Sheshi

Që atëherë kur turma shtroi lule

Për Krishtin që hyri triumfalisht n’ Jerusalem

Dhe e njëjta t’ nesërmen e kryqëzoi…

Ndue Ukaj

Sheshi është rrëfim i pakryer

Që atëherë kur u dogj Troja

Dhe filloi rrëfimi për të.

Natë e ditë kur Helena bënte dashuri

E Odiseu kërkonte rrugën kah Itaka.

Sheshi është rrëfim i pakryer

Që atëherë kur Diogjeni N’ mes turmës kërkonte njeri.

Sheshi është rrëfim i pakryer

Që atëherë kur turma shtroi lule

Për Krishtin që hyri triumfalisht n’ Jerusalem

Dhe e njëjta t’ nesërmen e kryqëzoi.

Sheshi është rrëfim i pakryer

Që atëherë kur turma rrëzoi shtatore prej bronzi

Dhe ndërtoi piramidë fjalësh

Për njeriun e ri.

Sheshi është rrëfim i pakryer dje

Rrëfim i pakryer sot

Rrëfim i pakryer nesër.

Ndue Ukaj ©