Sulmi i Armatosur i Policise Maqedonase ne Kumanove dhe Faktori Politik Shqiptar

Qazim Doda, New York

Luftimet në Kumanovë nuk ishin të rastësishme, dukej se ishin të paralajmëruar sllavo-maqedonët se diçka e tillë do të ndodhë së shpejti. Ka shumë arsye pse duhet të rinisë lufta në Maqedoni dhe në anën tjetër ka shumë mundësi që të parandalohet një gjë e tillë.

Marrëveshja e Ohrit

Mos implementimi i Marrëveshjes së Ohrit e sjell situatën e humbjes së besimit tek politikanët shqiptarë që janë pjesë e parlamentit ose institucioneve  të  tjera në shtetin maqedon. Poashtu, faktori ndërkombëtar luajti lojën e njëanshme dhe nuk i realizoi premtimet të cilat i kishte dhënë me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit.

Ali Ahmeti dhe ndikimi i tij i pamajftueshëm në përmirësimin e situatës

Lideri I BDI-së Ali Ahmeti dështoi të parandalonte një luftë të tillë, ai u zu shumë i pa përgatitur të ndërmerrte hapa që do ta ndalnin gjakderdhjen. i kënaqur me postet që njerëzit e tij i kanë u paralizua në këtë situate. Ai edhe vet e ka të qartë se mos-implementimi i Marrëveshjes së Ohrit ka për të sjellur pakënaqësi të madhe ndër shqiptarët e trojeve të pushtuara nga sllavo-maqedonasit. Atje jeta e shqiptarëve është e vështirësuar, ka qindra ish ushtarë që po vuajnë në burgjet e Maqedonisë e disa prej tyre me burg të përjetshëm. Familjet po dhunohen nga njësitet speciale sllavo-maqedone sidomos në kufirin me Kosovën dhe askush nuk po u del në mbrojtje. Kjo e sjell në pikëpyetje integritetin dhe identitetin e shqiptarëve në trojet e veta.

Për Ali Ahmetin është shumë vështirë të ndryshojë sistemin e tij të punës. Ai ka një plan afatgjatë për shqiptarët në ato troje dhe nëse realizohet do të ishte kulmi i kërkesave që kombi shqiptar i ka. Mirëpo, rrethanat e krijuara e pamundësojnë vazhdimin e planit nga pozicioni që e ka.

Më e mira do të ishte për të, që në këtë situate të kushtëzojnë partnerët sllavo-maqedonas në bashkëqeverisje me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ose të dalin nga qeveria sepse derisa shqiptarët po vriten nuk mund të quhet bashkëfajtor i atyre që i dhanë urdhërat.

Problemi është se Ali Ahmeti edhe nëse e ka akoma një përqindje të Abaz Gjukës së dikurshëm, nuk ka mundësi të ndërmarrin një hap të tillë sepse kundërshtari i tij politik Menduh Thaçi- i njohur si Vojvoda i Madh menjëhere do të futej në koalicion me sllavo-maqedonët dhe do e udhëhiqte qeverinë. Edhe ashtu para disa muajsh kanë pasur bisedime të fshehta për koalicion të mundshëm.

Barra e krejt kësaj situate i bjen Ali Ahmetit  tash dhe e ka të vështirë ta dallojë luftën e Kumanovës me atë të Gjilanit në vitin 1945 ku Jugosllavi Fadil Hoxha e shtypi ushtrinë e shqiptarit Mulla Idrizit dhe i vrau të gjithë ata që ishin kundër Jugosllavisë. Pra, ose të bëjnë presion për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ose të tërhiqet nga qeveria dhe të parapërgatitet për një situate të re ku do të ridefinohet harta e Maqedonisë.

Si duhet të quhen ata që luftuan kundër forcave sllavo-maqedone?

Shumë medie të lodhura shqiptare i quajtën ose terroristë ose grupe të armatosura. Disa organizata dhe parti e venin në pikëpyetje nëse ata janë shqiptarë. Disa medie e shfrytëzuan si organizim qytetar kundër Ali Ahmetit, derisa zyrtarët e përgatitnin depeshin kundër Kosovës. Mediet e huaja në tërë botën u bazuan në informacionin zyrtar të sajuar nga Gordana Jankullovska se grupi i ashtuquajtur”terrorist” ishte nga Kosova sepse shqiptarët e Maqedonisë janë shumë të mirë dhe e duan këtë shtet.

