Nana Shqiptare e Dashurisë

Nuk është me rëndësi ç’ka bën, por me sa dashuri e bën!

“Nëna Tereze për miliona njerëz anembanë botës është një simbol dhe një shpresë më shumë, se përtej dallimeve të shumta, ekziston dashuria, ajo që mund të triumfojë kundruall të këqijave të shumta, është dashuria për njeriun,  ndjenja më e fisme, që mund të bëjë më shumë se dijet njerëzore, më shumë se fuqitë politike, ekonomike dhe ushtarake. Jeta dhe veprimtaria e shumëfishtë e Nënës Tereze e arsyeton fuqishëm këtë mendim. Ajo dëshmoi fuqishëm se bota vuan aq shumë për dashuri, prandaj bëri vepra të mëdha, duke i sintetizuar veprimet e saj me mendime që mbesin se thesare për mendjen njerëzore, kur thoshte: “Nuk është me rëndësi ç’ka bën, por me sa dashuri e bën.”

Ndue Ukaj

Prishtinë, më 15 mars, 2016

Nëna Tereze trandi themelet e një bote të egërsuar e egoiste, në të cilën dashuria trajtohet si nocion abstrakt. Përkundrazi, ajo ka dëshmuar të kundërtën: bota mund të drejtohet me dashuri, dhe dashuria është fuqia më e madhe që mund ta transformojë botën. Pikërisht këtë nocion abstrakt, Nëna Tereze e ka konkretizuar më mirë se çdo kush në historinë e njerëzimit, duke dëshmuar me shumësi veprash të jashtëzakonshme, e të pakapshme për mendjen njerëzore, se jeta është dashuri, të cilën duhet përjetuar dhe jetuar. Nëna Tereze, jetën e përjetoi si dashuri dhe atë dashuri ia dhuroi botës me dashuri, duke bë fuqinë e saj të rrezatonte kudo në botë.

Njeriu, si qeni shoqërore, është i lidhur dhe bashkëjeton me ngjarje, fenomene e personazh të rëndësishëm. Njeriu, si qenie e si identitet, është i lidhur me figura kombëtare, me të cilat identifikohet e nga të cilat ushqehet në rrugët e tij. Kësisoj është puna edhe me kombet, të cilat gjallojnë nga këso shtresimesh. Për shqiptarët, Nëna Tereze është simbol i krenarisë kombëtare, një shembull i motivueshëm që s’e ka bota, një model që ka shënjuar kohë dhe ka hyrë përjetësisht në panteonin e vlerave bipolare: tokë e qiell. Andaj është fat i madh t’i takosh kombit të një njeriu që ka shënjuar kohën, shekullin, ka trand në themel, teori e doktrina, se bota mund të drejtohet vetëm më armë, ushtri, pushtet, para e fuqi. Motoja e Nënës Tereze: ”vetëm dashuria mund ta shpëtojë botën”, jo vetëm që grish për të ndihmuar të vuajturit që gjenden në mjerimin e skajshëm, pa fajin e tyre, por është shndërruar në një formulë magjike, që troket në ndërgjegjen njerëzore, për një përbashkim drejt vlerave sublime, të tejkoheshme dhe universale. Nëna Tereze, duke i tejkaluar fuqishëm përmasat kombëtare, fetare, është ngrit në piedestalin më të lartë të vlerave botërore. Jo vetëm kaq: ajo është shenjëzim i njeriut model, që me dashuri e sakrificë tundi gjitha filozoftë, doktrinat, empiritë e jetës dhe krijoi një filozofi të re, një model të ri, një civilizim të ri- qytetërimin e dashurisë, siç shkruan biografi më i madh i saj, dom Lush Gjergji. Nëna Tereze tejkaloi gjitha mundësitë njerëzore dhe hyri pavdekësisht në panteonin e vlerave me sublime që ka dhënë bota në dymijëvjeçarin tonë. Ajo mbetet një vlerë sublime për gjithë njerëzimin, që arriti t’i flakë dallimet e gjithfarshme. Ajo ndërtoi filozofojnë e qytetërimin e saj, që është thellësisht qytetërim i dashurisë. Ajo tejkaloi fuqishëm dallimet religjioze, nacionale, doktrinare, në funksion të së mirës së përbashkët që për intencë kishte – Njeriun. Veproi kështu përgjatë gjithë jetës së saj, ndezi nga një qiri çdo kund në botë, ujiti thatësirat e shumta me dashuri, zbuti shpirtrat njerëzor në çdo cep të botës me urtësi Hyjnore. Ishte një murgeshë e madhe dhe një shqiptare e madhe. Prandaj, sot kur ajo është përjetësuar në Lumturi, nuk ka nevojë për nderimin tonë, përkundrazi ne kemi aq shumë nevojë për Atë, që të inspirojë jetën tonë në rrugët eformësimit e konsolidimit. Ajo duhet të bëhet pjesë e pandashme e edukimit tonë kombëtar.

