Fali o Zot se s’dinë se çbëjnë

“Historia dëshmon se punët e mëdha për të mirën e përbashkët, bahen vetëm në saje të dashurisë së madhe dhe jo të urrejtës së madhe. Asnjë vepër e madhe, nuk është bërë nga urrejtja e madhe, por nga dashuria e madhe.”NU

Ndue Ukaj

Paris, 26 Maj, 2017

Politike në Kosovë është një kaos ngatërresash dhe tradhtish të shumta e pafund, secila më e çuditshme dhe më e pakuptimtë se tjetra. E në këtë vorbull është përfshirë edhe pjesa dërmues e medieve dhe e ashtuquajturës shoqëri civile. Kjo ka bërë që qytetarët tanë të jenë të habitur dhe të trullosur.

Në fakt, habia është ndjenjë a përshtypje që krijohet te njerëzit nga diçka e jashtëzakonshme, e papritur, e çuditshme ose e pakuptueshme. Ka habi që vjen nga gjërat e mira, por edhe nga ato të këqija. Njeriu mund të habitet nga një vepër arti, kur lexon një poezi, sheh një pikturë apo kur kupton një veprim të pakuptimtë të dikujt.

Shqiptarët e Kosovës, këto ditë, si rrallëherë po habiten me zhvillimet dhe veprime të pakuptimta politike. Dhe kjo ata i ka hutuar, trullosur, dhe i ka bërë më të pasigurt e më mosbesues ndaj njëri-tjetrit dhe shtetit të tyre.

Qytetarët e Kosovës, të rraskapitur, pa mirëqenie, pa shpresa dhe të pasigurt në të ardhmen e tyre, ditë e natë flasin për politikë. Jo pse u pëlqen, por pse ajo është bërë shujtë e përditshme për ta. Sot, të vjen keq kur sheh të mëdhenj e të vegjël, tek flasin me kaq pasion për politikën dhe njerëzit që merren me të. Kjo avari ku jemi katandisë, ka shkaktuar një kaos mendimesh e gjykimesh, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në krejt kohezionin tonë: në lirinë dhe shëndetin mendor të këtij vendi.

Vetëm shoqëritë e topitura kulturalisht, intelektualisht dhe moralisht flasin shumë për politikë, kështu siç bëjnë shqiptarët. A në fakt, shqiptarët nuk shquhen aspak në këtë zanat. Dihet botërisht se mendimi politik shqiptar është krejtësisht i varfër. Shqiptarët, historikisht nuk kanë qenë të zotët në punët politikës dhe as nuk shquhen për ndonjë lëvizje të vlefshme (përjashto I. Rugovën). Ndaj, sot, kur shoh gjithë këtë yrysh pas politikës dhe debateve shterpe kudo rreth politikës, më vjen ndërmend ajo që shkroi Paulin Margjokaj te libri “Kush janë anmiqt e Shqipnisë”, para disa dekadave: “Shqiptarët flasin për gjithçka, por sidomos për politikë. Natyrisht, sa me pak të dijë njeriu, aq me shumë flet. E për politikë, nuk ashtë kush qi flet aq shumë sa Shqiptarët. E me pvete, nder 100 vete ndoshta memzi njani din se ka vjen fjala politikë e shka shenjon e shka don me thanë.”

Sot, në Kosovë të gjithë duken të janë të habitur. Të habitur duken të janë ata që merren me politikë dhe ata që s’merren me politikë. Të habitur duket të janë ata që vegjetojnë dhe ata që përfshihen në politikë. Të habitur duket të janë ata që nga distanca hedhin gurë e dru mbi njerëzit e politikës. Të habitura duket të janë edhe ato dy kategoritë e zhurmshme: mediet dhe e ashtuquajtura shoqëri civile. Dhe kjo habi, për çudi, na ka trullosë të gjithëve. Na ka bërë edhe më mosbesues ndaj çdo gjëje që ndodh në vendin tonë. Na ka bërë mosbesues ndaj secilit, dhe për pasojë, te ne ndodh ai fenomeni i shpërfytyrimit, ku miqtë brenda natës bëhen armiq, dhe ata që mbrojnë parime, brenda natës bëhen shkelësit më të mëdhenj të tyre. Si rezultat i kësaj habie, flitet shumë dhe analizohet pak. Spekulohet shumë dhe dokumentohet pak. Trillohet shumë dhe me qëllim të degdisjes së njeriut. Duke “harruar” se nuk është njeriu për shtetin, por shteti për njeriun. Dhe përballë kësaj gjendje, ne vazhdojmë të manipulojmë me diskurs ideologjik, duke i ikur të vërtetës esenciale. Nuk e themi troç se një popull që ka kaq shumë mosmarrëveshje ndërmjet veti, ka kriza serioze, dhe arsyet, kurrsesi nuk mund të jenë vetëm politike, ashtu siç tentohet shpeshherë të shpjegohen problemet shqiptare. Ato janë shumë ma të thella dhe shumëfish ma serioze. Ismail Kadare, lidhur me fenomenin e mosmarrëveshjes, ka shkruar një libër monumental, “Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetes” , ku analizon raportet e shqiptarëve me vetveten, sidomos në planin kulturor e historik, dhe pikërisht aty e gjen shkakun e shumicës së mosmarrëveshjeve, dhe paaftësisë sonë për t’u bashkuar rreth interesave të përgjithshme.

Në qytetërimin perëndimor, sipas së cilit stil synojmë ta rregullojmë jetën tonë politike e morale, ekziston një parim se nuk është krijuar njeriu për shtetin, por shteti për njeriun. Prandaj, degdisja e njeriut, siç po ngjet te ne është degdisje e shtetit. Nisur nga ky parim, unë s’arrij t’a kuptoj gjithë këtë mllef që kanë ushqejnë shqiptarët kundër njëri-tjetrit, ndërkohë që i “blatohen” idesë së shtetit dhe flasin me patetizëm për të. Nuk arrij t’a kuptoj gjithë këtë zell që dëshmojnë shqiptarët për ta përbaltur, mohuar, përbuzur dhe linçuar gjithçka dhe gjithsecilin.

Historia dëshmon se punët e mëdha për të mirën e përbashkët, bahen vetëm në saje të dashurisë së madhe dhe jo të urrejtës së madhe. Asnjë vepër e madhe, nuk është bërë nga urrejtja e madhe, por nga dashuria e madhe. Kjo gjë është e vlefshme në gjitha fushat dhe në atë të politikës.

Përvoja dëfton se një organizëm politik, një shtet, një komb, është një akt besimi. Asgjë më shumë dhe as më pak. Dhe këtë akt besimi, e bëjnë njerëzit që besojnë në disa parime e vlera të përbashkëta. Nëpërmjet këtij akti besimi, formohet ideja e kontratës kolektive- konsensusit për parimet mbi të cilat synohet të ndërtohet shoqëria e caktuar dhe identiteti politik a kulturor i aksh shtetit apo kombit.

Pra, për ta bërë shtetin, duhet ta kthejmë besimin te njeriu i Kosovës; rikthimin e besimit te vetvetja; të forcat tona për ta mposhtë të keqen dhe apatinë që mbizotëron kudo ndër ne.

Në Kosovë ka kohë prej kur mungon atmosfera mendore pozitive dhe kjo lëngatë ka prodhuar gjithfarë prototipash: politikanë e folës të jetës publike që mbjellin më shumë urrejtje dhe mosdurim. Si pasojë e kësaj, ka vite ndër ne që më lehtë dëgjohen zërat e atyre që e mundojnë gurmazin dhe jo mendjen. E kjo mungesë ka bërë që në shoqërinë tonë të flet çdo kush dhe për çdo gjë. Në këtë mënyrë, e kemi përmbysë përvojën universale dhe kemi harruar se autoriteti para se gjithash duhet të jetë një forcë morale a intelektuale. Në vend të autoriteteve me këto cilësi, kemi sajuar autoritete të rreme; individë që ngrihen lart në shoqëri, mbi bazë të një inxhinieringu ideologjik apo duke u bazuar kryesisht në friken e ndëshkimeve, kërcënimeve; të tillë që nëpërmjet pushtetit, synojnë ta kontrollojnë ndërgjegjen dhe lirinë e njeriut, apo profetë të rremë, të tillë që sajohen nga media apo shoqëria civile.

 

Sot, kur qytetarët e këtij vendi, presin të hutuar të kuptojnë se çfarë po ndodh me vendin e tyre. Ata pyesin të hutuar duan ta dinë nëse jemi apo s’jemi të zotët ta mposhtim të keqen? Kjo mbetet dilemë e pazgjidhshme, si nyja e pikëpyetjes hamletiane.

Sidomos për faktin se i kemi rrënuar raportet ndërnjerëzore. Ka kohë prej kur flitet për degdisjen e njeriut, por asnjëherë s’ kemi tentuar ta tejkalojmë debatin nga ky stad i ulët dhe neveritës, në një rrafsh tjetër, më etik dhe më human.

A kemi nevojë të bëjmë një gjë të tillë, që ta kthejmë besimin ndërmjet veti?

Pa dyshim se po. Mirëpo, asgjë s’bëhet me sharje e fyerje. As nëse ia tkurrim lirinë shpirtërore të njeriut dhe ia vyshkim vullnetin.

Se cila është rruga që duhet ndjekë, deri me tani askush nuk ka dëftuar. As me debate dhe as me veprime publike. Prandaj është koha e fundit që të ndalim hovin e degdisjes së njeriut. Sepse kjo frymë kaq e egër politike na ka ligështuar dhe molepsë.

Prandaj, sot, secili që e do vendin dhe kritikon i shtytur nga dashuria e njëmend, i bën atij shërbimin ma të mirë, sepse nëpërmjet mendimit kritik, identifikohen mangësitë, dhe krijohen parakushte për t’ i kuruar ato, por jo duke e degdisë njeriun.

Secili që kritikon, i shtytur nga një qëllim i lartë mirëbërësie, i bën vendit shërbim shumë të mirë, ashtu siç bëjnë kudo njerëzit e ditur, dhe ashtu siç bënë dikur kolosët tanë: Fishta, Konica, Merxhani, Noli, e shumë të tjerë, mirëpo asnjëherë duke rrënuar njeriun.