një seancë fotosh dhe një falenderim të liderit kosovar. Kjo do të thoshte se Presidenti Chirak nuk do të fliste, gjë që nënkuptonte se atij nuk duhet ti bëheshin pyetje. Republika e Kosovës, megjithëse legjitime, ishte në atë kohë e panjohur nga Franca. Presidenti Chirac nuk mund ta priste Presidentin Rugova në titullin e Presidentit. Për ta bërë këtë ai, më parë, duhej të njihte Republikën e Kosovës. Kur presidentët dolën në oborrin e Elizesë duke njohur protokollin dhe vendosjen e presidentëve, qendrova afër vendit ku do të vinte Presidenti Jacques Chirac. Gazetarët e bombarduan me pyetje Presidentin Rugova, por askush nuk i bëri pyetje Presidentit Chirak. Personalisht e dija se çfarë duhet të bëja. E shkela protokollin dhe e pyeta Presidentin francez, pothuaj si me lutje, mbi pozicionin e Francës. Më e keqja që mund të ndodhte ishte që Presidenti të mos përgjigjej, pasi ne ishim paralajmëruar se nuk do të kishte pyetje. Por edhe ai e shkeli protokollin dhe u përgjigj. Po e jap të plotë thelbin e përgjigjes së presidentit francez Jacques Chirak, për të cilën me modesti, kontribova unë vetë:« Sot në Kosovë ne jemi në një situatë afërsisht të të njëjtës natyrë [si dikur në Bosnje]. Gjithsejcili e sheh mirë që ka një nderhyrje brutale nga ana e Serbëve që shkakton exodin e kosovarëve, që shkakton konfliktet, të vrarët, se egziston në realitet një vullnet i pastrimit etnik, që po përseritet. Kjo gjë është e papranueshme dhe duhet të marrë fund. Nëse kjo do të vazhdonte, do te kishte rrezik të madh, pasi konflikti do të perhapej në ansamblin ballkanik. Në këto kushte Franca ka një pozicion të thjeshtë: duhet të perdoren gjithë mjetet duke përfshirë dhe ato ushtarake, për të vendosur paqen. Vendimet e para të NATO-os u morrën në këtë frymë, që përkon me pozicionin Francez dhe me domosdoshmërinë. Ne dëshirojmë që aksionet eventuale ushtarake të miratohen në unanimitet, në gjirin e grupit të kontaktit dhe mendoj se kjo është e mundur. Ne e mbështetëm menjëherë rezolutën që kërkon autorizimin e Këshillit të Sigurimit për të reaguar në mënyrë ushtarake nese del nevoja dhe urojmë qe vendimet të merren në gjirin e Këshillit të Sigurimit. Këtë të djelë do të behen veprimet e para, të hënën do të zhvillohen bisedimet midis Eltsinit dhe Milosheviçit, dhe shpresoj se do të arrijmë ndalimin agresionit të Serbëve në Kosovë, në të kundërt do të përdoren të gjitha mjetet duke perfshirë dhe ato ushtarake. »

Ishte një deklaratë e fuqishme në mbështetje të Kosovës, e bërë për herë të parë nga Franca në këtë nivel, Presidentit Rugova i ndriçonin sytë. Duke u larguar, ai përsëriti shprehjen e tij origjinale, tashme të zakonshme: « L’independance pour Kosova! » (Pamvarësi për Kosovën!).

Në rezidencën private të Presidentit Rugova, rreth tij majtas Klara Buda, djathtas Guillaume Robert, Prishtina, 16 nentor 2002.

Në Nentor 2002 do të shkoja në Kosovë në gjirin e ekipit të RFI-së për Inagurimin zyrtar të FM-së frëngjisht në Prishtinë. Ne do të zhvillonim një numër takimesh dhe intervista me personalitete të kulturës shqiptare dhe me Presidentin Rugova. Së bashku me kolegët francezë Hervé Guillement, Dominique Tierry dhe këshilltarin e Zyrës së ndërlidhjes Franceze në Kosovë Guillaume Robert, do të priteshim në rezidencën e Dr. Rugovës në Prishtinë. Guillaume Robert, që ishte njëkohësisht bashkëstudenti im i École Pratique des Hautes Etudes  Paris kishte organizuar e përgatitur pritjen nga Presidenti Rugova të ekipit të shtypit francez, gazetarë të RFI-së.

