Dritëthirrje për të kuptuar poetikën e Martin Camajt

“[…] unë nuk jam “realist” letrar si donë me qenë ndjekësit e realizmit socialist”. MC

Ndue Ukaj
As courtesy of Ndue Ukaj

Prishtinë 9 nentor, 2015

Tek eseja ”Shënime të përgjithshme mbi ’Varg librash letrare”, Camaj jep një panoramë shkoqitëse e më qartësuese rreth poezisë së tij, veçmas statusit të saj semantik e ontologjik. Ai shprehet i vetëdijshëm se forma ka ndërrue vazhdimisht në krijimtarinë e tij. Në të njëjtën kohë, ai pohon se “ka ndërrue edhe gjuha, sepse e ka ndjekë zhvillimin e saj edhe se gjuhën e ka si zanat. Pjesë kryesore  e formës sidomos në poezi ashtë gjuha vetë; ajo ashtë jo vetëm ngjyra e veprës letrare, por edhe përmbajtja” shkruan Camaj.

Duke u ndërlidhur me temat dhe motivet tipologjike të poezisë së tij, ai pohon se “Shqipnia e veriut dhe Italia e banueme prej arbenshëvet janë si sfonde ku zhvillohen ngjarjet që paraqes në veprat e mia, bile vetëm ngjyra e atyne vendeve sepse në fantazinë time ashtë shndërrue gjithçka…me thanë “shndërrue” ashtë tepë, por sidoqoftë unë nuk jam “realist” letrar si donë me qenë ndjekësit e realizmit socialist”.

Në këtë ese, Camaj nënvizon preokupimet e artit të tij; temat e mëdha e të përhershme të letërsisë, që janë: njeriu e natyra. “Përshtypjet e mia përqendrohen në tragjiken e vetjeve ku del në shesh dashunia e urrejtja.”

Poeti nuk le pa e shpjeguar edhe një aspekt të ndjeshëm të krijimtarisë së tij: raportin e artit të tij me biografinë. Camaj për këtë pohon: “Një ndër problemet ma me rëndësi në krijimin tim ka qenë si t’i thjeshtësoj ngjarjet e ndjesitë e mia. Njehja e tyre në mënyrë realiste, sa me qenë tue shkrue biografinë për mue nuk ashtë art. Nuk kam qenë kurrë aq i pakrypë me qitë ndjesitë e ngjarjet e jetës sime të idhëta e të gëzueshme troç, pa i shndërrue dhe stërhollue sa mos me i njohë vetë.

Këto dy ese të Camajt për artin poetik, tregojnë se bota subjektive e imagjinatave e tij, është një botë që ndërvepron me të tjerët. Është një botë që evokon mungesat. Një botë plot gjallëri, që flet, dhe e kërkon me gjakim Itakën e munguar. Ndonëse shenjat tipologjike të poezisë së tij, janë sinjfikative: ai në poezi e shpalos vetën, është Camaj ai që  kërkon që të mos kërkohen elementet autobiografike në krijimet e tij. Këtë e pohon kështu: “secili që e bën këtë hyn në pyll pa sëpatë, sepse unë-thotë poeti- kam qëllime gjithnjë me gjet përfytyrime e formula që përfshijnë ndjenja e ndjesi të shumta, të miat e të tjerëve. Këtë nënkupton edhe titulli “Njeriu me vete e me tjerë.”

Nga këto shkoqitje dhe referenca që kemi nxjerr nga dy tekste e tij ku Camaj përsiat për artin dhe poezinë, shohim se ai ka hedhur dritë mbi artin e tij letrar. Mendimet e tij për poezinë, qenësinë e saj, statusin ontologjik dhe artistik, janë të vyeshme dhe njëkohësisht dritëthirrje për të kuptuar poetikën e tij letrare. Në këto dy tekste, poeti shpërfaq me sinqeritet tërë koloritin e poezisë së tij, që po rinënvizojmë, ndërlidhet me humusin shqiptar, duke lënë të kuptueshme se hapësira semantike dhe artistike arbnore, dhe e Dukagjinit, janë shtresa të pushtetshëm përbrenda vjershërimit të tij, si mendime, gjuhë e figurë.

Në mënyrë programatike, në dy esetë e lartpërmendur, Camaj krijoi humusin e tij letrar e kulturor. Ai është malësori i Dukagjinit dhe ambienti shqiptar, me doke, zakone e imazhe specifike.

A rravgon Camaj pas mitit poetik? Dhe nëse po, ku e gjen atë? Këtyre pyetjeve e përsiatjeve, iu jep shpjegim autori. Ai, i ndodhur në Bibliotekë, mëson për palimpsestin, për këtë formë poetike që merr jetë në poezinë e tij, si një pikëshikim filozofik e poetik i veçantë për raportet e artit me të shkuarën. Teksa përkundet në imagjinatën e së kaluarës,  ai shtegton nëpër qytete të mëdha:  mes kërkimit të mitit poetik ose qetësisë së humbun.

Qetësia e humbun, është shenjë e shënjues poetik i identitetit artistik të poezisë së tij dhe ndërlidhet ngushtë me biografemën e tij.

Camaj jetoi me idenë që ta shkruante librin e kujtimeve, si semantikë shpirtërore, sepse  kështu “nuk don me humbë gjurma”. Nëpërmjet enigmës, aty ku “nalt e poshtë i përzihen frazat” ai shkroi magjinë e tekstit, librin e bukur të poezisë shqipe, si shpalim i një botë të pasur imagjinatave, ku shpërthen dufi artistik i poetit që rrjedhë nga imagjinata e tij e pasur dhe kultura e kultivuar letrare.

Është pohuar nga shumë njohës të artit të tij, se, poezia e tij, si sistem, është e ndërlidhur fuqishëm me gjuhën dhe mendimin. Këto dy komponentë, bëhen shenja të identitetit dhe shpalim artistik i tij. Nëpërmjet kësaj semantike poetike, Camaj i jep vjershërimit shqipe koloritin që i mungonte. Madje edhe për faktin se poetika e tij qëndroi larg ndikimeve të shkollës socrealiste që kishte leshu rrënjë në Shqipërinë komuniste. Përkundrazi, ai afirmoi trendet bashkëkohëse të poezisë që lëroheshin në botë, veçmas poezinë hermetike, ku u tregua shumë i suksesshëm.

Krijimtaria letrare e Camajt mbetet shtyllë e fuqishme artistike në ngrehinën e letërsisë shqipe. Thënë ndryshe: është pjesa më e fisme e saj. Është dëshmi e origjinalitetit dhe autenticitetit krijues, pa një shembull të rrokshëm për krahasim.

( II Shkëputur nga një ese më e gjatë per KlaraBudaPost)