Nuk ngurruan as disa “analistë” dhe “gazetarë” shqipfolës të hedhin vrerë ndaj këtyre luftëtarëve. I quajtën gjithçka e keqe dhe e mbrojtën vijën e sllavo-maqedonëve. Arritën të shkruajnë me aq kompetencë se këta luftëtarë qenkan dorë e zgjatur  e Rusisë, Serbisë e Maqedonisë. I fajësuan për vrasjen e policëve dhe njëri nga keta pseudo bëri thirrje të hapur që jo vetëm të mos përkrahen këta luftëtarë, por edhe të mos shkohet as në protesta para ambasadës maqedone.  Nivel i ulët i patriotizmit dhe në anën tjetër nivel shumë i lartë i anti-shqiptarizmit e për fat të keq po gjejnë edhe përkrahës tek të cilët po ndikojnë.

Shumica e luftëtarëve që morën pjesë në këtë betejë kanë qenë ish ushtarë të UÇK-së ose UÇPMB-së dhe në jetën e tyre kanë dëshmuar se nuk u dhimbset jeta për liri e bashkim kombëtar. Ata që mund të jenë vrarë janë dëshmorë të kombit e ata që kanë shpëtuar janë luftëtarë të lirisë. Mos të humbasin kohë askush duke u munduar t’i etiketojë djemtë që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e atyre trojeve të pushtuara.

Është për të ardhur keq se si ishin mbledhur shumë të rinjë në rrugët e Kumanovës dhe e vëzhgonin tërheqjen e forcave të armikut. Ata klithnin Uuuuuuu kur parakalonin automjetet ushtarake. Kjo të bën të zhgënjehesh,duke parashtruar pyetjen se si kanë gjetur forcë morale të dalin e të vëzhgojnë, nëse nuk kanë pasur guxim t’i ndihmojnë vëllezërit e tyre që vriteshin disa metra më largë, atëhere të paktën mos të kishin dalur për të bërë teatër.

Dobësimi i faktorit shqiptar në trojet e pushtuara nga sllavo-maqedonët

Më shumë se dy dekada kolera e quajtur ekstremizëm fetar e ka përfshirë atë pjesë të trojeve shqiptare. Atje kanë shtrirë vepimtarinë e tyre rrjetet ekstreme fetare dhe tanimë i kontrollojnë disa xhami. U futën si shoqata humanitare dhe u shëndërruan në organizata ushtarake. Kohëve të fundit shquhen për rekrutimin dhe mobilizimin e të rinjëve shqiptarë të cilët i dërguan në Siri e Irak. Lufta nëntokësore ndërmjet Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit e futi popullin edhe më shumë në përçarje. Edhe grupet e reja si ajo e Reformës në PDSH dhe Besa mbetën vetëm trambolina të pushtetit. Akoma nuk u gjet ndonjë mundësi për t’i ofruar rivalët politik shqiptarë. Këtu fajtore është Kosova sepse me mekanizmat e saj ka shumë mundësi t’i ofrojë rivalët atje.

Partitë shqiptare në Maqedoni janë bërë sikur partitë Çame në Shqipëri. Nuk ka rëndësi se me kënd janë në pushtet, mjafton që të jenë diku dhe t’i gëzojnë benefitet e tyre. Shumica e shqiptarëve në ato troje jeton nga djersa e mërgimtarëve duke mos e gëzuar të drejtën e barabartë në punësim. Shtetin që nuk po e pranojnë në NATO dhe BE po detyrohen ta mbajnë me zor shqiptarët. Politikanët shqiptarë shihen në popull vetëm gjatë fushatave elektorale.

Politika e Maqedonisë ka Shkupin si qendër për vendim-marrje. Atje asnjëra nga partitë shqiptare nuk e ka selinë e partisë dhe shkojnë në Shkup vetëm kur kanë mbledhje në parlament ose ata që punojnë për qeverinë.