Presidenti Rugova ishte tejet i lumtur dhe si gjithmone shumë i ngrohtë. Biseduam gjatë në frëngjisht, dhe së bashku edhe shqip. Ai na shpalosi vizionin e tij të për të ardhmen e Kosovës ku si gjithmonë pavarësia ishte opsioni i panegocjushëm. Për sejcilin prej nesh kishte përgatitur nga një dhuratë nga toka e Kosovës. Ishte një mineral brut i arit të minierës së Trepçes.

Në darkë në pritjen e zyrës së ndërlidhjes Franceze në Prishtinë, do të takoja shumë miq të dashur kosovarë, njohur gjatë vizitave të tyre në Paris, ku do të takoja edhe shkrimtarin dhe mikun Eqrem Basha, që e kisha njohur dhjetë vite më parë në Die, të Francës.

E ruaj atë gur me arin e Kosovës dhuruar nga dora e Presidentit Rugova, ndër kujtimet më të rralla. Gjithshka ishte e tillë në atë vizitë, si edhe influenca që kjo pjesë e atdheut ushtronte mbi mua, tani edhe më parë gjatë luftës. ishte një ndjesi përkatësie. Sikur “diçka” fshihej në tokën e Kosovës për mua, dhe kontaminonte me magji madje edhe ajrin e saj!

Presidenti Rugova, gjithë jetën e tij do t’ia kushtoi Pavarësisë së Kosovës. Sigurisht që ai do të kishte parapëlqyer të qendronte pranë librave. Më 1994, ai do ta përkufizonte karierën e tij si një karierë letrare dhe do të shprehte keqardhje për mungesën e kohës së krijimit. Kjo duket edhe në këtë thënie të tij në librin me intervista ” La question du Kosova” (Çështja e Kosovës) :” Nëse në historinë e Shqipërisë do të ngelet diçka nga unë, kjo do të jetë figura e intelektualit*”.

Nuk e kishte gabim, suksesi i tij në popull do ti vijë nga politika e Rezistencës paqsore që e zgjodhi intelektuali i thelluar, e që besoi se shprehte një aspiratë shekullore dhe kjo në një kohë që intelektualë të tjerë e kritikonin pikërisht për çka ishte i famshëm: Rezistencën Paqsore. As shtrëgimit i dorës së Milosheviçit, pas sekuestrimit të tij prej serbëve në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe transferimit në një vend të panjohur,  i paraqitur si tradhëti,  por që në fakt s’ishte asgjë, nuk do ta lëkundte besimin e tij në popull.

Edhe pas gjithë luftrave në ish – Jugosllavi, në fund të viteve 90 të, kur kjo rezistencë i kishte treguar qartë limitet e saj, edhe ateherë kur askush nuk besonte më se ajo do tu sillte zgjidhje shqiptarëve të Kosovës, respekti dhe reputacioni që kishte krijuar Dr. Rugova, i hapte përmes tij, çështjes së Kosovës të gjitha dyert dhe falë kësaj ai vazhdoi të bënte për Kosovën diplomatkisht më shumë se gjithkush tjetër, madje, paradoksalisht, edhe gjatë fazës më të zjarrtë të veprimit të UÇK-së, ishte ai që vazhdonte të bëntë më shumë.

Ideatori dhe lideri i Rezistencën Paqsore, do të mbahet mend si shkollari elegant që ja kushtoi gjithë jetën e tij çështjes së Kosovës. Ai që shumë europianë do ta quanin Gandhi i Kosovës, ngelet politikani i rrallë modern shqiptar me bindje perëndimore që askush nuk e ka barazuar deri më sot.

*”La Question du Kosova, Fayard, Paris, 1994