Tendencat e shumta që dëgjohen kuturu: Nëna Tereze nuk duhet të përdoret në diskursin kombëtar, janë të paqëndrueshme dhe krejtësisht qëllimkëqija. E përkundër këtyre tendencave që te eliminohet personaliteti i saj nga identiteti shqiptar dhe të kundrohet vetëm si person fetar, ajo vazhdon të jetë referencë e shumicës absolute shqiptare, duke u bë pikë referimi, sepse kështu, pa asnjë ekzagjerim, shqiptari i bën nderin më të madh vetës e të mirës së tij. Ne mund të mburremi me të sepse ajo ka qenë, është e do të jetë pjesë e pashmangshme e diskursit kombëtar, ngase me personalitetin e saj të gjithanshëm, mbinatyror dhe shumëdimensional, ka ndikuar dhe po ndikon në rrjedhat shqiptare, në kulturën dhe letërsinë shqipe, si dhe pikturë, muzikë, skulpturë dhe në politikë. Në këtë rast, duhet të përmendin sidomos filozofinë paqësore të Ibrahim Rugovës, e cila në esencë ishte e frymëzuar prej madhështisë së Nënës Tereze. Për presidentin dhe liderin e shqiptarëve të Kosovës, Dr. Rugovën ajo ishte model i lëvizjes paqësore, prej së cilës u frymëzua, portretin e së cilës e mbajti sa qe gjallë kudo ai punonte e vepronte. Madje, këtë lëvizje dom Lush Gjergji, me plotë logjikë, e cilëson lëvizje tereziane. E përmasat personalitetit të saj janë shtrirë edhe në rrafshet praktike të jetësshqiptare. Sheshet kryesore në qendrat shqiptare, mbajnë emrin e saj, kudo janë ngritur shtatore, rrugë, spitale aeroporte, të cilat mbajnë dinjitetshëm emrin e saj. Nënëa Tereze nuk është kult e as mit, sepse përkatësia e saj shqiptare, tanimë përbën një dimension të theksuar dhe evident në çdo kënd të botës. Personaliteti i Nënë Terezes që afro dy dekada është paradigma udhërrëfyese për shqiptaret, kudo ku flitet dhe ku shkruhet shqip, në hapësirat shqiptare, por edhe në ato të shpërndara ane e kënd botës. Kësisoj, është ajo është bë hallkë shumë e rëndësishme e identitetit shqiptar, duke influencuar në përmasa të mëdha, funksionale edhe kulturën shqiptare në tërësi, duke u bë personazhi më i rëndësishëm i asj pas Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Nëna Tereze, duke qenë shqiptare, natyrshëm është pjese e identiteti shqiptar, frymëzon zemrat e mendjet shqiptare, ndikon drejtpërdrejt në zhvillimet dhe kahet e shoqërisë shqiptare dhe si e tillë është pjesë e pashmangshme e diskursit dhe identitetit shqiptar. Tendencat e ndryshme, çfarëdo qofshin ato, për ta përjashtuar atë nga pjesa e identitetit shqiptar dhe për ta lënë brenda përkatësisë fetare, tashmë i përkasin së kaluarës, kur shqiptarët vërtiteshin mes dilemash të ndryshme dhe kur për shqiptarët flisnin ata që dirigjoheshin nga interesa të gjithfarshme. Nëna Tereze për miliona njerëz anembanë botës është një simbol dhe një shpresë më shumë, se përtej dallimeve të shumta, ekziston dashuria, ajo që mund të triumfojë kundruall të këqijave të shumta, është dashuria për njeriun,  ndjenja më e fisme, që mund të bëjë më shumë se dijet njerëzore, më shumë se fuqitë politike, ekonomike dhe ushtarake. Jeta dhe veprimtaria e shumëfishtë e Nënës Tereze e arsyeton fuqishëm këtë mendim. Ajo dëshmoi fuqishëm se bota vuan aq shumë për dashuri, prandaj bëri vepra të mëdha, duke i sintetizuar veprimet e saj me mendime që mbesin se thesare për mendjen njerëzore, kur thoshte: “Nuk është me rëndësi çka bën, por me sa dashuri e bën.”

Botuar në klarabudapost më 15 mars, 2016

Botuar filimisht me 2011