Populli ndjehet shumë i zhgënjyer dhe i ka humbur çdo shpresë se partitë shqiptare mund të ndikojnë në përmirësimin e jetës së tyre. Më shumë ka shqiptarë me burg të përjetshëm në Maqedoni se sa që mund të imagjinohet. Atje propuroria dhe gjykata janë tërësisht në duart e sllavo-maqedonëve dhe proceset e montuara politike nuk kanë të ndalur. Kjo pra duket se lufta ndaj njëri tjetrit në ato troje i kanë sjellur aq poshtë sa një grusht sllavo-maqedonasish po i shtypë e turpëron shqiptarët në trojet e veta.

Reagimi i Kosovës dhe Shqipërisë për luftën e Kumanovës

Prishtina zyrtare e dha deklaratën qesharake, aspak nuk i përfaqësonte vlerat shqiptare. Ndoshta ishte një vazhdimësi që 5 vite më parë ndihmoi në përgatitjen e vrasjes së Harun Aliut (Komandant Kushtrimit) dhe bashkëluftëtave të tij Shaban Zenuni, Qemajl Fejzullahu dhe Xhafer Shala.  Në atë rast një minister i brendshëm i Kosovës shkoi menjëhere në Shkup dhe e përgëzoi Jankullovsken. Të paktën një notë proteste është dashur ta dërgojnë sepse zyrtarët sllavo-maqedon e kanë akuzuar Kosovën për luftën e Kumanovës. E vetmja ishte Vetëvendosja që e ngriti zërin hapur për të treguar se çfarë po ndodhte në Kumanovë. Mirëpo, protestat i ruajtën kundër qeverisë së Kosovës dhe gurët vetëm kundër policisë së Kosovës.

Reagim më të dinjitetshëm bëri Lutfi Haziri, krytari i Komunës së Gjilanin i cili e ka gjysmën e familjes në Kumanovë dhe reagoi më shumë si një shqiptar e jo si politikan.

Në anën tjetër Shqipëria zyrtare ishte edhe më e lodhur. Më shumë i kushtojnë vëmendje Tomë Doshit se sa vëllezërve të tyre që po vriten. Nuk dërguan asnjë note proteste dhe në njëfarë mënyre e përgëzuan qeverinë e Maqedonisë. Edi Rama duhet të jetë i vetëdijshëm herave të tjera kur e përmend bashkimin kombëtar, se ka kaluar koha e folklorizmit patriotic. Në këtë rast u tregua se nuk e ka pasur seriozisht deklaratën e dhënë më herët.

Ishin vetëm një grup të rinjësh që protestoi kundër aksionit terrorist të sllavo-maqedonëve në Kumanove, edhe ata u thirrën hapur nga analistët dhe gazetarët që pijnë ujë në legenet sllave të mos dalin në protestë. Deklarata e Pandeli Majkos ishte deri dikund si e një ndërkombëtari që i njeh shqiptarët dhe më në fund deklarata e Aleancës Kuq e Zi që doli hapur kundër pushtuesëve sllavo-maqedonas.

Rreziku i një lufte të re

Masakra e Brodecit e realizuar në kohën kur partia e Menduh Thaçit ishte në qeveri si dhe procesi Monstra dhe masakra e Kumanovës kur partia e Ali Ahmetit është në qeveri e kanë shkatërruar vlerën e faktorit politik shqiptar. Prandaj, rreziku për luftë është shumë i madh dhe arsyeja për të çliruar shqiptarët është edhe më e madhe. Nëse faktori ndërkombëtar nuk ndërmerr hapa të sigurtë në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe vlerësimin e shqiptarëve si popull shtetëformues, atëhere nuk ka mundësi të evitohet lufta e re çlirimtare që përfundimisht do të re-dizajnojë hartën e Maqedonisë. Kjo luftë e re do t’i kushtonte më së shumti  Bashkësisë Evropiane sepse ka investuar shumë në krijimin e shtetit fantazmë të quajtur Maqedoni.

Kujdes edhe nga disa ushtri të internetit se nuk është koha e manipulimeve!

Nuk duhet të harxhohet shumë energji kundër politikanëve shqiptarë në ato troje të pushtuara nga sllavo-maqedonët sepse ata nuk kanë fuqi të ndryshojnë situatën edhe nëse dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë.