Kur prishet paqja Biblike

Ndodh ndonjëherë njeriu s’ka lartësi as thellësi. Ndodh t’ kujtoj se s’ishte asgja, s’ishte askund s’ishte askush, në botën që fundoset në sytë e tij pa horizont. Dhe thotë: gjithçka ekzistoi si në një ulërimë, e frikshme. Ndue Ukaj

Prishtinë, 4 mars 2016

Ndodh ndonjëherë mos m’u kuptue
kufini mes natës e ditës,
as mes t’mirës e t’ keqes
mes t’ drejtës e t’ padrejtës.
Ndodh ndonjëherë rrugët ngatërrohen
e në pështjellimin e madh s’dallohen ngjyrat.
Krejt kjo ndodh kur shuhen dritat n’ horizont.
Papritun, si në një teatër hapet perdja.
Skena asht boshe, e thatë, e ftohtë, e errët…
sikur një jetë e fshehtë plot mistere
dhe një i pendum që rrëfen vetveten
pa fund e pa fillim.
I kredhun në kontekstin e rutinës
pa liri, as me robëni.
Ndodh ndonjëherë njeriu s’ ka horizont
dhe çdo gja përmbyset
sikur para një cunami që merr përpara gjithçka ka.
Ndodh ndonjëherë njeriu s’ka lartësi as thellësi.
Ndodh t’ kujtoj se s’ishte asgja, s’ishte askund
s’ishte askush, në botën që fundoset në sytë e tij pa horizont.
Dhe thotë: gjithçka ekzistoi si në një ulërimë, e frikshme.
Po, ndodh ndonjëherë, njeriu dëshiron me u ul kambëkryq
në Pemën e Dijës
dhe me pa si u prish paqja Biblike, kur digjej Edeni.

( Arka e shpëtimit, 2012 ©)